Policia bën ”kërdinë” në rrugë, 68 të arrestuar dhe mijëra gjoba

228
Sigal

Nisur nga shtimi i aksidenteve fatale që kanë marrë jetë njerëzish, Policia Rrugore bën me dije se ka shtuar kontrollet duke përdorur mjete që nuk kanë logon e Policisë, dronë, kamera dhe aparate fotografike për të monitoruar çdo shkelje të mundshme. Kontrollet sigurisht nuk rezultuan të kota. 68 persona u arrestuan, ku 33 prej tyre drejtonin mjetin pa patentë ndërsa 35 të tjerë ishin të dehur.

Drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit, i’u ka hequr lejen e drejtimit 84 personave. Shpejtësia është një tjetër element i cili është ndëshkuar nga kontrollet e vazhdueshme të Policisë Rrugore. 398 leje drejtimi janë pezulluar pikërisht për këtë arsye. Përveç alkoolit dhe shpejtësisë drejtuesit e mjeteve në Shqipëri janë ndëshkuar kryesisht për:

parakalime të gabuara-2458
përdorim i aparatit celular-1444
mosvendosja e rripit të sigurimit-590
mospërdorimi i kaskës te motomjetet-512

Përmes një njoftimi për shtyp, Policia Rrugore apelon që të gjithë drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor ndërkohë që kontrollet e shtuara vijnë si pasojë e numrit të lartë të aksidenteve kohët e fundit. Referuar statistikave të INSTAT për 4-mujorin e parë të 2021-it, numri i aksidenteve rrugore është rritur me 35.6 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe nëse ndalemi tek pasojat e aksidenteve rrugore për të njëjtën periudhë numërohen 21 viktima më shumë.