Kujtimet e Qemal Lames, ish- Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë: Si vlerësonte Enveri, Sami Frashërin, Ismail Kadaren, Fatmir Gjatën, Ruzhdi Pulahën, Robert Ndrenikën e Yllka Mujon
SI SHKRIMTARËT DHE ARTISTËT ORIENTOHESHIN SI MBËSHTETËS TË POLITIKËS SË PARTISË
– Enver Hoxha ka lavdëruar edhe aktorin e njohur Mirush Kabashi për rolin e tij (Komandanti i Xhandarmërisë) dhe pse kishte “cen”
– Një herë Ismail Kadare ishte ftuar për vizitë me rastin e ditëlindjes së Enver Hoxhës
– Mbledhja e Sekretariatit të Komitetit Qendror, Enveri diskuton me Agollin dhe Ramiz Alinë
Politika zyrtare mbështeste zhvillimin e letërsisë, artit e kulturës me qëllim që ata të kontribuonin në qëllimin strategjik për krijimin dhe edukimin e njeriut të ri të formuar me mësimet e Enver Hoxhës.
Letërsia, arti dhe kultura janë me rëndësi jetike për qytetërimin që
dëshmon nivelin e përparuar të shoqërisë. Për këto arsye, shteti kujdeset për njohjen, ruajtjen e zhvillimin e tyre si mjetet e fuqishme për edukimin e njerëzve dhe transformimin e shoqërisë.
Në periudhën e socializmit ka rëndësi të pranohet me objektivitet zhvillimi bashkëkohor i letërsisë, artit e kulturës kombëtare. Arritjet pozitive në këto drejtime dëshmojnë për përparimet e bëra. Kritika e rreptë për këtë periudhë historike ka në përmbajtje politizimin
maksimal për interesat e ruajtjes së pushtetit absolut.
Pas masave dragoniane të luftës kundër liberalizmit, letërsia dhe kultura me zhvillime bashkëkohore do të orientohej në vlerësimin e rolit udhëheqës të partisë, që do të thoshte pranimin, mbështetjen e idealizimin e pushtetit të pakufishëm të udhëheqësit.
Propaganda partiake u kushtoi kujdes orientimeve për rolin e partisë, sipas përfundimeve të diskutimit të Enver Hoxhës në mbledhjen e Sekretariatit të KQ, më 1979. Në këtë mbledhje, të parapërgatitur me kujdes, është fakt se është folur e diskutuar shumë për problemet e artit e të kulturës. Me fjalën e tij Enver Hoxha vë theksin në ndryshimet e bëra pas masave kundër liberalizmit, vlerëson dhe inkurajon letërsisë, artin e kulturën, si dhe personalitetet e dalluara në atë kohë në këto fusha. Për të ngritur më tej rëndësinë e tij, për të theksuar përparësitë e mendimit të tij, erudicionin e tij, që pëlqehej dhe mbështetej me servilizëm nga propaganda zyrtare dhe bashkëpunëtorët e tij, ai e ka kanalizuar temën e bisedave në diskutime e debate akademike, Enveri shpreh mendime për qytetërimin e lashtë shqiptar si: prejardhja e shqiptarëve, pellazgët, ilirët, gjuha shqipe, kultura, traditat zakonore, veshjet, xhubleta etj.
Për të aktualizuar dhe vënë në dukje arritjet, vlerëson përparimet në
kinematografinë tonë kombëtare, duke e dalluar nga ajo e huaj etj., etj.
Ai përmend me emër personalitete të kulturës e artit si: Faik Konica, Namik Resuli, Sami Frashëri, Ismail Kadare, Fatmir Gjata etj., etj., deri te kineastët e aktorët e kinematografisë shqiptare të viteve të fundit, si: Ruzhdi Pulaha, Robert Ndrenika e Yllka Mujo.
Enver Hoxha ka lavdëruar edhe aktorin e njohur Mirush Kabashi për rolin e tij (Komandanti i Xhandarmërisë) te filmi “Koncert në vitin 1936”, por pa ia përmendur emrin.
Enver Hoxha flet me respekt për aktorin e famshëm Robert Ndrenika, edhe pse ai e dinte “kleçkën” e tij (vëllanë e arratisur), dhe për Mirush Kabashin, i cili, gjithashtu, kishte “kleçkë” jo të vogël në biografi, (dajën Skënder Çela të pushkatuar më 1947), gjë për të cilën Mirushi ishte hequr nga skena dhe ishte dërguar punëtor në hekurudhë.
