Harallamb Kota: “Sundimtari shqiptar”, Skënderbeu dhe dilemat serbe

856
Sigal

*studiues

 Autorë të ndryshëm bizantinë, e kanë vendosur Arbërinë në viset nga Kotorri deri në gjirin e Ambrakisë. Gjatë mesjetës, trojet e shqiptarëve janë emërtuar në këndvështrimin politiko administrativ të tipit Romania, Serbia, Bulgaria dhe Turqia, të cilat kanë qenë perandori të mëdha e të vogla dhe Shqipëria përfshihej brenda tyre. Përcaktimi i mësipërm duket i pranueshëm deri në cakun e kufijve gjeografik dhe politik. Por është tepër i gabuar kur koncepteve të mësipërme t’u  atribuohej një përmbajtje etnike. Është konkluduar me qëllime dashakeqe me pasoja mohuese dhe asimiluese, kur është shënuar që: Bullgaria etnike në shek XI fillon nga qyteti i Durrësit. Ky përcaktim është bërë në vitin 1096, nga kronistët e Kryqëzatës së Parë, të cilët e quanin Durrësin “fillimi i Bullgarisë”. Pushtimet sllave në shek. VI-VII, e ndryshuan thellë etnografinë e Ballkanit. Sllavët iu shmangën vendeve të Ilirisë Jugore, ose i prekën ato në mënyrë kalimtare. Gërmimet arkeologjike në Kosovë, Mali i Zi, Shqipërinë e Veriut, Epir etj., dhe dokumentet e shkruara të kohës, provojnë se ka pasur një vazhdimësi arbërore me periudhat e paraardhësve, ndërsa gjurmë të ngulmimeve sllave mungojnë ose janë të parëndësishme. Në shek XI, historiani Jireçek i konsideron enklavat shqiptare të Dalmacisë dhe Bosnjës, si mbeturina të një procesi të vazhdueshëm rrudhosje të popullsive të vjetra iliro-shqiptare. Sipas autorit të jetës së Stefan Nemanjës e burimeve të tjera, vendet e pushtuara nga serbët në vitet 1180, përkatësisht Dioklea dhe Kosova, u quajtën vende të huaja dhe qytetet e pushtuara,Ulqini,Tivari, Shkodra e Drishti u rrafshuan. Sipas kronikës, Zhupani i Madh serb, pasi theu armiqtë barbarë, bashkoi me Serbinë gjithë zonën e Nishit, Lipljanit, Moravës, Vranjës, trevën e Prizerenit, dy Pologët si dhe territoret fqinje me të, duke dëshmuar pushtimin e Dioklesë e Kosovës. Stefan Nemanja e pasardhësit e tij, spostuan qendrën e shtetit serb në këto territore, duke kthyer në kryeqytet sipas rastit, Shkodrën, Prizrenin apo Shkupin. Për rrjedhojë, qysh nga shek. XIII, Kosova dhe Dioklea (Zeta), përfshihen nën emrin “Serbi”, gjë e cila i atribuohet strukturës së re politiko-fetare. Për ti shërbyer pushtimit, kisha serbe e transferoi selinë e saj nga Ziça në Pejë, duke i dhënë shkas krijimit të shumë manastireve. Sipas burimeve kohore, disa fise të fuqishme si Gjurashët, Hotët, Piprët Tuzët, Shestanët, Kuçët, Grudët, Kastratët, Krajinët, etj., konsideroheshin fise shqiptare dhe popullonin qytetet Ulqin, Tivar e Budva. Prania e popullsisë shqiptare dëshmohet edhe përtej kufijve të Zetës, në veri të gjirit të Kotorrit.  Dëshmia e parë mbi gjuhën shqipe, daton në vitin 1285 e lidhet me malësinë e Raguzës, ku një person pat deklaruar se gjatë udhëtimit nëpër malësi, kishte dëgjuar dikë të thërriste në gjuhën shqipe, që provon se banorët e atyre anëve ishin shqiptarë. Në vitin 1346 Papa Klementi VI, deklaronte se këto vende banohen nga të krishterë me gjuhë të ndryshme. Dokumente të ndryshëm të shek. XIV e veçanërisht Kodi i Stefan Dushanit, i vitit 1349, dëshmojnë se mbretërit serbë ndoqën me këmbëngulje politikën e konvertimit me dhunë në ortodoksinë serbe, të atyre që quheshin “latinët” apo “gjysmëbesimtarët”. Ky proces shpjegon arsyen e përhapjes së emrave sllavë midis shqiptarëve, gjatë kohës së sundimit serb. Në vitin 1373, vëllezërit Balsha, ishin zotër