Berisha kundër Berishës

585
Sigal

Portieri i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, do të ketë përballë Valon Berishën e Norvegjisë

 Norvegji-Shqipëri, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Brazil 2014”, do të këtë edhe një sfidë të veçantë brenda saj. Madje midis dy lojtarëve kosovarë, të cilët mbajnë të njëjtin mbiemër: Berisha. Nga një njëra anë do të jetë portieri i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, ndërsa përballë tij,  mesfushori Valon Berisha i Norvegjisë. Etriti luan në Suedi me Kalmarin dhe tashëm ështëa shndërruar në portierin titullar të Kombëtares sonë (5 ndeshje), duke lënë në stol Samir Ujkanin. Etrit Berisha është nga Prishtina dhe nga korriku i vitit 2008 luan me Kalmarin (madje sezonin e kaluar shënoi dhe një gol me penallti). Valon Berisha luan me Red Bull Salzburgu në Austri, teksa me Norvegjinë ka tetë paraqitje. Berisha ka luajtur nëntë herë për U-21 të Norvegjisë, ndërsa është paraqitur edhe me U-19 e U-17. Berisha shihet si një ndër lojtarët e rinj më të mirë në Norvegji, teksa ka kryer disa prova madje në ekipet e Premier Ligës në një moshë të re. Me Norvegjinë ka debutuar në janar 2012. Vetë lojtari pat theksuar se ishte i emocionuar se do të luante kundër Shqipërisë. Në listën e Norvegjisë për ndeshjen me Shqipërinë nuk bën pjesë Ardian Gashi. 31-vjeçari luan me Helsingborgun në Suedi dhe në përfaqësuese ishte kthyer në tetor të vitit të kaluar pas shtatë vitesh. Shqipëria dhe Norvegjia janë takuar dy herë midis tyre, për kualifikueset e Euro 2000: 2-2, në Oslo (14 tetor 1998: për Shqipërinë shënuan Bushi dhe Tare, përpara se norvegjezët me dy gola në minutat e fundit), ndërkohë që takimin e Tiranës humbëm 2-1 (më 5 qershor 1999, goli i Tares për Shqipërinë). Në të dyja takimet trajner ishte Astrit Hafizi.

SKEDA

Emri: Etrit

Mbiemri: Berisha

Ditëlindja: 10.03.1989

Mosha: 23 vjeç

Pozicioni: Portier

Gjatësia: 1,93

Klubi aktual: Kalmar, Suedi

Vendlindja: Prishtinë, Kosovë

SKEDA

Emri: Valon Berisha

Mbiemri: Berisha

Ditëlindja: 07.02.1993

Mosha: 20 vjeç

Pozicioni: Mesfushor

Gjatësia: 1,78

Klubi aktual: RB Salzburg, Austri

Vendlindja: Malmoe, Suedi

 Valdet Rama, surpriza e Xhanit

Valdet Rama është grumbulluar nga Kombëtarja shqiptare e drejtuar nga Xhani De Biazi për ndeshjen kundër Norvegjisë dhe Lituanisë. Lajmin e dha portali spanjoll “Terra.es”.Real Valadolid ka tashmë një tjetër lojtar ndërkombëtar në skuadrën e tyre. Valdet Rama nuk ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm deri më tani në skuadrën spanjolle, por është grumbulluar nga Shqipëria për dy ndeshje ndërkombëtare. E para, është një ndeshje zyrtare e vlefshme për Kupën e Botës 2014, që do të zhvillohet në 22 mars kundër Norvegjisë, e dyta më 26 në një miqësore në Tiranë kundër Lituanisë. Rama ka luajtur deri më sot dy ndeshje me skuadrën bardhekaltër, në fillim me Betisin dhe më pas kundër Espanjollit, pa qenë në asnjë ndeshje titullar, por blerja e dytë e janarit për spanjollët, Rama, i shtohet listës së lojtarëve të Valladolidit që luajnë në skuadra kombëtare si Dani Hernandez, Sereno, Rukavina, Manuço. Shqipëria ndodhet në grupin E eliminator së bashku me Zvicrën, Norvegjinë, Islandën, Slloveninë dhe Qipron. Pasi kanë luajtur katër ndeshje, kuqezinjtë ndodhen në vend të tretë në klasifikim me gjashtë pikë, dhe ndeshja e Oslos është një ndeshje kyçe për të shpresuar deri në fund drejt një kualifikimi për Kupën e Botës “Brazil 2014”. Lorik Cana, kapiteni i Kombëtares shqiptare, e priti më gëzim lajmin e afrimit të Valdet Ramës në përfaqësuesen A. Loriku e uroi mesfushorin e Real Valadolidit përmes faqes së tij në rrjetin social “Facebook”: “Mirë se na vjen Valdet!”. Komentet ishin tepër të ngrohta për Ramën edhe nga tifozët shqiptarë.

