Shteti i dorëzoi mafias çelsat e portit

788
Sigal

“KURUM”, kompania e favorizuar nga qeveritë, nuk kryen asnjë punim riparues

Kantieri Detar i Durrësit, i vetmi kantier që do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve dhe arkivat e historisë së detarisë tonë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, kantieri detar që deri para 23 viteve mbushej me anije vendase dhe të huaja për riparime kapitale, sot  nuk i gjendet as nam e nishan. Madje edhe arkivat e ish-Kantierit Detar nuk dihet se ku janë, ndoshta nuk janë ruajtur ose janë djegur më e pakta,  nga pakujdesia. Kantieri Detar me një moshë afro 64 -vjeçare, kishte Dokun e tij, kishte specialistët e përgatitur jashtë shtetit, elektrovinçat e tij, kishte dhe një ofiçinë e cila ishte e vetme në llojin e saj në Ballkan. Ishte kjo arsyeja, që anijet malazeze, boshnjake, sllovene, kroate, italiane, greke dhe malteze, i besonin Kantierit Detar të Durrësit, riparimin e defekteve dhe ato kapitale në çdo 4-5 vjet. Pas vitit 1992, Kantieri Detar ka patur mjaft probleme, ka ndërruar  disa drejtues, ku spikaste interesimi dhe angazhimi maksimal i tyre për ta mbajtur “gjallë” dhe me 100 për qind aktivitet pune atë gjigand detar shqiptar, duke mos humbur asnjë shans për lidhjen e kontratave me agjenci detare, firma dhe kompani të huaja. Deri në vitin 1996, në Kantierin Detar të Durrësit, vinin anije pothuajse nga 24 vende të botës, dhe ishte i njohur për emrin e tij nga afro 105 porte të huaja. Por çfarë ndodhi me Kantierin Detar të Durrësit pas vitit 1996 e në vazhdim. Pas blerjes së këtij gjigandi detar nga kompanie e njohur  polake  me emrin “GDANSK”, nisën edhe problemet, duke nisur nga drejtimi tij, reformat e pastudiuara  profesionalisht, menaxhimin e tij, abuzimet me fondet dhe investimet, abuzime të cilat e denigruan Kantierin Detar deri në atë pikë, sa të  kërkohej një blerës me urgjencën më të madhe, sepse gjithçka po shkatërrohej. Stafi drejtues ishte mbyllur në zyra kurse përfaqësuesit  polakë të “GDANSK”, ishin larguar dhe merrnin informacione nga Durrësi për ndonjë blerës që ishte afruar. Dhe “blerësi” u gjend, ai ishte “KURUM”, që deri asokohe administronte  ish-uzinën e çelikut në Elbasan, dhe disa biznese dhe  resurse të këtij vendi. Kompania turke “KURUM”  ishte dhe u bë blerësi i vetëm i Kantierit Detar të Durrësit, duke  patur  asokohe edhe ndihmën dhe favorizimet e ish-qeveritarëve socialistë. Por edhe pse “KURUM” premtoi se “do të investoj në Kantier dhe do ta kthej atë në qendër të madhe detare  në Ballkan për riparimin e anijeve dhe trageteve”, sot e kësaj dite  atje  veç problemeve dhe rrënimit total, nuk ka patur asgjë tjetër pozitive.

