Dr. Ndriçim Mehmeti/ Dita e parë për shtresat në nevojë dhe për qeverinë

515
Sigal

Në ditën e parë të shkollës, qeveritarët vrapuan të jenë në sytë e kamerave dhe mikrofonave në shkolla të ndryshme. Pamë e ç’nuk pamë, dëgjuam e ç’nuk dëgjuam, por sesi do t’i shkojë filli shkollës nuk dëgjuam! Në këtë ditë të lumtur për fëmijët, qeveritarët vrapuan të na thonë sesa të lumtur do të jenë fëmijët tanë, por edhe sesa të lumtur do të jemi ne prindërit e tyre. Në këtë ditë qeveritarët ishin mungesa më e madhe për:

Jetimët e lënë pas dore.

Përpara pak ditëve, me rastin e 10 vjetorit të krijimit të LSI-së, kryetari i Parlamentit Shqiptar, mjeshtër i shfrytëzimit të rastit për aktivitete, shkoi tek jetimët për t’u marrë me rregullimin e ambientit të tyre. I shoqëruar nga një shpurë të rinj e të rejash, me kova e mjetet e dyshuara, ai i premtoi drejtuesve të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”, se do të bënte gjithçka për t’ua lehtësuar jetën e kësaj kategorie. Dhe, në fakt, bëri shumë mirë. Do të bëjë shumë mirë, në rast se u çon më shumë fonde, qoftë edhe duke ia shkurtuar ndonjë shkolle. Nuk ka asgjë të keqe që një shkollë të presë edhe një vit, nëse paratë e destinuara për të, do të vihen në shërbim të lehtësimit të jetesës së fëmijëve. Megjithatë Kryeparlamentari Meta e ka rastin, të mbajë fjalën e tij. Në një postim të datës 15 shtator në FB shoqata “Jetimët në Fokus”, pasi uronte për fillimin e shkollës, shfaqte shqetësimin e saj të thellë, për mënyrën sesi filloi shkolla për fëmijët jetimë në disa rrethe të vendit. Më poshtë unë po e sjell ashtu siç është shkruar, postimin e znj. Albana.

 “Urime të përzemërta për të gjithë nxënësit që sot janë ulur në bankat e shkollës për të filluar vitin e ri shkollor. Jam ndjerë shume keq, kur në investigimet që bëra nëpër shkolla, kam parë fëmijë të shoqatës që unë drejtoj pa mjetet shkollore, duke filluar nga librat dhe deri tek stilolapsat. U interesova tek zyra arsimore, mos vallë ekzistonte ndonjë mundësi për t’i ndihmuar këta fëmijë me probleme. Gjithmonë përgjigje ironike. Ju bëj thirrje gjithë drejtuesve të shoqatave nëpër rrethe dhe kryesisë në qendër, të përcjellim zërin tonë fuqishëm, atje ku e ka vendin, në MINISTRINË E ARSIMIT. Gjithë këta fëmijë presin një zgjidhje nga ne dhe nga askush tjetër! T’i lëmë për një moment problemet dhe qejfet tona dhe të merremi me këtë problem madhor, arsimimin e fëmijëve, sepse ata janë e ardhmja jonë, e ardhmja e këtij vendi. Me respekt, Albana”.

Tani z. Meta ka rastin të thërras në një interpelancë urgjente Ministren e Arsimit dhe t’i kërkojë llogari nëse janë të vërteta këto lajme ose jo, nëse janë injoruar kërkesat për pajisje me mjete mësimore të kësaj shtrese apo jo, nëse janë identifikuar nxënësit e kësaj shtrese apo jo, nëse ka pasur një plan paraprak për këta nxënës etj.. Pastaj, me bujarinë që e karakterizon, Kryeparlamentarin dhe dashurinë e pakufishme të ministres së Arsimit, edhe këta nxënës të përfitojnë atë që në fakt e meritojnë dhe ua jep ligji prej kohësh: Tekstet shkollore, për të mësuar edhe ata se “fillimi i mbarë është gjysmë e punës”. Mirëpo, as Kryeministri, as Zëvendëskryeministri, as Ministrja, as Kryeparlamentari, as Bregasi, as Felaj, askush nuk iu qas jetimëve. Mbase, se nuk kishin për çfarë të mburreshin. Padyshim që me jetimët, nuk mund të rendisësh suksese të hatashme, nuk mund të flasësh për tableta, për mungesat që merren vesh on-line. Atyre u mungojnë librat, pale më, të kenë fatin për të përfituar salltanete të mëdha. Aty munguan edhe aktivistët e njohur të lëvizjeve qytetare, aty mungonin edhe ata që marrin rrogën, e ca më shumë se kaq, me çështjen e jetimëve.

