Dekonspirohen telefonatat e pedagogëve të vënë në përgjim

622
Sigal

Denoncimi: 350 euro për një provim. Prokuroria nis hetimet, por janë dekonspirohen telefonat e pedagogëve të vënë në përgjim

Denoncimet e shumta për korrupsion në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” ka bërë që kohë më parë, Prokuroria e Elbasanit të nisë hetimin duke vënë nën përgjim me vendim gjykate dhe numrat telefonikë të disa pedagogëve të dyshuara, por për shkak të dekonspirimit, hetimi nuk ka ecur normalisht. Ky fakt konfirmohet dhe nga ekspertë të Krimit Ekonomik në rajon, por nuk saktësohet nëse dekonspirimi (njoftimi se telefoni përgjohet) ka ardhur nga ana e gjykatës(personel i saj), nga brenda organit të hetimit apo në rrugë të tjera. Zyrtarisht mësohet se nisur nga ky fakt si dhe nga rastet e fundit të denoncimit të korrupsionit nga pedagogë të veçantë në këmbim të provimeve (deri në 350 euro), Prokuroria ka rinisur hetimet në këtë institucion…

 AKUZAT PËR KORRUPSION

Edhe ky vit akademik, duket se nuk e ka zbehur njollën që ka marrë tashmë universiteti i Elbasan (kuptohet, jo i gjithë stafi) vitet e fundit. Jo në pak raste vitet e fundit, korrupsioni në këtë universitet, (dhe jo vetëm), ka qenë objekt i medieve pas denoncimeve nga studentë dhe segmente të tjera të shoqërisë. Megjithë, përpjekjet e shumta për ta denoncuar, duket se korrupsioni nuk ndalet pavarësisht, denoncimeve publike dhe në organet e hetimit. Këto fakte janë prezente prej kohësh dhe tek drejtuesit e institucionit, të cilët kanë premtuar “ndëshkim ndaj të korruptuarve”… Fakulteti Ekonomik, Cikli Ulët dhe Shkencat Humane në Universitetin “A.Xhuvani” në Elbasan, prej vitesh janë kthyer në vatra korrupsioni. Burime për gazetën thonë se një pjesë e pedagogëve e kanë kthyer në biznes mësimdhënien. Sekserët e tyre deklarojnë hapur se “nuk ka notë 5 pa dhënë lekët”. Madje, këto 2-3 vitet e fundit kërkojnë euro. Ky fenomen kaq negativ, u konstatua edhe gjatë sezonit të provimit të vjeshtës, ku sidomos, shumë studentë të part-time, por edhe ato me kohë të plotë, provimet i dhanë duke paguar sekserët apo direkt pedagogun e lëndës. Të njëjtat burime shtojnë se korrupsioni, dhe jo vetëm në këto fakultete të Universitetit të Elbasanit, është ngritur në sistem, pra funksionon një rrjet sekserësh, që lidhen me pedagogët… Mësohet se Prokuroria, prej kohësh, ka nisur dhe hetimet në këtë drejtim. Në organin e akuzës janë regjistruar shumë denoncime ndaj pedagogëve, aq sa  Prokuroria u detyrua  të ngrejë një grup hetimor dhe të nisë përgjimet e celularëve të pedagogëve të akuzuar qysh në vitin 2010. Përflitet se të dyshuar për marrje parash në këmbim të notave, janë jo pak pedagogë të këtij universiteti. “Madje në Prokurori janë depozituar edhe 7 regjistrime të filmuara dhe inçizuara nga ‘viktimat’ e pedagogeve, duke u dhënë paratë në lokale, zyra e fuoristrada”- shton burimi konfidencial për gazetën tonë… Marrja e pedagogëve me afera korruptive, duket se po i prish përgjithmonë imazhin Universitetit të Elbasanit.

ABUZIMI ME DIPLOMAT

Problematik mbetet edhe falsifikimi dhe shitja e diplomave, kundrejt shumave të majme, madje duke mos u paraqitur fare studenti në universitet. Prej vitesh, lidhjet e falsifikatorëve me pedagogë apo edhe zyrtarë të tjerë atje, mbeten të forta, aq sa, persona të ndryshëm nga rrethet, që sot janë kryetarë komunash, bashkish apo edhe deputetë, janë pajisur me diploma nga ky universitet, pa qenë asnjë ditë në shkollë, kundrejt  milionave të paguara nën dorë. Universiteti i Elbasanit, ka nevojë urgjente për reforma radikale, për largimin e kontingjentit të pedagogeve dhe dekanëve të korruptuar, që rrinë gjithë ditën mejhaneve, që po majmen  duke zhvatur studentët, dhe duke nxjerrë  breza mediokërish  nga auditorët. “Nëse ka dëshirë për të gjetur të vërtetën, kjo nuk është e vështirë. Ka dokumentacion ndër vite që po të hetohet, çojnë tek abuzimet. Po ka dhe dëshmitarë, pedagogë e punonjës të ndërgjegjshëm në këtë universitet që e njohin situatën”,- shtojnë burimet për gazetën në këtë institucion.

