Prof. Dr. Enver Bytyçi: Rilindja është një ndërthurje midis parave të krimit me arrogancën e pushtetit

445
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kemi një investim gjigand të qeverisë së Rilindjes për të korruptuar ndërkombëtarë e media brenda dhe jashtë vendit, me qëllim që të fshihet e vërteta

Prof. Dr. Enver Bytyçi, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke analizuar raportin e DASH 2020 dhe Transparency International thotë se  institucionet ndërkombëtare kanë paralajmëruar me kohë se në Shqipërinë e qeverisur nga Edi Rama sundon autoritarizmi dhe Ka një ndërthurje midis parave të krimit dhe të trafiqeve me arrogancën e pushtetit. Prof. Bytyçi pohon se qeveria e kryeministrit Rama investon për të korruptuar ndërkombëtarët, që ata të fshehin të vërtetën në Shqipëri dhe shembulli më i qartë është investimi i Presidentit të Serbisë që Rama të takohej me Presidentin e Francës. Duke skanuar fushatën e deritanishme elektorale, Prof. Bytyçi thotë se nga kryeministri Rama kemi një fushatë denigruese me fjalor dhe veprime rrugaçësh, ndërsa fushata e opozitës ngjall optimizëm, e cila është alternative që u jep shpresë shqiptarëve.  

“Me paratë e drogës e të krimit këtu te ne është blerë dhe shitur drejtësia e pasreformave, janë blerë pronarët e mediave, shoqëria civile dhe është krijuar oligarkia e sundimit, e dhunës dhe e skllavërimit të këtij populli”

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

– Prof. Bytyçi, Raporti i DASH 2020 dhe Transparency International, si asnjëherë tjetër, theksuan se partia shtet ( Rilindja e Kryeministrit Rama) ka kapur të gjitha nivelet e pushteteve, korrupsioni është i pandëshkuar.  Ju si e shpjegoni anashkalimin e tyre, derisa nuk kemi debat publik, si edhe heshtjen e institucioneve të Drejtësisë? 

– Raportet ndërkombëtare prej kohësh kanë konstatuar dhe paralajmëruar se në Shqipëri sundon një lloj autoritarizmi i krahasuar me atë të disa vendeve të Amerikës Latine. Ka një ndërthurje midis parave të krimit dhe të trafiqeve me arrogancën e pushtetit. Për më tepër kemi një investim gjigand të qeverisë për të korruptuar ndërkombëtarë e media brenda dhe jashtë vendit, me qëllim që të fshihet e vërteta. Por asnjë qeveri nuk mund ta blejë DASH dhe Transparency International. Me paratë e drogës e të krimit këtu te ne është blerë dhe shitur drejtësia e pasreformave, janë blerë pronarët e mediave, shoqëria civile dhe është krijuar oligarkia e sundimit, e dhunës dhe e skllavërimit të këtij populli. Kjo oligarki prej vitesh e ka pushtuar Shqipërinë. Kanabizimi është vepra e këtij pushtimi. Pushtuesit sillen si pushtues gjatë 3 viteve e 10 muaj dhe vetëm në dy muajt e fushatës elektorale bëjnë sikur janë “engjëj”!  Nuk ka ndodhur kjo me asnjë pushtues, përveçse kur shqiptarët kanë provuar pushtimin serb të shfaqrosjes së tyre! Ku t’i gjejnë shqiptarët pushtuesit gjermanë të Hitlerit krahasuar me këtë kastë politike në pushtet. Së paku gjermanët i kanë respektuar më shumë se kryeministri ynë jo vetëm shqiptarët, por edhe simbolet tona kombëtare! Kam botuar një libër mbi administrimin austro-hungarez të Shqipërisë në vitet 1916-1918. Kushdo që dëshiron të bindet se ky lloj pushtuesi i kohës së Luftës së Parë Botërore ishte më i mirë se pushtuesit e rilindjes së djallit, le ta lexojë atë libër dhe do të kuptojë diferencën e pushtuesve austro-hungarezë me pushtuesit rilindas.

“Presidenti i Serbisë ka investuar dhe është investuar fuqishëm që Edi Rama të mbetet në pushtet. Takimi i kryeministrit shqiptar me presidentin Macron u bë me ndërmjetësimin e Vuçiç, i cili mban lidhje specifike me Parisin”

Kryeministri Rama i dha jehonë takimit që bëri me Presidentin Macron në Paris, për të kultivuar përshtypjen se ka përkrahjen e liderit francez në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Sa e mbështetin kryeministrin Rama ndërkombëtarët?

– Rama ka mik Aleksandër Vuçiç. Presidenti i Serbisë ka investuar dhe është investuar fuqishëm që Edi Rama të mbetet në pushtet. Takimi i kryeministrit shqiptar me presidentin Macron u bë me ndërmjetësimin e Vuçiç, i cili mban lidhje specifike me Parisin. Mos harrojmë se i vetmi vend europian, me të cilin Shqipëria e diktaturës komuniste kishte lidhje të ngushta ishte Franca. Arsyeja: Ishte një qeveri, të cilën e mbronte Serbia, e donte Beogradi dhe e mbështeste po ashtu Jugosllavia. E njëjta gjë ndodh edhe me Ramën. Kushdo që në Shqipëri vjen në pushtet do të mbështetet fuqimisht nga Parisi nëse ai do të marrë liçensën e miqësisë me Beogradin! Kaq e thjeshtë është!

