Iraku kërkon tërheqjen e plotë të forcave turke nga territori i tij

419
Iraku kërkoi sot një tërheqje të plotë të forcave turke nga territori i tij, duke vlerësuar se tërheqja e pjesshme e Ankarasë ditët e fundit ishte e pamjaftueshme. “Qeveria rikonfirmon pozicionin e saj, se është e nevojshme për Turqinë që t’i përgjigjet kërkesës irakiane për një tërheqje të plotë nga territori irakian dhe të respektojë sovranitetin e tij”, deklaroi në një komunikatë kryeministri i Irakut, Haider al Abadi.

Turqia kishte vendosur para disa ditësh një kontigjent prej 150-300 trupa dhe rreth 20 automjete të blinduara në kampin Bachiqa në veri të Irakut. Ankaraja e justifikoi këtë veprim si një përforcim të nxituar për të garantuar mbrojtjen e këshilltarëve ushtarakë turq të ngarkuar me stërvitjen e luftëtarëve irakianë në luftë kundër ISIS-it që kontrollon qytetin e madh të Mosulit. Por, Bagdadi e konsideroi këtë si një ndërhyrje ilegale.
Sigal