Prof.dr. Eshref Ymeri/ Enver Hoxha, Mustafa Kruja dhe kolaboracionistët

908
Në mbrëmjen e 26 tetorit, kur u ktheva në Kaliforni me time shoqe, në tryezën time të punës në familjen e tim biri, gjeta librin me titull: “Çështja kolaboracionizëm e të tjera. T’i gjykojmë”. Autor i librit është intelektuali i shquar Mërgim Korça. Libri është botuar në një format të bukur, në kapakun e të cilit, në një sfond kuqezi, është shqiponja dykrenore. Ka një vëllim pre 519 faqesh dhe është botuar në Detroid në vitin 2014. Librin ma kishte dërguar kur unë ndodhesha në atdhe. Dikur, gjatë një letërkëmbimi me postë elektronike me inxhinier Mërgimin, pasi kisha ndjekur në internet disa studime shkencore dhe hulumtime të tij nga fusha e historisë, i pata shprehur dëshirën që ai t’i botonte ato si libra më vete. Por e vërteta ishte se unë nuk e dija që ai tashmë ato i kishte përmbledhur dhe botuar në libra dhe më pati premtuar se do të m’i dërgonte për t’i lexuar. Dhe ja, tani kam para vetes këtë libër mjaft interesant, të cilin e lexova brenda javës. Është një vepër shkencore që i bën nder historiografisë shqiptare. Ajo që më ka lënë mbresa të thella në këtë libër, është fakti që z. Mërgim Korça operon vetëm me të vërtetën, të cilën e ka yll karvani në punën kërkimore shumëvjeçare që ka bërë, për të siguruar të dhëna burimore që hedhin dritë mbi veprimtarinë e shumë figurave të shquara të kombit shqiptar, qoftë në periudhën para luftës, qoftë gjatë viteve të luftës dhe më pas, deri në ditët tona. Që gjatë viteve të shkollës dhe në universitet, fjalët “kolaboracionist” dhe “kolaboracionizëm” na ishin regjistruar në kujtesë si simbol i së keqes. Sepse propaganda komuniste i kishte identifikuar ato me fjalët “tradhtar” dhe “tradhti”. 
Analzia e Luftës së Dytë Botërore
Në këtë libër, autori ndalet gjatë dhe, mbi bazën e fakteve, analizon domethënien e këtyre dy fjalëve në realitetin shqiptar të viteve të Luftës II Botërore. Në këtë kontekst, me gjakftohtësinë e një studiuesi që qëndron i sigurt në truallin e së vërtetës, ai analizon veprimtarinë e dy figurave kryesore të historisë së luftës, atë të Mustafa Krujës dhe atë të Enver Hoxhës. Në vlerësimin e figurës së Mustafa Krujës, ai nuk niset aspak nga simpatitë personale, por nga vlerësimet që i kanë bërë personalitete të larta politike italiane të periudhës së pushtimit fashist të vendit tonë. Me këtë rast, autori citon Françesko Jakomonin, ish-mëkëmbësin e mbretit italian në Shqipëri, i cili, në librin me titull “Politika e Italisë në Shqipëri”, shkruan për Mustafa Krujën: “Në krye të qeverisë shqiptare duhej vënë një njeri, i cili, për të kaluarën e tij të ishte i njohur si një eksponent me autoritet i nacionalizmës shqiptare dhe gjithashtu për vendin e tij ta kish rrezikuar edhe jetën e tij. E, pra, ai njeri është Mustafa Kruja” (f. 141). Dhe më poshtë jepet vlerësimi i ministrit të jashtëm italian, kontit Çiano, për Mustafa Krujën, vlerësim ky që është bërë më 10 nëntor 1941: “… Jakomoni propozon ndryshimin e qeverisë në Shqipëri. Kruja në vendin e Verlacit. Kjo nënkupton një vazhdim lëshimesh drejt ekstremistëve të nacionalizmës shqiptare” (po aty). 