vetëm të Kosovës, të cilën ja patën marrë mbretit serb Vukashin dhe vetëcilësohen “Zotër të Serbisë”, kur kronikat serbe i cilësojnë “sundimtar shqiptar”. Edhe sundimtar të tjerë të Kosovës, të kohërave të ndryshme mes tyre, Gjon Kastrioti mbajtën për shumë kohë titullin “Zot  i  Serbisë”, duke u cilësuar njëkohësisht sipas rasteve edhe si “Zotër në Viset Shqiptare”. Dokumentet e kohës puqen në një pike, pasi pohojnë se ata sundonin në një vend me popullsi shqiptare, duke lënë të kuptohet që Kosova konsiderohej si pjesë e trungut shqiptar. Të dhëna të shumta për praninë e etnosit shqiptar në Kosovë, shënohen edhe nga aktet e dhurimit të mbretërve serbë për manastiret Në këto dokumente, etnikoni “Arbëresh” ndeshet shpesh në këto territore me individë, bashkësi apo fshatra të tërë. Në këtë periudhe historike, në Prizren nëntë fshatra mbajnë emra qartësisht shqiptarë si Gjino-viç, Flok-ovc, Çap-arç, etj. Në aktet e manastireve serbe të Kosovës, në bllokun e borxheve të qytetarëve, rezultojnë emra kombëtar shqiptar si: Gjin, Gjon, Ded, Preng, Progon, Llesh, Leka, Bardh, Lul. Në raportet e Venedikut, Papatit apo Raguzës, bëhet fjalë për praninë masive të besimtarëve katolikë shqiptarë në qytete dhe vende rurale të Zetës, Kosovës dhe Maqedonisë. Duhet të kalonte shumë kohë që një qytetar shqiptar në vitin 1595, ta deklaronte qartazi, hapur, me zë të lartë kombësinë e tij: “Jam me kombësi shqiptare”. Ndonëse në këto treva ndeshemi ende me banorë të etnitetit shqiptar, procesi i asimilimit etnik në Zetë, Kosovë e Maqedoni nëpërmjet integrimit fetar të popullsisë, i cili bëhej më efikas kur shoqërohej me simbiozën e zgjatur serbo-shqiptare, solli ndryshime të dukshme në strukturën e identiteteve. Në vitin 1610, sipas dokumenteve të kohës, fisi i Kuçëve në Zetën e Poshtme, të cilët gjatë mesjetës njiheshin prerazi shqiptarë të ritit katolik, kishin pësuar një ndryshim të madh teksa ishin ndarë në katolikë e ortodoksë, duke përjetuar simbiozën shqiptaro-serbe. Megjithatë, etniteti shqiptar ishte gjerësisht i pranishëm dhe kjo provohet sipas një dokumenti të shkruar në vitin 1685 nga Pjetër Bogdani ku thuhet:“në krahinat e Kosovës, Zetës e Maqedonisë, fesë katolike i thonë për përkatësi feja e shqiptarëve”. Disa dokumente të tjera mesjetare bartin raste të antroponimisë sllave, ku një farë Dobrosllavi, nuk mund të jetë serb, pasi babai i tij quhet Gjin. Apo rasti i Pribisllavit e i Ivankos, të cilët ishin vëllezërit e Bushatit e të Lleshit. Këto raste e shumë të tjera, i kanë shtyrë studiuesit të dalin në konkluzionin se në vendet e Zetës, Kosovës e Maqedonisë perëndimore, kishte nisur procesi i sllavizimit të emrave. Burime greko-bizantine të shek. XIII e përfshijnë pjesën jug-perëndimore të Maqedonisë nën përcaktorin Iliria dhe e quajnë popullsinë e saj “barbarofone”. Në disa dokumente të shkruara nga kryepeshkopi i Ohrit Dhimitër Kamatjano më 1224, përmenden disa banorë me emra tipik shqiptarë si: “një pronar tokash me emrin Gjergj Skora, disa persona për çështje trashëgimie me emrat: Gjoni,Tanushi,Gjini dhe një grua e quajtur Kabasilina (Kabashi)” . Në vitin 1253, despoti i Epirit, Mihali II, Ëngjëlli, për të mbrojtur frontin e Kosturit nga sulmet e perandorit të Nikesë, mes komandantëve të kombësive të ndryshme që ishin në shërbim të tij, zgjodhi Gulamin, princin e Arbërit. Në vitin 1273, shqiptari Pal Gropa me titullin sebast, ishte zot i trevave midis Ohrit dhe Dibrës. Ndërsa vetë Ohrin e zotëronte një tjetër