Mitro Çela/ Babai i ministrit të Financave

561
Sigal

Ditari i gazetarit (1998)

Një ditë shënëndreu 1998, Filipi, Koço Devole dhe Agron -Llakaj vendosën të nderojnë Gjermaninë me një vizitë pune… Sefteden na duhet një ftesë, – tha Koço…

– Nga sëkëlldia u nxjerr unë, – shtoi Filipi. Kam “gatuar” një shoqatë gazetarësh. Shef protokolli: Genc Tirana. Sevdalli seminaresh ndërkombëtare…
Brenda javës ftesa u bitis… Gozhda ngeci te paratë. Taksapaguesit gjermanë, me gjithë respektin për humoristët shqiptarë, që i donin më shumë se nuk i njihnin, e zgjidhën qesen për trinomin: ha-pi-fli!
– Po shpenzimet e transportit? – pyeti Koço…
– Kafshatë që nuk kapërdihet për rrogat tona,- tha Agroni.
– T’i zëmë miqtë me radhë, – tha Koço.
– Meksi? Dele pa qumësht. Ka rënë nga fiku… Nano?… Trokë. …Ende si ka marrë paratë e burgut…Pa thënë që harxhon edhe ndonjë kokërr leku në kazino…
– Eureka, – bërtiti Filipi. Njohim një burrë që e zgjidh qesen për ne: Arben Malaj, ministri i Financave. Nuk hollohet buxheti i shtetit për tre bileta!
…Dhe e ndalën vrapin te Visi, shefe e kabinetit. Ministri hapi derën. Pa folur i kuptoi mirë e bukur.
– Pas tre ditëve do të kini tre bileta!…
– Pse të lodheni, ju zoti ministër. Për ju, koha është flori… Ne i pranojmë edhe para… (Mbase del ndonjë qorr dhe bën skonto, – mendoi pa të keq Filipi.)…
-Jo dhe jo. S’ka para kesh. Ka bileta free!…
Ditën e caktuar, më shumë për të mos ia prishur Benit, të tre mbërritën në paradhomën e ministrit.
– Zoti Arben nuk është në zyrë… Mbrëmë i ka vdekur babai, – tha sekretarja me dy sumbulla lot në sy.
Duke zbritur shkallët, u dëgjua zëri i Koços:
– E po kjo hata e madhe! Nuk mund të gjente burri i botës një ditë tjetër për të mbyllur sytë? Zgjodhi pikërisht momentin për të sabotuar udhëtimin tonë?!…
– Ka vetëm një shpresë, – tha Filipi. Të shkojmë për ngushëllim në familjen e ministrit?…
– Me një kusht, – ndërhyri Goni. – Ti nuk duhet të flasësh asnjë fjalë. Ndryshe mua më mbyt gazi…
Në dhomën e burrave, mungonte ministri. Njëri pas tjetrit ngushëlluan vëllain. Zunë vend. Morën nga një cigare. Pasi lëshoi dy-tre shtëllunga tym, Filipi nisi kuvendin. Goni doli jashtë.
Filipi: – Ishte i mbajtur babai?
I biri: – Jo dhe keq! Sebep u bë pleqëria.
Filipi: – Me kujtesë, si ishte?
I biri: – Kujtesën e kishte të mirë!
Filipi: – Ju, ishit pranë, kur babai ndërroi jetë?
I biri: – Sigurisht. Vdiq në duart e mia…
Filipi: – Mban mend: La ndonjë porosi? Mos përmendi Gjermaninë?
I biri: – Pse Gjermaninë?!
Ndërkohë në dhomë hyri Beni. Vëllai i bëri me shenjë. I foli me zë të ulët… Ministri u kthye nga humoristët, u shtrëngoi dorën duke thënë:
– Ku është Goni?… Biletat i kini te sekretaria!… Rrugë të mbarë!