Konflikti i interesit, zhduken emrat nga kopertinat, por jo teksti

580
Sigal

Skandali/ MAS publikon katalogun e teksteve shkollore 2014-2015. Altertekst-i pa Histori Shqipërie

 Vijon skandali me Altertekst-in. Edhe sivjet kjo reformë, rrjedhimisht dhe mbarë sistemi arsimor, mund të dëmtohet seriozisht për shkak të interesave klienteliste të autorëve të teksteve, por dhe të shtëpive botuese. Zhduken emrat e autorëve nga kopertinat, por jo vetë Altertekstet, duke mashtruar dhe duke ruajtur pozitat monopoliste në Altertekst. Hiqen emra tekstesh, por vetëm ato me tirazh të ulët dhe jo sipas një përzgjedhjeje me kriter cilësinë. Ndërsa vihet re heqja në bllok e alternativave të teksteve të Historisë së kl. IV, IX dhe XII, të cilat kanë në kurrikul Historinë e Shqipërisë.

Ashtu dhe siç ishte lajmëruar në mbledhjen me botuesit (në datë 10 mars), Ministria e Arsimit dhe e Sporteve publikoi në faqen e saj zyrtare Altertekst-in 2014-2015. Në Altertekst-in e ri të binte në sy heqja e disa titujve. Pra, botuesit e kishin mbajtur fjalën që i dhanë ministres, i hoqën vetë tekstet nga Altertekst-i. Në mbledhjen me shtëpitë botuese, ministrja Nikolla u kërkoi botuesve të rishikonin Altertekst-in, por “duke marrë në konsideratë vërejtjet e dërguara nga gjithë grupet e interesit: mësuesit, specialistet e fushës, inspektorët e arsimit, përfaqësuesit e drejtorive dhe zyrave arsimore në rrethe, etj.”. Ndërsa ishte Këshilltari i ministres z.Agim Leka që u kërkoi botuesve listën e teksteve “që doni të mbani dhe ato që dëshironi të hiqni” brenda datës 12 mars.

 Problematika e Altertekst

Për të mos qenë në konflikt interesi duket sikur ministrja e Arsimit me vullnet të lirë, edhe pse kishte disa vite që ishte pjesë e Altertekst-it, i hoqi nga qarkullimi tekstet, ku ajo dhe bashkëshorti i saj ishin autorë. Por në fakt nuk rezulton kështu. Në faqen zyrtare të shtëpisë botuese “Albas”, ku ka botimet e veta ministrja Nikolla së bashku me bashkëshortin e saj, duken fort qartë se cilat janë tekstet e matematikës që ka përgatitur për botim si dhe autorët e tyre. Ndërsa në katalogun e librit shkollor 2014-2015 shtëpia botuese “Albas” nuk i ka hequr nga qarkullimi të gjitha tekstet me bashkautorë Lindita Nikolla. Ende janë në qarkullim Matematika 7 dhe Matematika 9, ndërsa janë hequr Matematika 10/12. Por çuditërisht emri i ministres Lindita Nikolla është fshirë, duke lënë vetëm 2 bashkautorët e tjerë. Ndërsa dihet që në matematikat e kësaj shtëpie botuese, konsulent shkencor është bashkëshorti i ministres së Arsimit.

Të njëjtën gjë ka bërë dhe znj. Majlinda Hala, pasi ka qenë pjesë e hartimit të kurrikulës dhe pjesë e institucioneve ndërvarëse të MAS. Edhe znj. Hala zgjodhi rrugën më të shkurtër, por antiligjore, duke dashur në një farë mënyre të mashtrojë jo vetëm mësuesit përzgjedhës, por edhe MAS (ndërsa ministrja është vetë MAS). Nuk dihet nëse këto veprime i kanë bërë vetë autorët (me shumë gjasa që po) apo shtëpitë botuese që i botojnë. Ndërsa dihet presioni që u ushtrohet mësuesve nga autorët që janë të mbuluar me pushtet për të përzgjedhur tekstet e tyre.

 Ku qëndron ana antiligjore?