Me këto qëndrime Enver Hoxha manovron për të treguar një ndryshim në politikën e partisë për luftën e klasave dhe biografinë e njerëzve, duke i kushtuar rëndësi personit, njeriut të ri, të lindur dhe edukuar në kohën e re, kontributit që ai jep në shoqëri, pa e paragjykuar e ndëshkuar me qëndrimin politik të familjes së tij, babait, nënës, vëllait, motrës etj.
Ka rëndësi të kuptohet se këto qëndrime kanë qenë thjesht për të rimarrë besimin e popullit të tronditur me luftën kundër liberalizmit dhe kundërshtarëve politikë në komplotet e dënuara, personalitetet e dënuara me vdekje dhe ata me burgime deri 25- vjet.
Pjesë me rëndësi e politikës për zhvillimin e artit dhe kulturës sipas kornizave partiake, ishte edhe kundërvënia e gjithanshme ndaj artit dhe kulturës perëndimore, sidomos të shteteve të zhvilluara europiane dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mbivlerësohej roli edukues i letërsisë, artit e kulturës, kinematografisë shqiptare në krahasim me atë të vendeve të tjera perëndimore. Merreshin si shembull vlerësimet e bëra nga publiku në Turqi për filmat shqiptarë dhe kritikohej politika turke që mbështeste filmat perëndimorë amerikanë.
Në propagandën intensive partiake për rritjen e kultit të udhëheqësit është e nevojshme të njohim edhe anën e fshehtë të veprimtarisë së udhëheqësit për të mbajtur nën kontroll të plotë krijuesit, shkrimtarët e artistët.
Publikisht Enveri i vlerësonte, i nderonte dhe deklaronte mirënjohje përballë talentit të shkrimtarëve e artistëve.
Por këto mesazhe pozitive në realitet i shërbenin politikës së tij zyrtare, për vetë faktin se edhe në këto raste theksonte karakterin dhe superioritetin e tij.
Në fshehtësi ata mbaheshin pothuajse të gjithë nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit. Kërkohej të njiheshin në kohë mendimet e vërteta të tyre. Ky kontroll përbënte edhe presionin e madh që ndihej në heshtje dhe në mënyrë figurative nga prania e përditshme e militantëve partiakë, sekretarëve të organizatave bazë të Partisë.
Një herë është ftuar Ismail Kadare për vizitë me rastin e ditëlindjes së Enver Hoxhës. Vetë Ismaili ka publikuar më vonë mendimet e tij për vizitën, nivelin intelektual dhe marrëdhëniet me udhëheqësin.
Dokumenti në fjalë publikohet me shkurtime, vetëm pjesa e dytë e mbledhjes së sekretariatit të Komitetit Qendror.
Mbledhja e Sekretariatit të Komitetit Qendror. Enveri diskuton me Agollin dhe Ramiz Alinë
SHOKU ENVER HOXHA: Shumë mirë, shumë mirë. Epo ja, patëm një bisedë të lirë, nga e cila po dalim me njohuri pak më të thella. Të huaj s’kemi qenë për këtë çështje, sepse tashti sidomos, me zhvillimin e madh të artit popullor, të këngëve, të valleve popullore, të përpjekjeve të lavdërueshme të të gjithë letrarëve dhe artistëve tanë, që kanë një gjykim shumë të madh për shpirtin e njerëzve dhe për botëkuptimin e drejtë të tyre, literatura, artet, muzika, kinematografia, teatri ynë etj. Po bëhen çdo ditë ushqimi i gjithë popullit. Siç e tha Dritëro Agolli, duhet të jemi plotësisht të bindur, se ajo që bëri Partia për të mos lejuar të vërshonin në vendin tonë literatura, poezia dhe filmat e huaj në atë mënyrë siç donin Fadil Paçrami, Todi Lubonja ose siç dëshironte Perëndimi, ka qenë e drejtë. Ne, duke vepruar kështu, nuk kemi bërë një punë sektare, por shpëtimtare. Për aq sa kemi mundur, pse dhe forcat tona përkthyese nuk kanë qenë aq të mëdha, ne kemi përkthyer për lexuesit edhe vepra të klasikëve të letërsisë botërore. Them kemi përkthyer pak, se në mes tyre mund të zgjidheshin edhe më shumë. Natyrisht, ajo është një literaturë borgjeze, por në të ka disa gjëra që i ndihmojnë njerëzit tanë të shoqërisë së re socialiste, për ta kuptuar zhvillimin e botëkuptimit në shoqërinë borgjeze. Kështu njerëzit tanë shohin inferioritetin e kulturës borgjeze ndaj kulturës sonë socialiste. Nuk thoshte kot Marksi që “Balzakun e mbaj nën jastëk”. Balzaku shkroi pikëpamjet e tij ruajaliste në luftën kundër borgjezisë dhe e bëri atë shoshë, e zhveshi fare lakuriq. Marksi thoshte e mbaj në kokë Balzakun, pse në veprat e tij pasqyrohet lufta kundër borgjezisë, kundër kapitalizmit dhe kalbëzimit të kësaj borgjezie. Të shkosh me mendjen e Namik Resulit, që përmenda pak përpara, i cili thoshte se Faik Konica nuk mund t’i duronte pikëpamjet e Sami Frashërit, të Jani Vretos e të Naun Veqilharxhëve, është tradhti.