PRURJET E DE BIAZIT

 Lojtari              Roli       Vendi ku luan

Etrit Berisha        portier    Suedi

Mërgim Mavraj        mbrojtës   Gjermani

Elseid Hysaj         mbrojtës   Itali

Alban Meha           mesfushor  Gjermani

Burim Kukeli         mesfushor  Zvicër

Armando Vajushi      mesfushor  Bullgari

Valdet Rama          mesfushor  Spanjë

Ledian Memushaj      mesfushor  Itali

Edgar Çani           sulmues    Itali

Armando Sadiku       sulmues    Zvicër

Bekim Balaj          sulmues    Çeki

Lorik Cana, mesazhe “dashurie” për Marsejën

 Olimpiku i Marsejës u lë një shije të veçantë të gjithë lojtarëve që kanë veshur në të kaluarën bluzën blu e bardhë të klubit francez. Lorik Cana, i cili la luajtur për Marsejën midis viteve 2005 dhe 2009, sot te Lacio në Serinë A, u shpreh përmes adresës së tij në rrjetin social “Twitter” në lidhje një rikthim të mundshme të Marseja. “Përse unë u largova nga Olimpiku i Marsejës? Unë nuk isha më në planet e trajnerit Deshamp. Një rikthim të Marseja nuk do ta refuzoja kurrë. Do të ishte një kënaqësi shumë e madhe të ribashkohesha me Olimpikun e Marsejës për klubin dhe tifozët. Atë që unë kam jetuar te Marseja, nuk e kam jetuar në asnjë klube tjetër”. Nga portalet franceze, deklaratat e Canës shihen si një mesazh dashurie për drejtuesit marsejez, atje ku Loriku mbajti dhe shiritin e kapitenit. Cana ka luajtur në Francë me Paris Sën Zhermenin dhe Olimpikun e Marsejës; në Angli, me Sandërlendin; në Turqi, me Gallatasarajin dhe tani në Itali, me Lacion.

KATEGORIA SUPERIORE

Mision i lehtë për Skënderbeun

 Skënderbeu do të përballet sot me Tomorin e Beratit, teksa skuadra korçare pritet të hedhë sot një tjetër hap të sigurt drejt fitimit të titullit të tretë rresht (2011, 2012, 2013) dhe të katërtit në historinë e klubit, përfshirë atë vitit të largët 1933. Lideri i kampionati kryeson me 42 pikë, 9 m shumë se Teuta që do të luajë të dielën në Vlorë me Flamurtarin e vendit të tretë, dhe diferenca ka të ngjarë të shkojë në +12 nëse durrsakët do të humbasin. Tomori është në vendin e parafundit, dhe kurrë nuk ka fituar një ndeshje jashtë Beratit gjatë këtij sezoni. Në aksion sot do të zbresin edhe çiftet Luftëtari Apolonia (ndodhen në zonën e rënies), si dhe Kastrioti-Shkumbini. E diela, përveç supersfidës Flamurtari-Teuta, ofron edhe Kukësi-Laçi, Besa-Tirana dhe Vllaznia-Bylis.