 Skandali pa fajtor, mbytet  Doku  lundrues në 2010-n

 Doku lundrues ishte pajisja e rrallë që kishte Kantieri Detar në Durrës, ishte mrekullia dhe krenaria e tij, i vetmi i llojit të tij në Ballkan. Por një ditë të bukur, Doku  i vetëm që kishte  Kantieri Detar  dhe që e trashëgoi më pas edhe “KURUM”, u mbyt  në basenin e portit dhe duket se nuk kishte  gjasa të dilte  në sipërfaqen e ujit. Kjo pasi, ai  ishte  zhytur në thellësinë mbi 17 metra, dhe kishte një tonazh të rëndë, gjë e cila nuk  mundëson mjetet  që  dispononte  Kapiteneria Porteve  për ta nxjerrë. Prej afro 20 ditësh, grupi riparimit të avarive dhe emergjencave merrej me  operacionin e nxjerrjes së Dokut gjigand, që kishte një gjatësi prej 250 metrash dhe lartësi mbi 7 metra. Por dukej se  gjithçka ishte e kotë, pasi polumbarët dhe mjetet e disponueshme, nuk kishin  arritur ta nxirrnin dhe as ta lëvizin atë nga thellësia ku është zhytur. Tentativat e polumbarëve të Kantierit Detar, për nxjerrjen në sipërfaqe të Dokut të riparimit të anijeve duket se po dështonin  ndaj pritej ardhja e ndonjë mjeti të fuqishëm detar nga Italia, apo ndonjë shtet tjetër. E ndërsa Prokuroria e Durrësit, kishte  ngritur grupin e saj hetimor, edhe Kapiteneria  Portit Detar,  kishte ngritur një grup hetimor për të analizuar shkaqet e fundosjes, dhe  në bazë të hetimit do të përcaktoheshin  edhe “fajtorët e mbytjes” së Dokut lundrues-  deklaroi për mediat asokohe Kapiteni Bujar  Mersini. Drejtuesit e Kapitenerisë  deklaronin se, “ne e kishim bllokuar aktivitetin e dokut  qysh në vitin 2009, pasi paraqiste rreziqe për shkak të amortizimit  dhe mosriparimit të tij,  pasi po qe se, Doku do të ishte fundosur me anije në proces riparimi, kjo do  të kishte qenë katastrofë për portin kryesor të vendit”. Pas përfundimit të hetimit detar, turqit deklaruan se, “do të ftojmë ndonjë kompani të huaj të specializuar për nxjerrjen e anijeve të mbytura”. Një operacion i tillë kushtonte  shumë  asokohe- sqaruan në Kapitanerinë e Porteve Durrës. Kapiteneria e Portit të Durrësit, në bazë të ligjeve ndërkombëtare, kishte  ngritur një grup hetimor për të përcaktuar shkaqet e mbytjes së Dokut lundrues në Kantierin Detar. Bujar Mersini nga Kapiteneria e Porteve shprehej se “pas tentativave të dështuara të specialistëve të Kantierit  Detar për ta nxjerrë Dokun mbi sipërfaqe, Kapitaneria e Përgjithshme e Porteve Shqipëtare,  urdhëroi fillimin e procedurave ligjore për hetimin e kësaj ngjarjeje, kurse  specialistët do të bëjnë të njohura shkaqet e mbytjes së Dokut”. Pas këtyre përfundimeve Kapiteneria deklaronte se, “do ta detyrojmë pronarin e mjetit, pra “KURUM”  që ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme, në mënyrë që të mos jetë i rrezikshëm për basenin e portit detar”. Mendohej se shkaku i mbytjes së Dokut ka qenë një gabim njerëzor- sqaronin në Kapitanerinë e Portit të Durrësit. Duket se turqit i kishin  humbur shpresat për ta nxjerrë me forcat dhe mjetet e veta Dokun nga fundi i detit, ndaj   ata ju drejtuan  kompanive të huaja të specializuara në këto operacione detare. Por të tilla ndërhyrje kushtonin shumë do të deklaronin  specialistët e  e Kapitenerisë Portit Detar. Doku i Kantierit  Detar të Durrësit, kishte  8 muaj që rrinte i mbytur dhe  kur është nxjerrë nga deti, ai ju nënshtrua  një tjetër procesi, kësaj here prerjes dhe dërgimit të tij për skrap në furrat e çelikut të “KURUM” në Elbasan. Ky ishte një skandal që u mbuluan pa zhurmë nga qeveria asaj kohe. Ishte pikërisht kompania turke  “KURUM” , e cila e bleu Kantierin Detar , por që tashmë  Doku, krenaria e ish-Kantierit ishte mbytur dhe po pritej për skrap. Pas nxjerrjes në sipërfaqe të Dokut vijoi faza e dytë, prerja për skrap. Doku  lundrues, pas afro 65  vitesh,  ka përfunduar së funksionuari. Lundrimi i tij i fundit ishte në vitin 2008, por që nuk ka zgjatur më tepër se 500 metra, pasi ai u zhyt papritur në ujin e detit. Doku 250 metra i gjatë dhe lartësi 7 metra, shërbente për ngjitjen e anijeve nga deti në tokë ose e mban anijen në ajër nëpërmjet mekanizmave të tij. Kantieri Detar përfshin një sipërfaqe prej 120.000 metra katror në total, nga të cilat 80.000 metra katror janë në tokë dhe 40.000 metra katrorë në det. Dikur  Kantieri riparonte anije të madha e tragete dhe ishin të punësuar  afro 1500 vetë deri në vitin 1996. Kantieri  riparonte anijet e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit madje edhe Evropës. Me një ekuipazh prej dyzet vetash asokohe është kryer edhe  thellimi portit. Në Dokun e Kantierit Detar janë riparuar dikur edhe anijet oqeanike “Tirana”, “Vlora”, “Shkodra” dhe “Arbëria”. Me shumë vlerë ishte ngritja e repartit të prodhimeve të reja, sepse aty u realizua ndërtimi i shumë mjeteve detare deri në seri si anije pilotazhi, anije peshkimi, peshkatore, anije 500 tonëshe si  “Ali Kelmendi”, “Vjosa”, “Ylli i Kuq”, “Dajti”, “Bajram Curri”, “Beqir Nova”, “Adriatiku”, “Tomori”, tragete të ndryshme për zonat e liqeneve në veri, si dhe u projektuan e u prodhuan portat e H/C- ve të Veriut.  Në vjeshtën e vitit 2009, qeveria asokohe doli me një VKM, për kalimin e territorit të Kantierit  Detar në administrim të APD-së, në zbatim të masterplanit portual, duke ua dhënë turqve me koncesion terminalin e Kontejnerëve. Nga Kantieri Detar i Durrësit në vitin 1968, prodhohet anija metalike “Punëtori” dhe më pas lëshohet në det rimorkiatori i parë i prodhimit shqiptar “Debatik” me fuqi 1000 kuaj fuqi dhe gjatësi 32 m. Në vitin 1970 filloi riparimi i anijes 5000 tonëshe “Durrësi”, riparim, i cili tregoi aftësitë e rritura të Kantierit Detar, i cili po fillonte tashmë në nivelin e riparimit të anijeve oqeanike.

