One Albania prej vitesh ka qenë në qendër të akuzave. Që pasi e morën hungarezët ka pasur mungesë shërbimi, qytetarët janë ankuar për mungesë interneti, sinjali, për rënie të serverit. Por teksa në Hungari pushteti ndryshoi dhe kompania mëmë e One Albania ndodhet përballë një furtune, hungarezët nxituan të rrisin tarifat në Shqipëri për të fituar më shumë.
Kompania telefonike “One Albania” duket se do t’ia hedhë paq për rritjen e papritur të tarifave.Teksa e gjithë bota po përballet me krizë financiare dhe rritje të çmimeve të naftës, One Albania nga muaji maj ka aplikuar tarifa të reja për shërbimet e saj duke u justifikuar me rritjen e inflacionit.Autoriteti i Konkurrencës nisi një hetim për rritjen e këtyre tarifave, por duket se nuk do të ketë asnjë ndëshkim, dhe pranohet që vetë kompania deri diku ka futur në kurth abonentët.Kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba tha se fajin e kanë qytetarët që nuk lexojnë kontratat. Sipas tij, në kontratat që të gjithë kanë firmosur me One e kanë të përcaktuar rritjen e tarifave në rast inflacioni.“Në kontratat përkatëse që qytetarët kanë nënshkruar, ndër ta me siguri edhe ne që jemi këtu klientë të One, në kontratën përkatëse që ne kemi firmosur, ju, unë, familjarët tanë që janë klientë të kompanisë One, parashikohet qartësisht, pavarësisht se me ato gërmat e vogla, në 3-4 faqe, që asnjë prej nesh nuk i lexon, mirë ose keq, që kompania ka të drejtën të indeksojë çmimet në rastin e rritjes së presioneve inflacioniste në treg”, tha Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës.Më tej ai deklaroi se do të merren masa në mënyrë që të përcaktohen kritere të reja mbi kontratat e kompanive celulare, por nuk doli garant, me argumentin se institucioni i tij nuk ka gjë në dorë.



