Ai mbronte Konicën, duke u shprehur se kultura e Perëndimit ishte një kulturë më e përparuar. Ai, në mbrojtje të kësaj teze, citon Verlenin, që ishte një element homoseksual. Në formë Verleni poezitë i ka të bukura, por brenda poezive të tij ka ide të mbrapshta. Namik Resuli gjithashtu citon Rembonë, që ishte i dashuri i Verlenit, që në një kafe të errët të Brukselit qëlloi me kobure dhe pastaj u ngrit e shkoi në Afrikë, ku vdiq. Ai përmend kulturën e Bodlerit, që njihej si njeriu i kafeneve, i opiumeve dhe i vajzave të liga. Kryevepra e tij është “Lulet e së keqes”. Kjo ishte “kultura” e tyre, që ne nuk mund ta linim të hynte në vendin tonë, që të na njolloste këtë rini kaq të pastër që ka edukuar Partia. Jo, këtë gjë nuk do ta lejojmë. Unë, kur kam kohë të lirë, lexoj libra francezë, kështu lexoj libra politikë, por herë pas here marr në dorë edhe romane e poezi. Ju flas si marksist që ato nuk lexohen. Prej tyre nuk mundet të lexosh më tepër se 20 faqe. Ata libra as mund t’i krahasosh me veprat e klasikëve, bile as të atyre të borgjezisë së shekullit të 19-t. Kur lexon, për shembull, një libër borgjez të kohës së kaluar, shikon karakterin e punëtorëve, të fshatarëve, të grevave e të tjera. Kurse botimet aktuale të borgjezëve janë të tmerrshme. Kjo nuk mund të thotë që në mes tyre të mos ketë edhe romane e poezi që mund të lexohen. Unë flas për letërsinë franceze e jo për të tjerët, të cilat gjithashtu pak a shumë në ato ujëra janë. Prandaj për kufizimin në këtë drejtim të letërsisë
së huaj nuk kemi bërë keq.
Ne nuk mund të ushqejmë popullin me helme. Nga halli ne kemi sjellë edhe filma nga jashtë. I dimë tërë arsyet e këtij veprimi, por më përpara nuk kishim nga ata njerëz kompetentë, as mjete për të prodhuar filma vetë. Megjithatë këta filma nuk i prishin ndërgjegjen dhe shijet artistike të masave, se propaganda e Partisë ka bërë punën e saj, ajo është e thellë dhe e fortë në njerëzit tanë, të cilët e ruajnë karakterin e fortë, ndershmërinë, burrërinë, ndjenjën e drejtësisë dhe të urrejtjes kundër vrasjes, korrupsionit e ligësive. Njerëzit tanë i shikonin filmat e huaj sa për të kaluar kohën. Partia jonë i dha me kohë një hov zhvillimit të kinematografisë, me të cilën duhet të jemi të kënaqur. Ne duhet të jemi të kënaqur që aktualisht kemi një brumë të formuar në të gjithë sektorët, për të cilën punohet vazhdimisht për t’i shërbyer ndërtimit të socializmit dhe mbrojtjes së atdheut. Zhvillimi i këngës dhe i valles popullore, për njëfarë kohe, na kishin mbetur akoma në një nivel të paorganizuar si duhet. Këngët janë ruajtur nga populli brez pas brezi dhe njerëzit, të mbledhur kokë më kokë, vazhdimisht këndonin, por përpara niveli i koncerteve linte shumë për të dëshiruar. Është krejt ndryshe tani.
