Ndahet nga jeta kreu i Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ, Rustem Peçi

483
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Rustem Peçi ishte ushtarak karirere, i kompletuar në arsimimin dhe kualifikimin e tij profesional

Ditën e djeshme, në orët e para të mëngjesit ka ndërruar jetë, pas një gjendjeje të rënduar shëndetësore, Rustem Peçi. Rustem Peçi ishte kryetar i Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ dhe gëzonte statusin e Veteranit të LANÇ. Lajmin e ka bërë të ditur në Facebook, Kryesia e Komitetit Kombëtar dhe familjarët. “Rustem Peçi ishte Kryetar i Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ – Nderi i Kombit! Shoku Rustem Peçi ishte ushtarak krariere, i kompletuar në arsimimin dhe kualifikimin e tij profesional. Gjatë jetës së tij aktive ai ka kryer me sukses e dinjitet detyra shumë të rēndësishme drejtuese në strukturat e ushtrisë! Shoku Rustem gëzonte statusin e Veteranit të LANÇ.

Ndarja e tij nga jeta la në pikëllim familjen e tij, por edhe miq e shokë, bashkëpunëtorë të panumërt në Organizatën Kombëtare të Veteranëve të LANÇ, të cilën e drejtoi me përkushtim ideal e dinjitet!” Në librin e Kujtim Boriçit “Oficerët shqiptarë, në rrjedhën e historisë” Rustem Peçi shprehet:

Ish-Komandant i Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve

Shkolla e Lartë e Bashkuar e “Oficerëve “Enver Hoxha”, të cilën unë pata fatin ta drejtoj për shumë vite, ka qenë dhe mbetet një nga institucionet elitare të shtetit shqiptar, ku përgatiteshin oficerë të devotshëm për kombin, ndërsa studentët ushtarakë dhe oficerët, që kanë dalë nga kjo shkollë, mbeten model i përkushtimit dhe sakrificës në mbrojtje të vendit. Ai institucion, ajo ushtri e kohës, ishin model dhe të përgatitur në çdo kohë për të mbrojtur territorin shqiptar dhe lirinë me çdo kusht, deri dhe në sakrificën më sublime, për flamurin dhe betimin ushtarak. Janë këto djem e vajza oficerë që ishin dhe janë shembull në Shqipëri e hapësirat mbarëshqiptare, që duke vlerësuar më shumë lirinë dhe interesat e kombit se sa jetën e tyre, jo vetëm e mbajtën Shqipërinë të paprekshme, por shumë prej tyre, luftuan me heroizëm ku disa dhanë dhe jetën, në luftën për çlirimin e Kosovës. Oficeret dhe oficerët tanë të përgatitur në shkollën ushtarake shqiptare, dhe sot janë në ballë të detyrave të vështira në fushën e mbrojtjes dhe atë të sigurisë së vendit. Po ashtu, të larguar nga Forcat e Armatosura nga të ashtuquajturat reforma, me inteligjencën, profesionin dhe ndershmërinë e tyre, janë thirrur dhe sot në pika kyçe si ministra, deputetë, kryeministra apo presidentë. Çdo fjalë dhe koment vlerësues për shkollën ushtarake “Skënderbej”, për Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve dhe Akademinë tonë Ushtarake, përballë gjurmëve të arta që ata kanë në historinë e ushtrisë shqiptare, mendoj se është i pa mjaftueshëm. Në këto institucione, krahas djemve tanë më të mirë, u përgatitën dhe u bënë oficere dhe vajzat tona. Unë, duke i njohur nga afër shumë prej tyre, duke i njohur në stërvitjet e shumta, gatishmërinë dhe drejtimin me kompetencë të reparteve e njësive të ushtrisë shqiptare, them se ato janë dhe mbeten heroina. Janë trimëresha, fisnike dhe në shumë aspekte, më shumë se ne burrat.

