Kozma Gjini: Në shtator 1956 u hap klasa e parë e gjimnazit të Lushnjës

871
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Vijon nga numri i kaluar…

Në vitet 1953-57 Llazar Prifti ishte drejtor në shkollën“Model” të qytetit të Lushnjës

A ishte vënë në shënjestrën e bandave mësuesi Llazar Prifti?

Janë dy raste që e dokumentojnë në kujtesën e të afërmve këtë gjë. Djali i madh i Llazarit, doktor Koli Prifti kujton: “Në një bllok të babait gjeta të shkruar këto shënime nga takimi që ai kishte patur me popullin e fshatit Shënkollas për situatën  në vitet e para të Pasçlirimit. Kuptohet që babai ishte i deleguar i zonës. Pyetjet ishin:

1.A jemi ne në luftë si shtet me Greqinë?

2.A është banda e Hamit Matjanit këtu në zonën tonë?”

Llazar Leksi Prifti

Rasti i parë:

“Zoi Ndonit, dajës së Llazarit, te Gropa e Shënkollit,i dolën përpara në pyllin e dushkut disa të panjohur:

-Ndal! Kush je ti?

-Zoi Ndoni jam,- u përgjigj Zoi.

-Ku po shkon?

-Në Divjakë, se ka lindur motra.

-Ta vrasim apo ta lëmë?-i kërkoi mendim dikujt nga pas ai që kishte armën.

Tjetri po vonohej në përgjigje. U dëgjua një zë pak më tej në pyll:

-Zoi është, Zoi. Kunati i Llazar Priftit…,atij që hap shkolla…,ai që është kryetar I Frontit të Divjakës.

-Jo, jo, mos e vra. Shkolla hap ai m… se mos kushedi çfarë bën?!

-Shko, shko, ik,-i thotë ai që kishte armën në dorë. Pastaj e paralajmëroi: -Dëgjo, or ti çuni i Gaqit:

-Po të lëmë gjallë, por ama, para se të shkosh në shtëpi, shko në komandën e fshatit dhe thuaju se këtu është Hamit Matjani!

Në shkollën “Model”

Rasti i dytë:

Ardhja e Llazarit me detyrë, nga zv/prokuror në Berat, në arsim në Lushnjë, ishte parë me dyshim nga reaksioni…Kur ishte në detyrën e shefit të arsimit të rrethit, Llazarit i duhej të kontrollonte si shkonin punët në shkollat e rrethit dhe gjendej sa në një shkollë, në tjetrën. Këto lëvizje të tij, në një klimë ende të mugët, kur bandat ishin vënë në ndjekje nga sigurimi i shtetit të sapoformuar, e kishin dyshuar Llazarin si inspektorin e arsimit që bënte edhe punë të tjera. (!) Një ditë, në pragmuzgu, një“bandit’, (të tillë do ta quajmë se ata dilnin në errësirë), shkon në shtëpinë e Ll. Priftit (emër e mbiemër ) dhe e kërcënon. Kur ky doli e dëgjoi se bëhej fjalë për libra, shkolla e nxënës, e mblodhi mendjen dhe i tha tjetrit, se nuk ishte as mësues, as nga Divjaka e as nuk e njihte personin që fliste ai..” Personi u tërhoq. Këto fjalë do të dilnin pas disa vitesh, kur banda do të kapej. Kuptohej: Ishte vënë në shënjestër mësuesi Llazar Leksi Prifti. Për këtë temë jetike të veprimtarisë së vet, Llazari kujtonte : “… Rrethanat ishin që populli të mësonte, por reaksioni e kleri bënin të kundërtën. Banda e H.M.shtrihej gjithandej, por mendoj se nuk ishte aq mizore sa bandat e Mirditës.Unë isha futur në lapsin e reaksionit, por qe fat që nuk rashë viktimë e tij.”

 

Një kujtim nga Dr. Koli, djali i Llazarit

Në shkollën e mesme në Tiranë kisha një shok, Gëzim Pepi quhej. Ishte në klasën e dytë. Për Gëzimin thoshin se  “e ka lënë babai jetim që  kur ishte i vogël. I ka rënë babai dëshmor”. Erdhi një herë babai im në Tiranë dhe Gëzimi, duke dalë, më tha:- Koli, do vish të dalim në qytet?

-Jo,-i thashë unë, se siç e shikon, më ka ardhur babai. Gëzimi po ecte drejt portës së daljes së shkollës.

“Ky djali e ka dëshmor babanë,-i thashë babait unë. Është jetim.”

Babai u mendua pak dhe më tha:

-Që nga është djali?

-Nga Kolonja e Korçës.

-Thirre djalin të vij pak këtu.

E thirra Gëzimin dhe ai u kthye, u afrua dhe takoi me babanë tim.

Babai e pyeti:

-I kujt je ti, more bir?

-I Mehmet Pepit!- tha Gëzimi.

Babai e rroku në qafë dhe pashë që i rrodhën lotët në faqe.

