Kompania ruse do të ndërtojë një qendër të mjekësisë bërthamore në Serbi

165
Sigal

Kompania ruse në pronësi shtetërore, Rosatom, ka nënshkruar një marrëveshje për të marrë pjesë në ndërtimin e një qendre për shkencën dhe teknologjinë bërthamore në Serbi. 

Rosatom ka nënshkruar gjithashtu një marrëveshje për të krijuar një ndërmarrje të përbashkët me qeverinë serbe në zbatimin e projektit, tha kompania ruse në një deklaratë të enjten. 

Sipas marrëveshjes, brenda tre viteve të ardhshme, në Serbi do të ndërtohet një qendër e mjekësisë bërthamore, tha Rosatom. 

“Ne kemi nënshkruar marrëveshjen e cila e përfshin Serbinë në hartën e vendeve europiane që kanë një bazë për kërkime shkencore në teknologjinë bërthamore. Kjo do ta ndihmojë Serbinë të adresojë sfidat në kujdesin shëndetësor dhe kërkimet shkencore”. 

Qendra do të prodhojë radioizotope për qëllime mjekësore dhe industriale, silikon të dopuar për industri të ndryshme dhe materiale të ndryshme për qëllime kërkimore, tha Rosatom. 

“Ne kemi identifikuar hapat specifikë dhe një afat paraprak për zbatimin e këtij projekti, i cili përdor teknologjitë inovative bërthamore ruse. Kompleksi radiofarmaceutik dhe qendra e mjekësisë bërthamore do t’u ofrojnë qytetarëve serbë zgjidhje të teknologjisë së lartë mjekësore për të trajtuar mbi të gjitha, sëmundjet onkologjike. 

Projekti për ndërtimin e qendrës mjekësore bërthamore është zbatuar në kuadër të një marrëveshjeje ndërqeveritare të nënshkruar në vitin 2019, gjatë vizitës së presidentit rus Vladimir Putin në Serbi.