A duhet të japë dorëheqjen Kaçani?

661
Sigal

Ministria e Veliajt dhe Universiteti Politeknik heshtin, në lidhje me skandalin e diplomave dhe notave false

Ende rëndon në opinionin publik heshtja e institucioneve shtetërore mbi skandalin e diplomave dhe listave të notave të falsifikuara. Asnjë instancë shtetërore nuk bëhet pjesë e transparencës, edhe pse e kanë detyrim ligjor, kur bëhet fjalë për një pozicion publik, ku personi i emëruar është aty, pikërisht, falë falsifikimit të dokumenteve kryesore, të lëshuara nga një universitet publik. Dhe, për më tepër, kur bëhet fjalë për një institucion arsimor dhe të gjithë prindërit, me të drejtë, shqetësohen për drejtuesin e shkollës, ku dërgojnë për të arsimuar fëmijët e tyre. Ata kanë gjithë të drejtat e kësaj bote të dinë se kush po merr përsipër të edukojë fëmijët e tyre. Ky shqetësim, mbi falsifikimin e listës së notave dhe diplomës së Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin Politeknik të Tiranës, i ngritur që prej një muaji nga gazeta “Telegraf”, ende nuk ka marrë përgjigje nga institucionet shtetërore të përfshira në këtë skandal.

 Hesht Universiteti Politeknik

Së pari, kjo mungesë transparence vjen nga Universiteti Politeknik, si nga dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike prof. Andonaq Londo, ashtu dhe nga Rektori i këtij universiteti akademik Jorgaq Kaçani, të cilët përfaqësojnë institucionin që i janë falsifikuar dokumentet kryesore të tij. Edhe pse nëpërkëmbet serioziteti dhe besueshmëria e këtij institucioni të arsimit të lartë, të dy këta drejtues, Kaçani dhe Londo heshtin. Dekani dhe Rektori, në unison, kanë zgjedhur të mbulojnë drejtues me diploma dhe nota false në arsimin parauniversitar shqiptar. Megjithëse kemi një Ligj “Për të drejtën e informimit”, ne gjithashtu kemi dhe persona publikë të cilët nuk e respektojnë dhe e zbatojnë atë. Transparenca është detyrim ligjor për çdo institucion publik dhe për çdo funksion publik, i cili paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptar. Nuk mund të ketë justifikime në emër të mbrojtjes së të dhënave personale, se ekziston dhe e drejta e informimit. Kështu, nuk mund të refuzohet informacioni i kërkuar, në rast se ekziston një interes publik më i lartë për dhënien e tij, e sidomos kur kemi të bëjmë me një pozicion publik. Vetëm nëse kemi përfshirje të tyre në fabrikimin e diplomave e notave false.

 Hesht dhe Ministria e Veliajt

Hesht edhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, edhe pse zyrtarisht, është shprehur për gazetën se denoncime të ngjashme për të njëjtin drejtues shkolle ka marrë dhe ky dikaster. Madje, është pranuar nga MMSR, se i kanë dërguar Universitetit Politeknik, që në dhjetor të viti që shkoi, kërkesë zyrtare në lidhje me verifikimin e vërtetësisë së dokumenteve të lëshuara nga ky institucion i arsimit të lartë për drejtuesin e shkollës profesionale, por ende nuk kanë marrë një përgjigje. Personi në fjalë është drejtor i komanduar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, por meqenëse, ligjërisht, arsimi profesional ka kaluar, tashmë, në varësi të MMSR-së, edhe dosjet e punonjësve apo drejtuesve në institucionet e arsimit profesional po transferohen në këtë ministri. Edhe pse gjasat janë të shumta që të kemi të bëjmë me falsifikim dokumentesh të Universitetit Politeknik, ministria e Veliajt, duket se po rehatohet dhe nuk po gërmon më për të verifikuar vërtetësinë e tyre, edhe pse cenohet integriteti i një shkolle në varësi të kësaj ministrie, por për më tepër cenohet cilësia mësimore që ofron kjo shkollë dhe më të humburit, në këtë rast, janë fëmijët. A mos ndoshta janë të vërteta fjalët që qarkullojnë se drejtori i kësaj shkolle është i afërm i bashkëshortes  i një prej funksionarëve të lartë në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë?!

 Dy pyetje për Kaçanin

Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgaq Kaçani hesht, sa herë ka vend për të denoncuar një konflikt të hapur interesi (kujtojmë këtu që Kaçani është nga i njëjti fshat me drejtorin e shkollës për të cilin bëhet fjalë dhe, gjithashtu, ka qenë nxënësi i një të afërmi të tij). Gjithsesi, në kuadër të konfliktit të interesit, “Telegraf” ka dy pyetje për Kaçanin:

  1. Z. Kaçani, a është e vërtetë që gruaja juaj punon në Universitetin Politeknik? Përveç faktit që jeni 2 persona nga e njëjta familje në të njëjtin vend pune, kemi të bëjmë dhe me konflikt të hapur interesi. Ju, z. Kaçani nuk mund të bëni rolin e drejtuesit me gruan tuaj vartëse… Në këto rrethana, pse nuk keni kërkuar ose dorëheqjen e gruas tuaj, apo të jepni vetë dorëheqjen, siç edhe duhet të veprohet sipas ligjit në këto raste?
  2. Flitet gjithashtu se ju z. Kaçani, përsëri në konflikt të hapur interesi, keni punësuar si pedagog djalin e z. Andonaq Londo, dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike? Ne ju pyesim, se kur është punësuar nga ju, djali i z. Londo?