Tërmeti i rëndë i 15 prillit të këtij viti ngriti në këmbë gjithë popullin. Nga heroizmi i punonjësve tanë për të përballuar pasojat e tërmetit do të frymëzohen shkrimtarët dhe artistët tanë për të bërë poezi, romane, piktura, pjesë muzikore etj. Kur dëgjon të flasin njerëzit e popullit me një gjuhë që të mahnit, nuk mund të mos frymëzohesh. Për këtë arsye Partia këshillon të shkojmë në popull, se në gjirin e tij është gurra e madhe që ushqen njerëzit. Te populli gjendet pasuria e madhe e gjuhës sonë, e shprehjeve tona, e mendimeve tona më të mira. Atje duken qartë kurajoja, guximi dhe mençuria e thellë. Asnjërit të mos i rritet mendja nga sukseset në punë sa të thotë: unë jam i mençur. Sado i zgjuar të jetë një njeri, ai kurrë nuk mund të jetë më i mençur se populli. Në kontaktet me popullin gjendet gjithçka që i duhet dijetarit. Zotësia e secilit prej nesh duket në sintezën që ai i bën diturisë së masave me botëkuptimin e shëndoshë marksist-leninist. Botëkuptimi i shëndoshë dhe karakteri militant që krijon një vepër, e çdo natyre qoftë kjo, lë mbresa edhe për brezat e ardhshëm, kur pasqyron shpirtin e popullit. Nuk shlyhen kurrë ato vepra, që i kanë themelet në tabanin e popullit. Në historinë botërore njihen shumë vepra letrare e artistike të botuara nga institucione të ndryshme. Janë shkruar me miliona libra në të gjitha gjuhët, por pjesën më të madhe e ka marrë me vete rrëkeja e kohës.
Llumi është zhdukur dhe ka mbetur përsipër vetëm ajka. Shekuj të shumtë kanë kaluar pas Homerit, por veprën e tij ata nuk e kanë shlyer, sepse në to është pasqyruar epoka historike e lashtësisë. Një nga ato drejtime të zhvillimit tonë ideoartistik, që ju nuk zutë me gojë këtu, është, për shembull, kinematografia. Unë mendoj se, pa qenë shovinistë, mund të thuhet se kinematografia jonë ka bërë një hop të madh cilësor përpara; filmat tanë, që po shohim aktualisht, rrallë i gjen jashtë. Ndjenjat e shprehura në to, interpretimi i bukur, ambienti i ngrohtë e i shëndoshë i tyre, frymëzojnë me realizëm jo vetëm njerëzit tanë, por, siç tha Dritëro Agolli, edhe të huajt që na i duan të mirën. Filmat tanë tregojnë me realizëm jetën tonë, të kaluarën, perspektivën dhe aspiratat tona. Në qoftë se filmat tanë nuk blihen jashtë, kjo provon se borgjezia trembet nga përmbajtja e tyre revolucionare. Ne kemi informata se Qeveria Turke ka dhënë urdhër të mos blihen filmat shqiptarë me arsyetim se: na futet zjarri brenda.
Ne kemi informata gjithashtu se në festivalin e filmit që u zhvillua në Stamboll, njerëzit thyenin dyert nga dëshira e madhe për të parë filmat tanë. Nuk na u dha çmimi, se filmat tanë me metrazh të gjatë nuk kishin hyrë në konkurs. Atje konkurruan vetëm filmat me metrazh të shkurtër. E kishim parë edhe më përpara filmin “Dollia e dasmës sime”, që u dha në festivalin e filmit tonë. Ai është i zhanrit që shkruan Dritëroi. Kush e ka bërë skenarin e atij filmi, Dritëro?
SHOKU DRITËRO AGOLLI: Atë e ka shkruar Ruzhdi Pulaha, ai që ka shkruar edhe komedinë “Zonja nga qyteti”.