 Territori Kantierit, bëhet terminal tragetesh

 Pas afro gjysmë shekulli pune, duket se e ardhmja e Kantierit Detar në Durrës, do të ishte “shkrirja” e tij, dhe ndërtimi i një sheshi të ri të trageteve atje. Ishte viti 2006. Pronari që e  ishte firma turke “KURUM”, ka nisur  punën për evakuimin e pajisjeve të mbetura, kurse Doku ka mbi 10 ditë që ka përfunduar në fund të detit. Pronarët turq të kantierit e kanë pranuar ofertën e Ministrisë së Transporteve, sipas së cilës pala turke i dorëzonte APD-së territorin e kantierit në këmbim të marrjes më koncesion të terminalit të kontenierëve dhe të magazinave doganore që ndodhen aty. Marrëveshja ka nisur të realizohet gjatë dy ditëve të fundit, bëjnë të ditur burime nga Porti Detar. APD dhe MT, kanë marrë një territor afro dy herë më të madh se terminali i kontenierëve, e cila  është 80 mijë metra katrore, ndërsa territori detar 40 mijë metra katrore, kurse terminali i kontenierëve është 46 mijë metra katrore. Kjo marrëveshje do të zgjasë 25 vjet. Territori i Kantierit Detar  është pjesë e projektit të zgjerimit të terminalit të trageteve.

