Shkolla “Skënder Çaçi” në ditën e parë të fillim vitit 2014-2015

2695
Sigal

Mëngjesi i djeshëm gumëzhinte nga zërat e fëmijëve. Ishte dita e parë e shkollës, ndaj sytë dhe mendjet e të gjithëve ishin drejtuar tek ata, këtë fillim viti shkollor. Fillimi i vitit të ri shkollor është fillimi i garës më të bukur dhe më të rëndësishme të njeriut. Është e vështirë kjo garë, por përcakton suksesin për garat e tjera. Me lule në duar për mësuesit e tyre, në shoqërinë e prindërve apo të gjyshërve, nxënësit mbushën oborret e shkollave. Plot me gumëzhimat e tyre u mbush edhe shkolla 9-vjeçare “Skënder Çaçi”. Në këtë ditë, shkolla kishte hapur dyert, ndërsa mësueset mirëprisnin me buzëqeshje nxënësit e tyre, duke u uruar “Mirë se vini, të dashur nxënës!”. Kjo shkollë ka arsimuar Kryetarin e Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, e shumë emra të tjerë të spikatur dhe falë punës së palodhur të stafit pedagogjik vazhdon të nxjerrë edhe sot nxënës shumë të mirë. Edhe nxënësi i shkëlqyer i klasës së katër Kristi Musai, me një tufë lulesh në duar për mësuesen e tij të dashur, mezi pret të fillojë mësimi. “Jam shumë i emocionuar dhe mezi po pres të dëgjoj tringëllimën e ziles për fillimin e orës së mësimit. Më ka marrë shumë malli për mësuesen time, aq shumë e përkushtuar në punën e saj. Më pëlqen mësuesja ime, shokët e mi, klasa ime, shkolla ime dhe jam shumë i lumtur që jam nxënës i shkollës “Skënder Çaçi””, shprehet për “Telegraf” Kristi i emocionuar.