Qeveritarët ishin mungesa e madhe tek: Fëmijët që ndodhen në spital

Ata nuk shpërndanë librat, as certifikatat e notave, as dëftesat e premtuara në pranverë të këtij viti nga ministrat Beqaj dhe Nikolla. Pse munguan qeveritarët? Nuk kishin çfarë të sillnin, apo u vinte turp nga premtimi i pambajtur. As njëra e as tjetra. Nuk e kanë për turp të mos mbajnë fjalën, por kërkojnë të japin sa më shumë spektakël. Këta soj qeveritarësh që ne kemi, e dinë mirë kur i duhet fytyra e ngrysur popullit, e kur i duhen fishekzjarrët. E pse duhet të mundoheshin deri në spitale? Për një grup të vogël kalamajsh?! Ne kemi shkollat në qendër të Tiranës. Aty vemi, krenohemi, flasim, bëjmë rolin e shakaxhiut dhe ikim. Pastaj punët ecin vetë. Për këta fëmijë e familjet e tyre, mendon Zoti. Natyrisht që ky i fundit nuk i braktis, por qeveritarët që Zotin e kanë për të mbuluar kusuret e tyre, nuk e kanë për gjë ta thërrasin e duan sa herë kanë nevojë për të. Sa për fëmijët në spital, do të kemi kohë të mendojmë. Ka më shumë rëndësi që në fillim të vitit shkollor të rendisim, sa më shumë arritje suksese. Ndërsa për vuajtje e të tjerëve do të mendojmë më vonë.

Po romët, ballkano-egjiptianët, të pastrehët kush i uroi për vitin e ri shkollor?