fisnik shqiptar Progon Sguro, i cili më 1285 ndërtoi kishën e Shën Klementit duke lënë mbishkrimin: “Progon Sguro ishte dhëndër i Perandorit bizantin Andronik II Paleolog”. Një prani e hershme e shqiptarëve është dëshmuar edhe në krahinën e Thesalisë veriperëndimore. Një dokument i vitit 1295 i qeveritarit Stefan Gabrielopulos, dëshmon: “vendet e  Thesalisë që kufizohen me Epirin, të ndodhura në rrethinat e Fanarit, banohen nga shqiptarë që kanë aty pronat e tyre. Ata jetojnë në vendbanime të qëndrueshme, që mbajnë emra shqiptarë si: Variboba, Mazrek, Muzakë, Loshadë, Malakas, etj. Mbi popullsinë shqiptare të Ohrit flet edhe Kantakuzeni në shek. XIV, i cili i quan viset e Devollit dhe të Kolonjës vende të shqiptarëve. Dokumente të Manastireve përmendin në shekujt XIV-XV pronarë tokash me kombësi shqiptare. Kantakuzeni rrëfen se në këtë pjesë të Thesalisë jetonin gjithashtu tre fise të mëdha shqiptare, Bua, Malakasi, e Mazaraku, që bënin gjithsej 12 mijë frymë. Në vitin 1378, Gropajt i zgjeruan zotërimet e tyre dhe qyteti i Ohrit ishte në duart e fisnikut Andrea Gropa, që qarkullonte monedhat e veta. Pikërisht në këtë vit, despoti i Beratit Andrea Muzaka, që ishte aleat i Gropajve, për shkak krushqie u bë zot i Kosturit. Një mbishkrim i vitit 1382 në kishën e Shën Athanasit, dëshmon se Kosturi vazhdonte të ishte në duart e Muzakëve edhe në kohën e trashëgimtarëve të tij. Shumë dëshmi historike të mëvonshme e përfshijnë Kosturin përherë brenda konceptit Shqipëri. Dokumentet historike të shek. XIV e quajnë Epirin një provincë shqiptare. Zotërit shqiptar të Epirit, Gjin Bue Shpata i Artës dhe Gjin Zenebishti i Vagenetisë, quheshin ndryshe edhe “Sundimtar në Shqipëri”. Edhe në dokumentet veneciane, popullsitë përballë Korfuzit konsideroheshin shqiptare. Sipas kronikës së Janinës dhe e Tokove, Epiri konsiderohej një “vend shqiptar”. Një dokument i çmuar i shek. XV pohon: “ashtu si në të kaluarën, edhe sot Epiri banohet nga shqiptarët, një race ilire, që jetojnë të shpërndarë ose të grupuar nëpër fshatra”. Regjistrimet osmane të vitit 1582 të provincave të Epirit, japin të dhëna të qarta mbi identitetin shqiptar të popullsisë vendase. Të dhënat e kancelarive perëndimore i konfirmojnë këto regjistrime dhe e identifikojnë Epirin me Shqipërinë dhe epirotët me shqiptarët. Pjetër Bogdani në shek. XVI,e quan Epirin “Shqipëri e Poshtme”. Të njëjtën terminologji kanë përdorur atë kohë gjeografët e kartografët evropianë. Në vitin 1555 Belon du Mans, pohonte se: “banorët e Epirit janë shqiptarë dhe gjuha e epirotëve është tërësisht e ndryshme nga ajo e grekëve”. Deri në çerekun e parë të shek. XIX, shprehet Prof. P. Xhufi, në veprën e tij historike me titull “Dilemat e Arbrit” f. 47, kur shteti grek ende nuk ishte krijuar, Epiri përfshihej nga vetë autorët grekë brenda nocionit etno-gjeografik të Shqipërisë. Kuptohet, për autorët evropianë Epiri ishte natyrshëm Shqipëri dhe epirotët ishin po ashtu shqiptarë. Sipas tyre, Shqipëria përfundonte në gjirin e Ambrakisë, pikërisht aty ku historianët e lashtësisë vendosnin kufirin ndarës midis epirotëve dhe grekëve. Akoma në vitin 1861, në studimin e tij mbi etnografinë e Turqisë evropiane, G.Lejean e cilësonte Epirin si krahinë të banuar nga popullsi shqiptare. Si konkluzion, përfundon Prof. P. Xhufi, mund të themi se: “Shqipëria etnografike në mesjetë përfshinte Zetën (Dioklenë), Kosovën, vendet e Maqedonisë Perëndimore, Epirin dhe brezin e Thesalisë që shtrihej në lindje të Pindit”.