Kola: Me dashuri dhe përkushtim do ia dalim mbanë dhe për këtë vit

Intervista/ Flet për “Telegraf” znj. Violeta Kola, drejtore e kopshtit nr. 19 Tiranë

Dita e djeshme ka qenë e veçantë, por dhe e vështirë për të vegjlit e kopshteve, sidomos për ata që vinin nga kujdesi i të afërmve të tyre në shtëpi. Por eksperienca e edukatorëve të kopshtit dhe e drejtuesve të tyre, i quajnë normale dhe kalimtare këto ditë të para, të trazuara për vogëlushët. “Ishte e vështirë për fëmijët, e vështirë për prindërit që “dorëzonin” shpirtin e tyre në duart tona, e vështirë ishte dhe për ne, stafin pedagogjik. Çdo fëmijë është specifik, ndaj dhe me çdonjërin prej tyre duhet të gjesh metodën e duhur për t’iu afruar e për t’i fituar besimin. Është shumë e rëndësishme që fëmijët, sidomos të vegjlit, të na besojnë dhe të mos na shohin si të huaj. Kjo do përkushtim, pedagogji, por mbi të gjitha, shumë dashuri. Të gjitha këto nuk i mungojnë stafit që unë drejtoj”, shprehet për “Telegraf” znj. Violeta Kola, drejtore e kopshtit nr. 19 Tiranë. Ajo mendon se me durimin, përkushtimin, eksperiencën dhe dashurinë e edukatoreve do t’i përballojnë më së miri këto ditë të para, të vështira për të vegjlit.

NOA

  Znj. Kola, si fillim ju uroj një vit të mbarë në punën tuaj dhe pyetja e parë, sigurisht, që i dedikohet më të vegjëlve të kopshtit. Si e kanë përjetuar ditën e parë të kopshtit grupi i parë i fëmijëve?

Faleminderit! E sotmja ka qenë një ditë e mbushur plot emocion. Sot ishte dita e parë për më të vegjlit e kopshtit. Kopshti ishte zbukuruar sot për ta. Edukatoret pritën me përkushtim dhe dashuri çdonjërin prej tyre. Por, nuk dua ta mohoj, që ka qenë dhe një ditë e vështirë. Disa prej fëmijëve vinin nga çerdhet, ndërsa të tjerë direkt nga shtëpitë. Shkëputja nga shtëpia është gjithmonë e vështirë, ndaj dhe pati shumë nga ata që nuk donin të shkëputeshin nga krahët e prindërve apo të gjyshërve të tyre. Ishte e vështirë për fëmijët, e vështirë për prindërit që “dorëzonin” shpirtin e tyre në duart tona, e vështirë ishte dhe për ne, stafin pedagogjik. Çdo fëmijë është specifik, ndaj dhe me çdonjërin prej tyre duhet të gjesh metodën e duhur për t’iu afruar e për t’i fituar besimin. Është shumë e rëndësishme që fëmijët, sidomos të vegjlit, të na besojnë dhe të mos na shohin si të huaj. Kjo do përkushtim, pedagogji, por mbi të gjitha, shumë dashuri. Të gjitha këto nuk i mungojnë stafit që unë drejtoj. Mendoj, se me durimin, përkushtimin, eksperiencën dhe dashurinë e tyre do t’i përballojmë këto ditë të para, të vështira për të vegjlit. Mendoj, se shumë shpejt ata do të kenë dëshirë të vijnë vetë në kopsht për t’u argëtuar dhe mësuar.

 A ka shumë fëmijë në kopshtin tuaj?

Sivjet në kopshtin tonë janë regjistruar gjithsej 180 fëmijë, të cilët janë të ndarë në 4 grupe. Në këtë fillim viti kam formuar dy grupe të reja, të cilat kanë dhe më pak fëmijë. Grupi i më të vegjëlve, për të cilët folëm më lart, ka 42 fëmijë. Ndërsa kam formuar edhe një grup tjetër të ri me fëmijë pak më të rritur, 4-5 vjeçar, por që dhe ata janë të rinj, pasi vijnë nga shtëpia dhe duhet patur një kujdes i veçantë dhe për ta. Grupi më i ngarkuar është ai i parashkollorëve me 52 fëmijë. Ndërsa është dhe grupi i cili do më shumë vëmendje, përsa i përket procesit mësimor, pasi ata parapërgatiten për të hyrë në klasë të parë.

 Po, sa edukatore ka një grup dhe a janë ato të mirëpërgatitura?

Janë dy edukatore dhe një punëtore për çdo grup fëmijësh. Të gjitha janë me eksperiencë dhe të zonjat në punën e tyre. Të 8 edukatoret që unë kam në staf janë shumë të mira. Shumica prej tyre janë edukatore me eksperiencë, ka dhe më të vjetra në këtë profesion, që dalin dhe në pension këtë vit. Për këtë vit, unë mendova që ato mësuese, që dalin në pension, t’i fus te grupi i vogël, sepse janë mësuar me fëmijët, dinë të sillen me ta, kanë më shumë eksperiencë. Ndërsa më të rejave u kam lënë në dorëzim grupin e parashkollorëve.

 Po, përsa i përket kushteve, si janë?

Njeriu nuk kënaqet kurrë, por gjithsesi, unë mendoj se kushtet janë të mira. Pastaj, për më tepër, ju e shihni dhe vetë…

 Tani sapo është freskuar pak moti, por dua të di se si bëhet ngrohja gjatë dimrit në kopshtin tuaj?

Ngrohja funksionon me kaldajë. Në rast se mbaron lënda djegëse, e alternojmë edhe me kondicionerët. Ne asnjëherë nuk i lëmë fëmijët pa ngrohje. Ndezim kondicionerët, deri sa të na vijë furnizimi me lëndë djegëse.

 Ushqimi a kontrollohet çdo ditë?

Dieta ushqimore është e pasur dhe me elementë të domosdoshëm për rritjen e shëndetshme për fëmijët. Ushqimi është i freskët dhe për më tepër i kontrolluar nga organet kompetente, por edhe nga vetë ne. Para se ushqimi t’u serviret fëmijëve, provohet një herë nga drejtuesja dhe më pas edukatoret. Ndërsa, për çdo vakt merret kampioni i ushqimit dhe ruhet në frigorifer me kavanoza sterilë, në rast kontrolli. Pastaj nuk mund të le pa përmendur dhe kuzhinieren e kopshtit, e cila gatuan shumë mirë dhe pastër.