Kush ishte Mustafa Kruja?
Në vazhdim, autori hedh dritë edhe mbi ca fakte të tjera që nxjerrin në pah të vërtetën se ç’përfaqësonte në vetvete Mustafa Kruja, si një intelektual i shquar dhe një nacionalist i vendosur i kombit shqiptar. Ai shkruan: “Kur i propozuan drejtimin e qeverisë, Mustafa Kruja, ndërmjet shumë kushteve, paraqiti edhe kërkesën themelore që Flamurit Kombëtar t’i hiqeshin dy sëpatat e fashizmit (për anë shqiponjës) si edhe nyja e Shtëpisë Savoia (ndër këmbët e Shqiponjës), e në mes dy krenave të shqiponjës, lart të vihej përkrenarja e Skënderbeut. Kësisoj me kushtin që vuri Mustafa Kruja, Shqipëria tashmë, që nga shkurti i vitit 1942, si Simbol Kombëtar do të kishte Flamurin e Kastriotëve. Por kurrë përgjatë diktaturës jo që nuk u fol lidhur me këtë moment kyç të historisë sonë, ku u pa me fakte se qeveria Kruja po fillonte t’i vinte mirë sinoret mes shtetit shqiptar dhe shtetit italian, pa le të publikoheshin dy fotografitë, e para ku në emër të parlamentit shqiptar si edhe të qeverisë, z. Ekrem Bej Vlora lexon falënderimin për rivendosjen e Flamurit tonë Kombëtar, dhe e dyta, ku nga selia e Luogotenencës, në praninë e mijëra vetëve, nga ballkoni shpalosej Flamuri ynë Kombëtar i trashëgimisë patriotike (Të gjitha këto dokumente si edhe fotografi gjenden në Arkivin e Shtetit)” (f. 141-142). Pra, ja cili ishte Mustafa Kruja, që, me formimin e tij prej nacionalisti të shquar, bëri një kompromis, një kolaboracion me italianët, i cili, siç e nxjerr me shumë të drejtë në spikamë zotëria Mërgim Korça, ishte në shërbim të atdheut. 
Enver Hoxha dhe sllavwt
Po Enver Hoxha çfarë kolaboracioni bëri me sllavët? Autori ka nënvizuar me fakte se ai bëri një kolaboracion tradhtar, pra, në dëm të interesave kombëtare. Bazat e këtij kolaboracionizmi tradhtar të Enver Hoxhës u hodhën në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste të 08 nëntorit 1941, ku qe aprovuar një Rezolutë, të cilën e patën përgatitur paraprakisht Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Pikërisht në atë Rezolutë u mboll fara e antinacionalizmit dhe u theksua rreziku që vinte (për shovinizmin jugosllav, sigurisht) nga nacionalizmi shqiptar, i cili kishte si pikësynim ribashkimin e trojeve tona etnike në një shtet kombëtar. Autori i librit sjell një fakt mjaft interesant nga Plenumi II i Beratit që u zhvillua në periudhën mes 23 dhe 27 nëntorit 1944. Emisari jugosllav në atë plenum, Velimir Stojniçi, pati deklaruar: “Shqipëria jo që nuk e rrit dot ekonominë e saj, por as e zhvillon dot atë sepse imperializmi do ta gëlltiste;… e vetmja zgjidhje e saj është të bashkohet në një konferderatë me Jugosllavinë…” (f. 105). Ky ishte një poshtërim i rëndë që Velimir Stojniçi i bënte haptazi vendit tonë, por askush nga të pranishmit nuk pati burrërinë t’i tregonte vendin këtij emisari të shovinizmit jugosllav. Në vijim autori sjell një citat mjaft domethënës nga një fjalim i Enver Hoxhës, në të cilin zbulohet açik tradhtia e tij e hapur në shërbim të serbosllavizmit. Tre vjet më vonë dhe pikërisht më 15 dhjetor 1947, Enver Hoxha, i mbrujtur mirë tashmë me kolaboracionizmin tradhtar me shovinizmin jugosllav, në mbledhjen e Byrosë Politike