– Prof. Bytyçi, është rastësi, që kryeministri Rama kritikon shpesh Bashkimin Europian për çdo problem të Shqipërisë, edhe pse Shqipëria ndodhet në fazën e negociatave për anëtarësim? 

– Kryeministri i Shqipërisë do të kritikojë ndonjë ditë edhe Zotin, nëse ai nuk do të gjejë dikë ose një mundësi për ta shkarkuar përgjegjësinë e tij për qeverisjen e vendit. Vetëm përgjegjësi ai nuk di e nuk do që të mbajë! Eshtë unik edhe në këtë pikëpamje. Ai nuk ka bilanc. Bilanci i tij është kritika dhe fyerja e BE-së, opozitës, medias, nëse ndonjëherë e “tepron” me kritika ndaj tij.  Ai është i gatshëm të shajë edhe pjestarët e familjes së tij, madje dhe Zotin, mjafton që të justifikohet për gjendjen katastrofike në të cilën gjendet Shqipëria, demokracia dhe integrimi i saj. Ai e ka çvendosur trajektoren e integrimit nga Brukseli te minishengeni i Beogradit. Ai nuk njeh asnjë dështim të vetin. Për Edi Ramën ka dështuar Bashkimi Europian, ka dështuar opozita, kanë dështuar shqiptarët, për të cilët thotë se “nuk shohin te ai Jezukrishtin”! Por nuk paska dështuar qeveria e tij korruptuar, më e korruptuara në historinë e shtetit shqiptar.

“Kemi një fushatë denigruese, me fjalor dhe veprime prej rrugaçësh. Si mundet që një kryeministër i një vendi t’i thotë një gruaje të ndëruar se “Kaun nuk do ta sjell për ty, por për lopën”! Ku është parë e dëgjuar kjo hata?! Ose t’u nxjerrë gishtin e mesit të rinjve!”

Përfundimisht, Shqipëria dënohet nga Gjykata e Arbitrazhit që t’i paguajë Beketit 110 milionë euro, dëmshpërblim. Kohë më parë u dënua t’i paguajë “Aktor” 40 milionë euro për prishje kontrate të njëanshme, 100 milionë euro KURUM, si edhe 160 milionë euro AKËRNON për parkun Diellor. A mund të hesht Drejtësia shqiptare, për këto  shpërdorime qindra milionë euro nga qeveria, kur ndërkohë 38 mijë shqiptarë u burgosën pse nuk paguajnë  dot faturat e dritave dhe ujit?

– Lajmi për marrjen e vendimit përfundimtar për të dënuar Shqipërinë me 118 milion euro, për shkak se Erion Veliaj dhe Engjëll Agaçi, me autorizim të Ramës donin ta ndryshonin politikën editoriale të Agon Chanel është alarmues për ne shqiptarët! Shqiptarët do të paguajnë miliona euro edhe për arrogancën e qeverisë së tyre me kompani të tjera, si Kurum, Akërnon etj.  Kjo dëshmon se ne kemi pasur dhe kemi një qeveri jo vetëm të korruptuar e kriminale, por krejt të papërgjegjshme. Qeverisja e saj ishte dhe mbetet deri më 25 prill një qeverisje gangsterësh, të cilër mburren me akte dhe vendime kriminale të tilla! Ndryshe do të mbante dikush përgjegjësi. Dëshmitë janë sheshit. Por kush të reflektojë?! A reflekton mafia?! Ne kemi një qeveri dhe qeverisje mafioze. Ndaj ajo nuk ka shans të reflektojë. Nuk ka shans të mbajë përgjegjësi.  Si mundet të dalë nga shtëpia e të kapërdiset një kryeministër si ky i joni, kur shtëpisë së vet ia ka sjellë një gjobë kaq të madhe, rrënuese për ekonominë e të sotmes dhe të së ardhmes së vendit të vet?! Si mundet të heshtë e ta zhbëjë nga koka e tij këtë vepër makabër, thjesht për të kapur pushtetin dhe për të sunduar me arrogancën e tij?! Është e paimagjinueshme kjo! Imagjinoni një familje, kryetari i së cilës bëhet përgjegjës për një dështim kaq spektakolar! Si do të pritej nga fëmijët e tij?! Cila familje shqiptare do ta toleronte një kryefamiljar që për tekat e tij I sjell në shtëpi një borxh rrënues?! Kështu duhet konsideruar edhe shteti, me të cilin luan e tallet Edi Rama. Por nuk dihet ta tolerojnë dhe të tallen më 25 prill shqiptarët!