DEKONSPIROHET HETIMI

Hetimi i nisur muaj më parë, fokusuar në përgjimin e disa prej pedagogëve të universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, të dyshuar për marrje ryshfeti në këmbim të notave kaluese duket se ka dështuar. Kjo si pasojë e dekonspirimit. Është vështirë të verifikohet se ku dhe nga ku është bërë dekonspirimi, nga gjykatat *përfshi personelin( ku janë firmosur urdhrat e përgjimit, apo dhe nga organi (persona) n ë institucionet e hetimit.

Burimet nga Krimi ekonomik dhe Prokuroria e Elbasanit u shprehën se: “Për shkak të dekonspirimit, ky hetim është sabotuar. Megjithatë, gjatë muajve të pikut të sezonit të provimeve, nisur nga informacionet dhe marrja e denoncimeve nga ana e studentëve të universitet është vendosur nisja e hetimit”. Sipas të njëjtave burime, konfirmohet: “Hetimi ka nisur në bashkëpunim me drejtorinë e Policisë dhe u vendosën në përgjim një numër i madh pedagogësh, të cilët dyshohet se shpërdorojnë detyrën duke vendosur nota kaluese në këmbim të parave. Shumat që kërkohen për një provim variojnë nga 10 mijë në 30 mijë lekë, apo 150 deri 250 euro”.  Hetuesit u shprehen se “pedagogët , lista me emra e të cilëve është e gjatë, janë mbajtur nën vëzhgim për një periudhë më shumë se 60 ditë, por nuk është vendosur që të ketë të shoqëruar apo të ndaluar për akuzën e korrupsionit në universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Mësohet se, Prokuroria e Elbasanit ka vendosur të rinisë hetimet pasi disa studentë janë ankuar pranë këtij organi duke përmendur edhe emrat e sekserëve jashtë universitetit. Hetuesit thanë se: “Fillimisht hetimet për korrupsionin në universitet dështuan, e kjo ka ndodhur për shkak të dekonspirimit gjatë kohës së dërgimit të dosjeve për përgjim në gjykatë. Dyshimet lindin pasi dhe më parë, me gjyqtarë të Elbasanit, prokuroria ka hasur në kundërshti, për dosje të ndryshme penale edhe për pedagogë”. Burimet shtojnë se në lidhje me dosjen, e cila tashmë është depozituar me fakte e denoncime në organin e akuzës, “pritet që hetimet të vijojnë në një tjetër moment, ndërsa ka nisur bashkëpunimi me Drejtorinë e Policisë Elbasan”.

SITUATA NË UNIVERSITET

Njëherazi procesi i dhënies së provimeve pranë universitetit “Aleksandër Xhuvani” po mbahet nën mbikëqyrje të plotë. Qëllimi është zbutja në maksimum i fenomenit të mitmarrjes nga disa pedagogë të stafit akademik të UE. Nga informacionet që japin studentët apo të afërm të tyre, fakte këto që pritet të verifikohen nga Prokuroria e rrethit, për të marrë një provim studenti duhet të paguajë 150 deri 250 mijë lekë të vjetra për provim. Fakultetet ku shtrihen  hetimet janë ai Ekonomiku, Cikli i Ulët dhe Parashkollor, Matematikë-Fizika, Shkencat Humane, të Edukimit Fizik, Punës Sociale, etj. Prokuroria e  Elbasanit pavarësisht se hetimet e para u sabotuan, ka kërkuar bashkëpunim me Rektoratin për të zbardhur të vërtetën. Ardhja e Kontrollit të Lartë të Shtetit së fundi në Universitetin e Elbasanit, zbuloi mjaft skandale të tjera, qysh nga emërimet e paligjshme, fryrja e administratës me miq e farefis, deri tek abuzimi me fondet e investimeve, apo afera të tjera të dyshimta, të cilat do të bëhen publike në një kohë të afërt.