Çdo brez i vajzave oficere të përgatitura nga Shkolla e Bashkuar, çdo njëra prej tyre: oficereve trime e të afta, kanë përse të krenohen dhe të vlerësohen, pasi e meritojnë plotësisht, pa çka se dikush dje, por më shumë dhe sot, përpiqen t’i lenë në hije. Pikërisht për këtë, unë dua t’i falënderoj studentët e mi, bashkautorët e këtij libri, Kujtim Boriçin dhe Suzan Jahollarin. Ata kanë bërë e po bëjnë një punë të lavdërueshme me volumet e këtij libri për gratë oficere, pasi kontributi i tyre është i pazëvendësueshëm. Duke qenë shumë kohë në drejtimin e shkollës, që përgatiste dhe vajzat oficere, ruaj të freskëta shumë kujtime. Kujtimet lidhen me angazhimin për masa komplekse të jetesës, mësimit e stërvitjes së vajzave, në një mjedis tradicionalisht mashkullor; hartimin e programeve shkencore për çdo specialitet; ndërthurjen e përfshirjen e aktiviteteve të ndryshme shoqërore, kulturore e sportive brenda dhe jashtë shkollës; përballjen e një mentaliteti të trashëguar se ‘ushtria është për burrat e, jo për gratë’; përzgjedhja e trupës komanduese dhe pedagogëve nga më cilësorët dhe, deri tek zgjidhja në kohë e mënyrën së duhur të problemeve që ato kishin. Në këtë mënyrë, duke përmbushur këto detyrime dhe të tjera si këto, ne mundëm që të krijojmë atë bazë të shëndoshë që studentet ushtarake, të ndjeheshin të barabarta me kolegët e tyre djem dhe të bënin maksimumin për të fituar dije. Bile, studentet arritën jo vetëm të jenë të barabarta në rezultate me djemtë, pothuajse në të gjitha disiplinat, por në shumë aspekte ishin dhe më përpara tyre. Mjaft nga studentet që përfunduan këtë shkollë, pas diplomimit u bënë komanduese dhe pedagoge në këtë institucion, ndërkohë që dhjetëra prej tyre, arritën një karrierë të suksesshme në funksionet drejtuese e komanduese të reparteve e njësive ushtarake të vendit, përfshi Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Në vitet e dekadat që pasuan, edhe pse kjo shkollë paradoksalisht mbylli dyert, gratë oficere të saj kanë dhënë e vazhdojnë të japin kontributin e tyre në strukturat tona të Forcave të Armatosura, duke u përballur me dinjitet dhe me kolegët e tyre në shtete anëtare të NATO-s. Duke respektuar kontributin e grave tona oficere në të mirë të kombit, ne respektojmë së pari veten, por bëjmë dhe detyrën për t’ua bërë të njohur këtë kontribut brezave që vijnë. Ky libër që sot kemi në duar, është një hap i rëndësishëm dhe i munguar në këtë drejtim. Suksese autorëve dhe në volumet pasues. Mirënjohje grave oficere, trimëreshave fisnike të kombit!

Rustem Peçi për 29 Nëntorin:

“29 Nëntori, Dita e Madhe e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë dhe kolaboracionistët e tyre ballisto-zogistë  kurorëzoi fitoren e madhe të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që pa dyshim është epopeja më e lavdishme. Është epopeja më e lavdishme, sepse ajo jo vetëm çliroi Shqipërinë nga pushtuesit nazi-fashistë, por garantoi paprekshmërinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Sikur Shqipëria të kishte qenë atje ku u përpoqën ta çonin kolaboracionistët ballisto-zogistë, në anën e Boshtit Romë-Berlin-Tokio?! Rrezik që Shqipëria do të fshihej nga harta e Ballkanit. Për të gjitha këto 29 Nëntori, është dhe do të jetë në jetë të jetëve Dita e Bardhë, Dita e Madhe e Çlirimit dhe jo “Dita e zezë e pushtimit komunist”.

Degë e një lisi të lartë e hijerëndë

Kolonel Rustem Peçi është bir i shquar i Picarit të rrethit të Gjirokastrës, lindur më 5 shtator të vitit 1935. Është degë e një lisi të lartë e hijerëndë, siç ka qenë Shefqet Peçi, ish-komandant i Brigadës V Sulmuese Partizane, “Hero i Popullit”. Edhe pse i vogël në moshë, pionier, Rustem Peçi u aktivizua herët dhe gjallërisht në Luftën Antifashiste nacionalçlirimtare. Dhe nuk kishte, se si të ndodhte ndryshe. Jetonte në një familje, ku në bisedat e përditshme nuk flitej për pronë e pasuri, por për Atdhe dhe Shqipëri. Ndërsa i ati, komandanti ynë lab, siç është shprehur Dritëro Agolli, ngrinte peshë mbarë Labërinë për luftë kundër të huajve, Rustemi i ri, përfshihej e aktivizohej në Organizatën e Rinisë Antifashiste Nacionalçlirimtare të vendlindjes. Dhe përmes veprimtarisë së vetë konkrete, sikur donte t’u thoshte fashistëve dhe veglave të tyre: Jam jo thjesht djali i Shefqetit, por edhe biri i Atdheut.