Kurrkush. Askush nuk u shqetësua nga njoftimet e TV, për mungesën e librave në shkollën “Naim Frashëri” në Korçë, për të njëjta probleme në Elbasan e Tiranë. Librat e premtuara falas, ende nuk kanë shkuar në duart e kësaj kategorie nxënësish. Prandaj, asnjë nuk shkoi dot në Korçë. Mbase z. Peleshi, është më i dhënë pas ekonomisë dhe “harroi” për një moment qytetin e tij, qyteti ku ka lindur arsimi. As prefekti nuk ishte në shkollën “N. Frashëri”, në Korçë, as kryetari i Bashkisë, që kishte premtuar s do t’i shërbente gjithë qytetarëve. Në fund të fundit, pse duhet të ketë kaq shumë rëndësi, arsimimi i romëve. Madje, jam i sigurt se një pjesë e sojit tonë të qeveritarëve mendojnë “sikur e kanë qejf shkollën ata. Edhe po t’u japim libra, do t’i humbin, ose djegin për zjarr. Kështu që si me to, si pa to, njësoj janë”. Prandaj nuk iu bë vonë asnjeriut në Elbasan, Sarandë, Delvinë, Gjirokastër e me radhë për këtë kategori fëmijësh. Me fëmijët romë ne do të merremi në rast se na shkul veshin Brukseli. Kjo kategori fakirësh, nuk ka dhe ndonjë shtet mbrojtës të fuqishëm, kështu që nuk e çan kokën kush. I vetmi presion mund të jetë Bashkimi Evropian, por deri atëherë kemi kohë. Të zgjidhim çështjen BSH, e pastaj ç’të ketë bërë Zoti kismet. Pra, Kryeministrit i doli nga mendja kjo punë e ormive, mistrec po e po, zëvendësit e saj kanë shumë punë, parlamentarëve jo. Po kush do të kujtohet për ta? Mbase edhe këta si jetimët, le t’i drejtohen Zotit për hallin që i ka zënë. Qeveritarët? Tani janë të zënë. Por pushtetarët nuk janë të vetëm në harresën e fajin e tyre. Këtu kanë fajin e tyre edhe shoqatat e romëve dhe ballkano-egjiptianëve, detyra e të cilëve është, pikërisht, mbrojtja e të drejtave të popullatës që përfaqësojnë. Megjithatë, nuk dua të ndalem shumë tek shoqatat, pasi ata që i zgjedhin dhe u shkojnë mbrapa, kanë për detyrë që t’u kërkojnë llogari. Po të pastrehët, pse nuk u vizituan nga pjesëtarët e qeverisë, që ndihmën ndaj të varfërve dhe drejtësinë sociale e kanë në ADN-në e programit dhe filozofisë së majtë. Apo, edhe për këta nuk kishin kohë. Atyre u mjaftonte edhe një fjalë e mirë në këtë ditë. Mbase shteti ynë i varfër (si gjithmonë mbetet i varfër, kur bëhet fjalë për detyrimet ndaj shtetasve dhe i pasur për majmërinë e pushtetarëve), do të sillte pak dritë në fytyrat e tyre të zbehta e të nxira nga zjarri i natës dhe puna në kazanët e plehrave, nëse u sillte një çantë modeste me librat për fëmijët e tyre. Por, edhe këtë, qeveria nuk e bëri dot. Nuk donte, i doli nga mendja, apo harroi? Asnjëra. Thjesht, nuk janë një sfond i mirë për arritjet qeveritare. Romët dhe ballkano-egjiptianët, janë për të kënduar kur është fushata, të varfrit për të na treguar lista kur kemi nevojë ne dhe pastaj fap u marrim votat e pastaj, s’na duhen më…….

Qeveritarë munguan në çeljen e vitit shkollor për të ngujuarit

Edhe këtyre fëmijëve që kishin pikëlluar zemrën e ministres e shumë të tjerëve, nuk iu shkoi askush. Atyre nuk u trokiti në derë, as drejtori i një shkolle, as drejtuesi i një Drejtorie Arsimore, pale më Kryeministër punëmadhi e Ministrja e gjendur me zemër e shpirt kudo. Edhe këta të mjerë i harruan. Edhe për ta mbaruan premtimet. Këta pushtetarë që betohen për kokën e tyre të fëmijëve, gjyshërve e fisit, se “do të vendosin ligjshmërinë në vend të paligjshmërisë”, se “koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund”, kanë rastin më të mirë për të treguar vullnetin e tyre të hekurt. Le t’i nxjerrin fëmijët në dritën e diellit e t’i çojnë në shkollë, le të tregojnë detyrimin minimal që ka një qeveri ndaj nënshtetasve të vet: Garancinë për jetën dhe mirëqenien që vjen në radhë të parë nga arsimi. Por, mesa duket, ministrja e Arsimit, ai i Brendshëm e mbi të gjitha Kryeministri nuk kanë këllqe për ta bërë këtë. Këta dhe gjithë qeveria, kishin shansin e madh që të mburreshin vërtetë me një gjë që bëhej për herë të parë: T’i hiqte Shqipërisë dhe shqiptarëve turpin e mësimit për të ngujuarit. Nuk ka asnjë mëdyshje që cilado qeveri, duhet të ulë kokën dhe të ndihet fajtore, që nuk arriti të bëjë diçka për këta njerëz, që janë pre e absurdit njerëzor dhe sehirit të qeverisë. Në fundin e fjalës pompoze të Ministres, e cila, pas krahëve kishte foton e I. Qemalit, shprehej se: “Do jem me ju në çdo orë e çdo ditë të jetës së shkollës”. Le të mos humbasë kohë e të shkojë së paku një orë (se mbase një ditë nuk ka kohë) tek të ngujuarit, fëmijët e sëmurë, romët etj. dhe t’i çojë në dyert e hapura të shkollës komunitare.