-E kam pasur shok Mehmetin, babanë tënd,-i tha babai im. -Për herë të fundit e kam takuar Mehmetin në vitin 1942. Kemi qenë shok në normale me Mehmetin babanë tënd, Haxhi Kroin, Kahreman Yllin, Josif Pashkon…

 

Llazar Prifti drejtori i parë i gjimnazit të qytetit

Në vitet 1953-57 Llazar Prifti ishte drejtor në shkollën“Model” të qytetit të Lushnjës. Një nga direktivat e planit të dytë pesëvjeçar 1956-60, ishte që në çdo qendër rrethi të hapeshin gjimnaze. Për Beratin dhe Fierin ishte bërë vendimi i ministrisë për hapjen e gjimnazeve,kurse Lushnjën e kishin lënë për një vit më vonë, me justifikimin se nuk kishte godinë dhe kuadër mësimdhënës. Dikasterin e arsimit në këtë kohë e drejtonin dy kuadro të luftës, Ramiz Alia, ministër dhe Kahreman Ylli, zv/ministër.(Më sipër kemi thënë se Kahremani, ishte shok në Normale me Llazar Priftin). Llazari e mbante shoqërinë me zv/ministrin. “Kahremanin unë e kisha shok , sepse kishim mbaruar bashkë shkollën Normale në Elbasan, shkruan në kujtimet e tij Llazar Prifti. Kahremani ka qenë një vit më përpara se unë. Hanim në një tavolinë dhe bisedonim e luanim si rini që ishim. Në qytet, një herë, po diskutonin këta të vjetrit e arsimit …se donin që fëmijët e tyre të vazhdonin gjimnazin, por gjimnaz këtu nuk kishte.

-Ti e ke mik Kahremanin,- më thanë shokët.- Bisedoje me të që të hapet edhe këtu gjimnazi. Një ditë, kur erdhi zv/ministri në qytet, duke pirë kafe, Llazari i tha:

-Pse nuk e hapni gjimnazin këtu në Lushnjë ju?

-Kemi Beratin dhe Fierin këtë radhë. Pastaj, ju nuk keni as godinë e as kuadër,-tha Kahreman Ylli.

Në këtë çast u hodh Llazari:

-Pse, nuk ta mbushim syrin neve, ty? Ne, me Normale jemi.

Kahremani i shikoi  një herë një për një  çunat që ishin aty pranë tij: Llazar Priftin, Andon Billon, Rexhep Ballhysën, Aleks Danin, Riza Ranxhin dhe foli:

-E merrni ju përsipër ta mbani gjimnazin?

-Si nuk e mbajmë!-qe e menjëhershme përgjigja e mësuesve.

-Mirë!-tha Kahremani.-Hapeni klasën e parë të gjimnazit.-Mua, kur të më krijohet mundësia do t’ju nis kuadër të ri. U tha u bë. Kështu, në shtator 1956 u hap klasa e parë e gjimnazit të Lushnjës. Kjo klasë e gjimnazit fillimisht u hap në godinën e shkollës “Model”, drejtor i së cilës ishte Llazar Prifti. U hap edhe gjimnazi i plotë pa shkëputje nga puna. Pra: drejtori i pare i gjimnazit ishte Llazar Prifti kurse nëndrejtor Rexhep Ballhysa (i cili kishte qenë mësues  në gjimnazin e Shkodrës|). “Në shkollën e mbrëmjes (në klasën e pare gjimnaz)  ishte nxënës edhe kryetari i Kom. Ekz të rrethit Sadik Koprenca, kryetari i Degës së Brendshme etj. Ndërkohë, në gjimnaz erdhi nga ministria një kuadër i ri, Shefqet Kraja, për letërsi, të cilin ua prezantova unë në klasë nxënësve”, shkruan në kujtimet e tij Llazari.

Më vonë, për arsye të gjendjes së rëndë shëndetësore, (ai jetonte me 25% të kapacitetit të mushkërive), Llazari emërohet drejtor i shkollës 7-vjeçare “Skënder Libohova” kurse drejtimin e gjimnazit e mori Shefqet Kraja. Më vonë, Shefqetin, i cili do të martohej me mbesën e sekretarit të parë të rrethit, Petraq Magjistari, e qarkulluan, sepse erdhën mësues të tjerë që nga Tirana.

Matura e parë e gjimnazit ka mbaruar në vitet 1956-60. Disa nga nxënësit e parë të gjimnazit ishin: Antigoni Papa, Evgjeni Bano, Eugjen Merlika, Gori Prifti, Kristaq Billo, Halil Jaçellari, Izet Shehu, Kadri Fishta, Halit Zeqo,  Luljeta Korreshi, Petrit Gega, Robert Çabej, Talibe Haxhiu, Robert Pisku, Vjollca Gjini etj.

Llazar Prifti deri sa doli në pension nuk hoqi dorë nga bindjet e tij dhe përkushtimin për revolucionarizimin dhe edukimin në shkollë. Vdiq i nderuar më 22 mars 1995.

Kryetari i bashkisë. z. Fatos Tushe  në prononcimin e tij për këtë mësues të spikatur të arsimit të trevës së Myzeqesë e më gjerë, do të shprehej: “Llazar Prifti është një figurë emblemë e qytetit. Ai ka dhënë një kontribut të çmuar për hapjen e shkollave shqipe në luftë kundër analfabetizmit dhe progresin e vendit. Këshilli bashkiak e ka vlerësuar personalitetin e tij duke i dhënë titullin e lartë  “Qytetar nderi”, si dhe një rrugë në qytet mban emrin e tij.”  Llazar Prifti mban  edhe disa vlerësime të tjera si:“Urdhër i Punës i kl. III”, “Urdhërin: Naim Frashëri” i kl II”, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, “Mirënjohja e qytetit të Divjakës” etj. Nderim për të gjithë mësuesit e këtij brezi që vunë themelet e shkollës shqipe