 Një tekst që ka fituar konkurrimin dhe është certifikuar me dy ose tre autorë nuk mund të dalë me dy apo vetëm me një. Entet botuese pasi marrin në Ministrinë e Arsimit programet mësimore, kurrikulat, për ato lëndë që MAS shpall konkurrimin, ngre grupet e punës së autorëve, harton tekstin brenda afatit ligjor, e çon për konkurrim pa emra autorësh (emrat e ekipit realizues; autorë, redaktorë shkencor dhe letrarë, korrektorët, dizajnët shënohen në një zarf të mbyllur dhe të dyllosur) dhe pa asnjë të dhënë tjetër, i ushtrohet një konkurrimi dhe nëse del tekst fitues certifikohet nga MAS me një numër ISBN-je dhe regjistrohet në Bibliotekë Kombëtare dhe në Altertekst. Pas kësaj çohet në shkolla në fazën e e përzgjedhjes, ku teksti fitues shoqërohet me certifikatën e shoqëruar nga MAS ku në këtë certifikatë janë të regjistruar dhe emrat e autorëve. Ky tekst nuk mund të pësojë asnjë ndryshim deri në momentin që teksti del nga qarkullimi ose Ministria e Arsimit ndryshon kurrikulat, pra teksti nuk mund të pësojë asnjë ndryshim, në asnjë emër të atyre që kanë realizuar tekstin.

 Altertekst-i pa Histori Shqipërie

Në Altertekst 2014-2015 të bie në sy heqja në bllok e alternativave të teksteve të Historisë së kl. IV, IX dhe XII. Këto tekste kanë si kurrikul Historinë e Shqipërisë. Disa nga botuesit shprehen për “Telegraf” se në mbledhjen e datës 10 mars, ministrja Nikolla u dha një gjysmë lajmi botuesve: “Është ngritur një grup pune në drejtimin e historianit Paskal Milo, ku mund të ketë dhe historianë nga Kosova për të hartuar një kurrikul të përbashkët për Historinë e Shqipërisë”. Botuesit, e kryesisht botuesi i “Albas” z, Latif Hajrullai, i kërkoi ministres të sqaronte se si do të hartohet teksti, kush do ta hartonte dhe cili ent botues do ta nxirrte në treg. Në fakt botuesit nuk morën asnjë përgjigje. Duke parë Altertekst-in 2014-2015 vërejmë se tekstet janë hequr në bllok, ndërkohë që në udhëzimin e MAS thuhet që tekstet duhet të jenë në shkolla në 20 gusht, por nuk ka dalë ndonjë urdhër tjetër për të shpallur konkurrimin për tre tekstet që mungojnë. Duke bërë një analogji me praktikat e mëparshme shprehen botuesit, sa herë që MASH kishte ndërmend të fuste tekste në konkurrim, edhe për interesat klienteliste, që në muajt e parë që fillonte viti shkollor, nxirrte kurrikulën dhe shpallte njoftimin për botuesit për datën e konkurrimit që kryesisht ka qenë muaji prill ose maj. Kjo do të thotë që botuesit kishin kohë që të hartonin tekstin, t’i nënshtrohej konkurrimit, të certifikohej dhe në shtator të ishte gati për nxënësit. Për analogji marrim Abetaren mbarëkombëtare, ku disa shtëpi botuese morën kurrikulën, iu nënshtruan konkursit me grupe të përbashkëta pune me autorë kosovarë dhe më pas doli teksti më i mirë fitues. Po për tre tekstet e Historisë së Shqipërisë si do të veprohet? Mos do të kemi një monopol të ri, kush do ta ketë? Mos ndoshta ky është shpërblimi për z. Paskal Milo, meqë nuk mori?

MAS: Çmimet e teksteve shkollore janë indeksuar me 1,9 %              

1. MAS i ka administruar vërejtjet dhe sugjerimet e bëra nga mësuesit për secilën prej alternativave.  Ajo ka krijuar mundësitë dhe kushtet që çdo botues të njihet në detaje me natyrën e vërejtjeve dhe ka kërkuar të reflektohet për to, duke bërë korrigjimet përkatëse në rishtypje. MAS i rezervon vetes të drejtën për të mos lidhur kontratën me botuesin për asnjë titull, ku nuk është bërë ndërhyrja e duhur.

2. Sipas shkresës së Institutit të Statistikave nr. 219/1 prot., datë 25.02.2014 çmimet e shitjes së teksteve për nxënësin janë indeksuar me 1,9 për qind, kundrejt çmimeve të mëparshme. Kjo shifër përfaqëson treguesin e inflacionit vjetor për vitin 2013. Rezultati pas indeksimit është rrumbullakosur në njëshe të plota, aq sa është prerja më e vogël e monedhës në përdorim.

3. Titujt, me botues të vetëm, për pakicat kombëtare, arsimin e mesëm  profesional, fëmijët e diasporës etj., do të pasqyrohen në një të veçantë që do të shpallet më vonë.