MASH: Rregullat për plotësimin e Formularit A1 dhe tabela me indeksin e profileve

521
Sigal

ZYRTARE/Publikohen rregullat që duhen ndjekur nga maturantët për plotësimin e formularit 

 ditë më parë Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka shpallur zyrtarisht të gjithë  koeficientet e shkollave të mesme dhe koeficientwt e lëndëve me zgjedhje. Këto koeficient do t’u vijnë në ndihmë të gjithë maturantëve që do të japin provimet me zgjedhje për Maturën Shtetërore 2013. Për t’u ardhur në ndihmë maturantëve Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar të gjitha tabelat e koeficienteve. Tabelat e koeficienteve si për shkollat, po ashtu edhe për lëndët me zgjedhje maturantët do të mund t’i gjejnë në fazën zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ndërkohë që ditën e djeshme janë publikuar nga ministria edhe formulari që do të plotësojnë maturantët on-line, tabelat me indeksin e provimeve, tabelën e krediteve për të gjitha lëndët.

Do të jenë vetëm dy provime me zgjedhje, të cilat maturantët do të mund të zgjedhin mes disa lëndëve. Në Maturën Shtetërore 2013 do të ketë disa ndryshime, duke filluar nga zgjedhja e lëndëve dhe deri të formula e llogaritjes së pikëve. Duhet pasur parasysh që çdo zgjedhje e maturantëve do të lidhet me dy kritere kryesore, koefiçenti i lëndës dhe koefiçenti i shkollës. Ministria e Arsimit bën me dije se këtë vit janë vetëm disa ndryshime kryesore që në përgjithësi ruajnë të njëjtin sistem si në vitet e kaluara sipas formulës meritë-preferencë.

Masat që do merren për mbarëvajtjen e provimeve

Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, çdo DAR/ZA duhet të dërgojë brenda datës 23 maj 2013 në Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP) emrat e nxënësve maturantë mbetës në përfundim të këtij viti shkollor, për t’u hequr nga lista e provimeve të Maturës Shtetërore. Për provimet e Maturës Shtetërore të ndiqen procedurat e përcaktuara sipas “Rregullores për procesin e Maturës Shtetërore 2013 në Republikën e Shqipërisë”, nr. 35 prot., datë 07.01.2013. Për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore të shfrytëzohen edhe mjedise të institucioneve të arsimit të lartë publik. Organizmi i konsultimeve me maturantët të kryhet sipas procedurave të përcaktuara në Urdhrin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr. 121, datë 25.02.2011 “Për organizimin e konsultimeve në ndihmë të nxënësve maturantë”. Teza e provimit “Gjuhë dhe letërsi greke” për shkollën e mesme pedagogjike të minoritetit grek të përgatitet nga DAR Gjirokastër. Tërheqja e testeve të provimeve me shkrim të Maturës Shtetërore të bëhet sipas grafikut të hartuar nga AKP dhe të miratuar nga MASH.

Zgjedhja e lëndëve me zgjedhje

Kandidatët, të cilët kanë dhënë provimet me zgjedhje vitin e kaluar dhe janë vlerësuar poshtë notës 4.5 do t’i mbartin provimet. Maturantët të cilët nuk janë kalues ose nuk kanë dhënë fare provimet me zgjedhje do të mund të zgjedhin lëndë të tjera për të dhënë në provime me zgjedhje, ndërsa ata kandidatë që kanë vetëm një lëndë për të dhënë do të mund të zgjedhin njërën nga lëndët e mëposhtme. Për ata kandidatë që kanë zgjedhur tri provime me zgjedhje do të ketë këto kushte: Kur kanë mbetur në një provim mund të zgjedhin një lëndë, kur kanë mbetur në dy provime me zgjedhje përsëri do të mund të zgjedhin një lëndë. Ndërsa kur kanë mbetur në te tre lëndët më zgjedhje do të kenë mundësinë të zgjedhin përsëri dy lëndë. Për kandidatët që kanë mbaruar para vitit 2006 shkollën e mesme do të njihen vetëm provimet e detyruara.

Provime e detyruara me zgjedhje dhe oraret

Provimet e Maturës Shtetërore 2013, të detyruara dhe me zgjedhje, të fillojnë në orën 10:00. Procedurat e hartimit të testeve të provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje përcaktohen në “Rregulloren për procesin e Maturës Shtetërore 2013 në Republikën e Shqipërisë”, nr. 35 prot., datë 07.01.2013. Testi për secilin nga provimet e detyruara të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (10 pikë gjithsej) dhe 10 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 30 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 40 pikë. Provimet e detyruara të zgjasin 2 orë 30 minuta secila. Provimet me zgjedhje të zgjasin 3 orë. Maturantët/kandidatët që do të japin provim të MSh njërën nga lëndët me zgjedhje, do të fillojnë provimin në orën 11.00 dhe do ta përfundojnë atë në orën 13.00. Ata do ta zhvillojnë provimin në mjedise të veçanta. Maturantët/kandidatët mbetës në provimet e Maturës Shtetërore kanë të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë.

Datat e provimeve për Maturën Shtetërore

Lëndët dhe datat e provimeve të Maturës Shtetërore të jenë:

a)Gjuhë Shqipe dhe letërsi 31 maj 2013

b)Matematikë    14 qershor 2013

c)Provime me zgjedhje 29 qershor 2013.