 Hekur nga Siberia në Portin  e Durrësit, viti 2010

 Mbetet një rebus i pazgjidhshëm dhe gjithçka enigmatike ardhja  shkarkimi dhe hermetizmi që pronarët turq të firmës “KURUM”  i bënin Kantierit Detar, pas shkarkimit të dhjetëra anijeve me hekur të ardhur nga porte ruse dhe vende te tjera te ish-BRSS. Një ish-drejtues i Kantierit Detar u shpreh për “Telegraf” lidhur me këtë informacion se “po është e vërtetë, mbyllja e dyerve, porositja dhe urdhri i dhënë rojeve me uniformë se, “asnjë gazetar dhe kameraman televizioni të mos afrohet tek dera e jashtme”, tregonte se ngarkesa e ardhur dhe veprimet janë dyshuese, duke nisur nga përbërja e  hekurishteve për skrap të cilat mund të kenë  dhe reflektojnë uranium në Kalatën Lindore .Ky hekur që përpunohej  nga punëtorët  e Kantierit Detar (ish-Gdansk, i blerë nga firma “KURUM”) nga burime konfidenciale mësuam se sillej nga Siberia e largët, i ngarkuar në portet e ndryshme të Balltikut”. Por pse pikërisht sillej në Shqipëri ky hekur dhe përse mbylleshin dyert e Kantierit Detar për çdo gazetar ? I njëjti burim deklaroi se “në atë periudhë janë shkarkuar dy anije me nga 3000 ton secila, dhe gjatë përpunimit të kësaj sasie hekuri, punëtorëve u janë shfaqur shqetësime serioze për shëndetin, që kanë të bëjnë me humbjen  e  ekuilibrit dhimbje gjymtyrësh e deri dhe njolla të errëta në trup, mendohet se këto shqetësime vinin nga që hekuri që vjen nga Rusia e Siberia me  lëndë radioaktive dhe përbërje  lëndësh të rrezikshme nuk kanë munguar dhe të tjera si lotim sysh, skuqje të tyre, etj.”. Kjo enigmë bëhet më misterioze dhe për faktin se, nga punonjës të administratës u ishte thënë punëtorëve që “të heshtin dhe të mos flasin për ngarkesën e hekurit që vjen nga portet ruse” madje u është thënë se “kjo do të jetë ngarkesa e fundit” kur në fakt nuk ka ndodhur kështu . Anije të tjera me hekur të ngarkuar me konteinier, por dhe  rifuxhio erdhën sërish. Hedhja e këtij hekuri në Kalatën Lindore në shesh të gjerë bëhej  rrezik dhe për të tjerët që punojnë afër saj e jo vetëm për punëtorët që kanë bërë vizita te  mjekët por arsyeja e këtyre shqetësimeve është mbajtur e fshehur prej tyre . Këto shqetësime punëtorët ua kanë bërë të ditur dhe punonjësve të administratës por ata kanë bërë të paditurin ndonëse mund ta dinë mirë se ç’përmbajtje kishte hekuri që sillej nga portet ruse dhe ukrainase. Vetëm bllokimi dhe acarimi i rrugëve të frymëmarrjes duhet t’i vinte në lëvizje drejtuesit e Kantierit Detar, ku shumicën e aksioneve e kanë përfaqësues  të firmës “Kurum”, punëtorët e së cilës në Metalurgjikun e Elbasanit kishin  dalë  në protesta për të mos e mbyllur aktivitetin, një paradoks në dukje por që ata mund t’i linte pa bukën e gojës. Para dilemave të tilla kanë qenë dhe ata të Kantierit Detar në Durrës, të cilët u ndodhën para stuhisë së protestave për shkurtimet nga puna dhe për mos pagesën e siguracioneve që Kantieri i detyrohej Degës së Sigurimeve Shoqërore në Durrës qysh nga viti 1999, me vlera që arrinin 600 mijë dollarë . Por duket se ndryshe nga ata të Metalurgjikut të Elbasanit, punëtorët e Kantierit Detar me të njëjtin emër “Kurum” i kishin vënë punët në “vijë” dhe  nuk kishin ndërmend  të  pezullonin aktivitetin. Por ata duhet të vlerësojnë seriozisht situatën e krijuar pas përpunimit të hekurit të sjellë nga portet lindore dhe në qoftë se shqetësimet e shëndetit të punëtorëve vërtet vijnë nga ato hekurishte, duhet të marrin masa që tani sa nuk është vonë .

 Pak Historik…për ata që tallen me pronat e shqiptarëve

 Kantieri Detar i Durrësit, ndër më të mëdhenjtë jo vetëm në Shqipëri, por edhe Ballkan, e ka nisur punën e tij qysh para 64 vitesh dhe vetëm në vitin 1954, ai ka mundur të riparonte dhe trajtonte defekte serioze te mjeteve detare, duke marrë gjithsesi një famë të merituar. Sipas shumë specialisteve dhe ish-inxhiniereve te Kantierit Detar, “shkatërrimi i tij ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit të bërë nga pala polake e Gdanskut, por edhe këto 3 vjet nga firma turke. Megjithë debatet dhe protestat e vazhdueshme prej 10 vitesh, duket se Sindikata e Pavarur e Kantierit, asnjëherë nuk do të mund të sigurojë të drejtat e veta. Sipas njërit prej ish-inxhinierëve të Kantierit Ardi Haxhihyseni “ndërmarrja me emrin e madh Kantier sepse ashtu ka qenë me të vërtetë, ka qenë krenaria e Shqipërisë, pasi atje janë riparuar anije qindra tonëshe dhe ndërtuar anije të tjera për nevojat e vendit, sot të vjen keq tek e shikon të katandisur si vend ku groposet hekuri i ardhur nga portet e tjera të vendeve ish-komuniste, por keq të vjen edhe për shkatërrimin e tij, dhe heshtjen e organeve të drejtësisë, të cilat nuk nxjerrin para përgjegjësive shkaktarët e shkatërrimit te tij”. Prej 14 vitesh në ish-Kantierin Detar që nuk ekziston  nuk ka asnjë anije,  territori i tij është kthyer në vend magazinimi për hekurishtet dhe llamarinat e ndryshkura, të cilat shkrihen në furrat e çelikut të “KURUM”.