Tidita Abdurrahmani: “Nesër provimi për kualifikimin e mësuesve, ja kriteret dhe procedurat që duhen ndjekur”

1329
Sigal

INTERVISTA/Flet Drejtoresha e Institutit të Zhvillimit të Arsimit Tidita Abdurrahmani

Ditën e nesërme do të zhvillohet provimi për kualifikimin e mësuesve. Në këtë provim do të marrin pjesë të gjithë ato mësues, të cilët ditën e provimit kanë mbushur një eksperiencë pune 5- vjeçare, 10- vjeçare apo 20- vjeçare në mësimdhënie. Në lidhje me kriteret dhe procedurat e provimit të kualifikimit të mësuesve ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Drejtoresha e Institutit të Zhvillimit të Arsimit, Tidita Abdurrahmani. Zonja Abdurrahmani ka bërë të ditur se: “Provimi ka 70 pikë dhe 30 pikë të tjera mësuesit i kanë nga portofoli që vijnë nga drejtoritë rajonale të rretheve. 70 pikët që ka provimi janë të shpërndara midis formimit metodologjik dhe didaktik dhe formimit të përgjithshëm të mësuesve”.

 -Zonja Abdurrahmani, në datë 27 prill do zhvillohet provimi për kualifikimin e mësuesve. Sa mësues do të marrin pjesë në provim?

-Në provimin për kualifikimin e mësuesve që do të zhvillohet në datën 27 prill do të marrin pjesë 3915 mësues. Provimi do të zhvillohet në një ditë për të gjithë mësuesit që vijnë nga qytete të ndryshme. Mësuesit do të vlerësohen sipas lëndëve dhe profileve që ato kanë. Kualifikimi i mësuesve përfshin atestimin e mësuesve që janë në arsimin e mesëm dhe atë parauniversitar, ku kam parasysh arsimin bazë dhe arsimin e mesëm. Mësuesit vijnë nga drejtoritë arsimore me një numër pikësh ose siç quhet ndryshe portofol. Këto pikë janë nxjerrë nga vlerësimi që kanë bërë Drejtoritë Arsimore për dosjen e tyre, planin mësimor apo projekte kurrikulare të ndryshme. Po ashtu kanë vlerësuar edhe cv dhe certifikatat me kredite, ku kam parasysh edhe masterat apo doktoraturat që kanë mësuesit. Kështu mësuesit i nënshtrohen provimit, i cili ndahet në dy shkallë dhe që bëhet vetëm në Tiranë.

 -Konkretisht si është hartuar teza e provimit për kualifikimin e mësuesve?

-Po provimi është menduar që të jetë në dy pjesë. Pjesa e parë është pjesa e formimit metodologjik dhe didaktik të mësuesve. Kjo pjesë ka të bëjë me përgatitjet që kanë bërë mësuesit në lidhje me teknologjitë e reja, dhe metodat e reja që kanë hyrë. Po ashtu kjo pjesë ka të bëjë dhe me metodologjitë e reja që kanë të bëjnë me etikën, dokumentacionin mësimor, për komunikimin e drejtshkrimit. Pjesa e dytë është pjesa që ka të bëjë me formimin shkencor të mësuesve. Në këtë pjesë mësuesit do të vlerësohen në bazë të aftësive që ato kanë përgjithësuar në profilin e lëndëve ato japin.

 -Sa pikë ka në total testi për kualifikimin e mësuesve dhe sa pikë duhen për të kaluar këtë provim?

-Pragu i kalimit të provimit nga ana e mësuesve është diçka që vendoset dhe depozitohet nga komisioni, por nuk bëhet e ditur për mësuesit. Kjo është pjesë e procedurës. Ndërkohë që, mund t’ju them që provimi ka 70 pikë dhe 30 pikë të tjera mësuesit i kanë nga portofoli që vijnë nga drejtoritë rajonale të rretheve. 70 pikët që ka provimi janë të shpërndara midis formimit metodologjik dhe didaktik dhe formimit të përgjithshëm të mësuesve. Pra numri i pikëve që duhet për të kaluar provimin e kualifikimit, unë mund të them që është një prag që nuk e kemi deklaruar asnjë vit. Komisioni mblidhet një ditë para provimit, por nuk e anonçon asnjëherë mënyrën e vlerësimit që duhet për të kaluar provimin.

 -Si përcaktohen mësuesit që duhet të marrin pjesë në këtë provim?

-Po, në këtë provim marrin pjesë mësuesit të cilët ditën e provimit kanë mbushur një eksperiencë punë 5- vjeçare, 10- vjeçare apo 20 -vjeçare në mësimdhënie. Kjo gjë na përcillet nga drejtoritë arsimore pasi ato e kanë tërë regjistrimin e përvojës së mësuesve. Mësuesit klasifikohen sipas kësaj kategorie: Kategoria e tretë janë mësuesit që kanë 5 vjet eksperiencë, kategoria e dytë janë mësuesit që kanë 10 vjet eksperiencë dhe në kategorinë e parë futen mësuesit që kanë 20 vjet eksperiencë punë në mësimdhënie.

 -Para disa kohësh doli udhëzimi për kualifikimin e mësuesve për këtë vit, çfarë ndryshimet pati këtë vit?

-Risi e këtij viti është fakti që për herë të parë përfshihen certifikatat me kredite që mësuesit kanë marrë. Pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është një komision që është Komisioni i Akreditimit dhe Trajnimit. Ky komision akrediton modulet e trajnimit të aftësive trajnuese dhe mësuesit për herë të parë marrin pikë edhe për certifikatat me kredite për lëndë të ndryshme. Deri më tani ato kanë marrë pikë vetëm për certifikatat me kredite për lëndën TIK. Ndërkohë një ndryshim tjetër është edhe fakti i emërtesave. Mësues Mjeshtër, është kategoria e parë, pastaj është kategoria Mësues i kualifikuar.

 -Nga zhvillimi i provimit, pas sa ditësh dalin përgjigjet për mësuesit që i janë nënshtruar këtij provimi?

-Përgjigjet e provimit duan pak kohë për të dalë, sepse i tillë është procesi. Pasi ditën e provimit të gjitha provimet sekretohen, vlerësimi i të gjitha provimeve bëhet me teste të sekretuara nga grupe vlerësimi prej tre vetësh. Grupet e vlerësimit nxjerrin rezultatet dhe rezultatet i përcillen drejtorive arsimore, të cilat shpallin rezultatet. Kanë një periudhë ankimimi prej rreth pesë ditësh pas shpalljes së rezultateve, në të cilën mësuesit nga drejtoritë arsimore mund të çojnë ankesën e tyre për vlerësimin e testimit. Në rastet kur ka ankesa ngrihet përsëri një grup pune nga e para për rivlerësimin e testeve të mësuesve që kanë ankesa.