del me këtë deklaratë publike, duke vazhduar poshtërimin e vendit të vet, sipas shembullit të Velimir Stojniçit tre vjet më parë: “Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejt bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë socializmin pa u bashkuar me Jugosllavinë…” (po aty). Kjo deklaratë përbën një akt të lartë tradhtie të Enver Hoxhës, të cilën, siç vë në dukje autori, edhe pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, historianët nuk patën marrë kurrë guximin ta botonin në faqet e librave të tyre. Në faqet e këtij libri, zotëria Mërgim Korça u ka bërë një homazh të shkëlqyer shumë figurave të shquara të kombit shqiptar, të cilat diktatura e egër komuniste e Enver Hoxhës i nxiu, i poshtëroi, i zhduku fizikisht apo i kalbi nëpër burgje dhe kampe internimi, duke vënë në jetë platformën antishqiptare të shovinizmit jugosllav për përçarjen e popullit shqiptar dhe për përplasjen e tij në dallgët e luftës civile dhe të luftës së klasave, pasojat e dhimbshme të së cilës vazhdojnë të jenë të dukshme edhe në ditët tona. 
Polemika me Haxhinaston
Në faqet e këtij libri bie në sy polemika e autorit me ish-kreun e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Haxhinasto, për problemin e Çamërisë dhe sidomos për punën e emërvendeve (toponimeve). Nga kjo polemikë lexuesi kupton dhe bindet se Tirana zyrtare, në qëndrimin ndaj Çështjes Kombëtare Shqiptare, vazhdon të ndjekë traditat antikombëtare të politikës së Enver Hoxhës. Një hapësirë të konsiderueshme në këtë libër e zënë polemikat që autori bën me disa historianë, të cilët, të edukuar dhe të brumosur në kushtet e diktaturës komuniste gati gjysmëshekullore, jo vetëm që nuk guxojnë t’i rishikojnë qëndrimet e tyre të dikurshme antishkencore, por kanë edhe kuturinë t’i mbrojnë ato në një mënyrë paradoksale edhe pas vendosjes së sistemit pluralist. Autori u bën thirrje këtyre historianëve të çlirohen nga vargonjtë e ideologjisë antikombëtare që mbolli dhe përhapi Enver Hoxha për shtrembërimin e fakteve historike dhe t’u kthehen dokumenteve arkivore. Sepse në këto dokumente prehen faktet e pakundërshtueshme për vlerësimin e mjaft personaliteteve të historisë së popullit tonë, emrat e të cilëve diktatura komuniste enveriane i mbylli në kasafortën e heshtjes së madhe. Por historianët e lartpërmendur jo vetëm që nuk reflektojnë ndaj thirrjes së këtij studiuesi dhe hulumtuesi të talentuar, por edhe i kundërvihen me pretekstin se z. Mërgim Korça nuk është historian dhe s’ka pse shkel në “sinoret” e tyre!!! Kjo është një kundërvënie mjerane. Sepse sot arkivat nuk janë më të mbyllura për dikë e të hapura për dikë tjetër, si në kohën e diktaturës. Të drejtën për të hyrë në ato arkiva për qëllime hulumtimi dhe studimi shkencor, e gëzon çdo qytetar i vendit tonë. Pikërisht hulumtime dhe studime të tilla ka bërë edhe autori i nderuar Mërgim Korça, i cili, me përgatitjen e tij erudite dhe me njohjen disa gjuhëve të huaja, nga faqet e këtij libri u ka folur lexuesve vetëm me gjuhën e së vërtetës, vetëm me gjuhën e fakteve, çka dëshmon më së miri për formimin e tij si një intelektual me horizont të gjerë kulturor dhe me vetëdije të lartë kombëtare.
Sigal