SHOKU ENVER HOXHA: Sidoqoftë, ky skenar është i zhanrit të Dritëroit, i cili shkruan me realizëm dhe konkretisht për fshatarët. Ju poetët e rinj, duhet ta ndiqni shembullin e tij. Sa film i bukur, i realizuar me ndjenja
ishte ai për ne. Sa bukur interpretonte artistja që është një vajzë e re. Vetëm
me sytë e saj, pa folur fare, ajo flet për atë që është zor të shprehet me fjalë. Le t’i bëjnë reklama sa të duan në Francë dhe në të gjithë botën Brixhit Bardosë, por artistja jonë e re e këtij filmi e lë në bisht të urës Bardonë. Në film tregohen në mënyrë prekëse zakonet e popullit tonë, tregohet jeta e nënave tona që i fejonte babai në djep. Aty unë pashë edhe jetën e nënës time. Një ditë gjyshi im, babai i nënës, siç më kanë treguar, rrinte i mërzitur në kafe. Ç’ke, more Jonuz, pse rri kështu i vërejtur? – e kishte pyetur vëllai i babait tim. – Po ç’të kem, më lindi vajzë, – i qe përgjigjur gjyshi. – O
…, punë e madhe, ta marr unë për djalin tim. –
Po ti s’ke djalë, – i ishte përgjigjur gjyshi. – Nuk kam unë, por im vëlla, Nexhipi, ka Halilin. Dhe aty e kishin vendosur e i kishin dhënë dorën njëri-tjetrit. Gjyshi qe kthyer shpejt i gëzuar në shtëpi dhe u kishte thënë familjarëve: e fejova çupën me të birin e Nexhip Hoxhës. Kaq e kishte pasur fejesa e nënës sime me babanë tim. Të tilla ngjarje na kujtohen në këtë film. Episode në filmin “Dollia e dasmës sime” janë thurur kaq bukur e me shije të hollë, sa të bëjnë për vete. Kur plaku në anë të oxhakut i flet vajzës, spikat dukshëm karakteri i vjetër i bashkuar me ndjenjat e kulturës sonë. Më fal, i thotë vjehrri nuses, dhe me të gjitha ato gjestet e tij paraqitet i rreptë për diçka, por edhe i dashur, përparimtar dhe patriot për gjërat e mëdha. Kjo duket natyrshëm kur ai thotë: ‘Hajde ti vajzë, lidhja plagën të plagosurit’. Ose te filmi “Gjeneral Gramafoni” është historia që kemi jetuar vetë ne. Muzika e këtij filmi është zgjedhur nga ato melodi të ëmbla që na kanë kënduar nënat tona në djep. Kënga jonë tronditëse e shoqëron aksionin politik këmba- këmbës dhe del fitimtar. Ajo e dërrmon armikun, siç e dërrmuan trimat me armë në dorë. Kënga jonë, me jehonën popullore është kushtrim për luftë. Në shoqërinë borgjeze, doemos, nuk i pëlqejnë filmat tanë. Nuk i pëlqen borgjezia, se morali ynë proletar është në kundërshtim me moralin e degjeneruar borgjez. Megjithatë edhe në këtë shoqëri ka shumë njerëz që nuk e durojnë degjenerimin e djemve dhe të vajzave të tyre, thirrjet e borgjezisë për “lirinë seksuale”. Popujt janë armiq të degjenerimit, kurse klasat shfrytëzuese e ushqejnë atë. Pse masat punonjëse në Turqi i duan filmat tanë? I duan se shohin si kemi kaluar ne nga errësira në dritë. Ata shohin një film që paraqet si ka qenë gjendja 40 vjet më parë në Shqipëri, pastaj një film tjetër paraqet periudhën e ndërtimit të socializmit. Masat në Turqi krahasojnë zhvillimin e tyre me tonin dhe shikojnë sa mbrapa kanë mbetur; ata kujtojnë kohën kur rronin në guva diku, andej në fund të Anadollit dhe u bie në sy shkëmbi me gropa, ku futen akoma njerëzit pa strehë nëpërmjet shkallëve më baltë. Të gjithë kemi lexuar romanin aktual “Mësuesi” që të bën të vësh duart në kokë për realitetin e hidhur në Turqi. Kur ata shohin filmat tanë dhe i krahasojnë me nivelin e tyre të zhvillimit, duket qartë ndryshimi ynë me gjendjen e tyre sot. Kur bien në kontakt jashtë me literaturën tonë ideologjike, nuk duan t’ia dinë për asgjë dhe çahen për ta blerë. Të ndjekim këtë rrugë, thonë ata, se kjo është rruga jonë. Në këto kushte, qeveria urdhëron që të mos blihen librat tanë, se u “futin zjarrin brenda”.


