KATEGORIA SUPERIORE

Java XVIII

E shtunë, 9 mars 2013

Luftëtari-Apolonia   14:00

Kastrioti-Shkumbini  14:00

Skënderbeu-Tomori    17:00

E diel, 10 mars 2013

Kukësi-Laçi          14:00

Besa-Tirana          14:00

Vllaznia-Bylis       17:00

Flamurtari-Teuta           17:00

RENDITJA

1    Skënderbeu      17   +24  42

2    Teuta           17   +9   33

3    Flamurtari      17   +15  31

4    Tirana          17   +6   29

5    Kukësi          17   +4   27

6    Vllaznia        17   +4   26

7    Kastrioti       17   -2   25

8    Laçi            17   -2   24

9    Bylis           17   +3   22

10   Besa            17   -5   17

11   Shkumbini       17   -12  16

12   Luftëtari       17   -10  14

13   Tomori          17   -16  9

14   Apolonia        17   -18  8

KATEGORIA E PARË

Java XX

E shtunë, 9 mars 2013

Besëlidhja-Butrinti

Ada-Elbasani

Lushnja-Tërbuni

Partizani-Burreli

Kamza-Dinamo

Naftëtari-Iliria

Himara-Pogradeci

Gramshi-Mamurrasi

 Salihi, supergol dhe rekord në Kinë

 Një supergol! Një gol i klasit të lartë për nga ekzekutimi! Hamdi Salihi po shndërrohet në një fenomen futbollistik në Kinë. Sulmuesi shkodran shënoi golin e parë në fitoren 2-1 të Jiangsy Sainty ndaj Uallan Zar, në takimin e javës së parë të kampionatit kinez. Një gol absolutisht spektakolar, që do të kishin zili edhe lojtarët më të mëdhenj, pasi erdhi pas një kombinimi me tre pasime: Jiangsy Sainty fiton një top në mesfushë, sulmuesi i krahut të djathtë kroson në zonë dhe atje, “gjahtari” i lindur për zonën e 16-metërshit, zhytet në planzhon me kokë në gjysmëlartësie, duke dërguar një diagonale të ulët që, pasi përplaset me shtyllën e djathtë pingule pushoi në rrjetë. Gjithçka ndodhi në minutën e 56-të. Tre gola në tri ndeshje me Jiangsu Sainty, në tre kompeticione të ndryshme: Liga e kampioneve të Azisë, Superkupa e Kinës dhe Superliga e Kinës. Askush në Kinë nuk ka pasur një fillim të tillë. Më mirë se kaq, as sulmuesi i Kombëtares shqiptare nuk do ta kishte menduar. Golashënuesi i tre kontinenteve – Europë, SHBA dhe Kinë, – Salihi së pari ka bindur trajnerin e tij serb Dragan Okuta se, ai mund të jetë “asi” i bluve kinezë. Golin tjetër për Jiangsu Sainty e shënoi Ke Sun (66’), ndërkohë që për miqtë realizoi Li në të 69’.

TRE GOLAT E SALIHIT

 

LIGA E KAMPIONËVE TË AZISË

FC Seul-Jiangsu Sainty 5-1

SUPERKUPA E KINËS

Guanzhou-Jiangsu Sainty 1-2

 

SUPERLIGA E KINËS

Jiangsu Sainty-Vullan Zar 2-1

 

Telenovela “Golat e Sukajt”,në serinë e 11-të

Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj vazhdon të shënojë. Ai ka bërë këtë gjë edhe pasditen e djeshme, teksa ka dërguar topin në rrjetë dhe ka kontribuar në fitoren e skuadrës së tij Sepahan me rezultatin 2-0 ndaj Saba Qom. Ndeshja ka qenë e vlefshme për kampionatin iranian të futbollit. Sepahani luante në fushën e tij këtë herë dhe me nga një gol të shënuar në secilën pjesë ka arritur ta fitojë edhe këtë ndeshje. Në pjesën e parë, ka shënuar në minutën e 24-të Amin Jahan Alian. Në minutën e 74-të ndërkohë për të vulosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes do të mendonte Xhevahir Sukaj që ka shënuar duke i dhënë fitoren 2-0 Sepahanit.

Goli i djeshëm ka qenë i 11-ti në kampionatin iranian të futbollit për këtë edicion i 25 vjeçarit shkodran. Me fitoren e sotme Sepahani është ngjitur në kuotën e 56 pikëve duke mbajtur vendin e dytë pas Esteghlal Tehran (59).