Prof. Bytyçi, dje u bë me dije se u largua nga shërbimi shëndetësor publik edhe një tjetër mjek, për shkak të bindjeve politike. Në kë shtet jetojmë?

– Edhe Hitleri nuk ka shkuar deri te ndëshkimi i mjekëve kësisoj. Edhe në kohën e diktaturës mjekët në Shqipëri toleroheshinnë një farë mase, edhe pse Sigurimi i Shtetit e dinte se disa prej tyre ishin kundër regjimit! Mjeku ishte më i shenjtë për diktaturat, se sa për autokratin Edi Rama! Ky është një sinjal i mjaftueshëm për ta ndëshkuar atë masivisht me votën kundër!

“Karakteristikë e kësaj fushate pozitive dhe që ngjall optimizëm është maturia dhe qytetaria e opozitës, e cila është shfaqur si alternativë e padiskutueshme, ka dhënë shpresë Ka krijuar përceptimin se vendi do të bëjë ndryshimin”

Gjatë gjithë kësaj fushate elektorale, kryeministri Rama publikon përditë ecurinë e vaksinimeve, thua se është kryeinfermier, si  edhe  punimet për rindërtimin, thua se është kryekontrollor cilësie. Kjo është strategji e mirëmenduar elektorale?

– Nuk besoj se vaksinimi do t’i sjellë vota Rilindjes. Sepse shumica e të thirruve për vaksinim e kanë refuzuar atë. Kështu ka ndodhur me mësuesit, me profesorët, me gazetarët. Le të bëjë dikush një statistikë e të shohë sa prej këtyre kategorive janë vaksinuar! Jo më shumë se 10-15 përqind e tyre! Ka mosbesim të madh. Është vështirë t’ia besosh jetën tënde një mashtruesi e të pabesi! Shqiptarët edhe kur shkojnë në spital kërkojnë mjekun te i cili kanë besim. Ndërsa kryemjeku e kryeinfermieri i Shqipërisë, Edi Rama ngjall frikë. Mjafton ta shohësh se çfarë energjie katran prodhon çdo orë në ekranet televizive!

– Cilat janë karakteristikat e fushatës elektorale të 25 prillit?

– Fushata elektorale e këtij viti për zgjedhjet e 25 prillit ka disa karakteristika:

Së pari, nuk ka bilanc. Kjo ndodh, sepse mazhoranca nuk ka arritje dhe për pasojë nuk është në gjendje të bëjë një fushatë me bilanc dhe me premtime konkrete. Kjo ka bërë që kreu i mazhorancës të evitojë çdo mundësi të performimit të anëtarëve të qeverisë dhe ta përqëndrojë fushatën në duart dhe personin e tij. Mungesa e bilancit, mungesa e suksesit në qeverisje e ka detyruar Edi Ramën të kapet si i mbyturi te dy fije kashte që i sheh si sukses të tijin: Te pasojat e tërmetit dhe te pandemia e Covid-19.  Por dhe në këto dy raste ai ka thjesht propagandë, jo bilanc. Një kryeministër që ushqen propagandën me 900 vaksina dhe i shoqëron ato nga aeroporti te spitali e pastaj në stadiumin kombëtar, tregon se nuk asnjë mundësi tjetër të bëjë shou.

Së dyti, kjo është fushata e projekteve tredimensionale. Është interesant se projektet këta të rilindjes i shesin si arritje në praktikë. Bëjnë një marrëveshje me kompaninë e Dubait Emar dhe  thonë se “ne kemi ndërtuar portin e madh të Durrësit e kemi sjellë investim prej 2 miliard dollarësh”! Pra, venë tiganin në zjarr, ndërkohë që peshku është në fund të detit, ku nuk e kam njeri. Ta hajë kush ta hajë. Kjo është mënyrë perverse e të bërit fushatë.

Së treti, kemi një fushatë denigruese, me fjalor dhe veprime prej rrugaçësh. Si mundet që një kryeministër i një vendi t’i thotë një gruaje të ndëruar se “Kaun nuk do ta sjell për ty, por për lopën”! Ku është parë e dëgjuar kjo hata?! Ose t’u nxjerrë gishtin e mesit të rinjve! Apo të shpërfytyrohet, duke bullizuar kundërshtarët e tij politikë?!

Së katërti, karakteristikë e kësaj fushate pozitive dhe që ngjall optimizëm është maturia dhe qytetaria e opozitës, e cila është shfaqur si alternativë e padiskutueshme, ka dhënë shpresë. Ka krijuar përceptimin se vendi do të bëjë ndryshimin. Se do të kalojë nga çmenduria në normalitet. Nga dezintegrimi te integrimi. Nga makutëia te administrimi normal i parave dhe pasurive publike. Nga arroganca te sjellja qytetare. Nga autokracia te demokracia.

“Jam i bindur se shqiptarët do të votojnë normalitetin, që do të thotë demokracinë, shtetin e së drejtës, balancën dhe ekulibrin e pushteteve, politikat pro qytetarit, shërbimet ndaj vendit, mbrojtjen e interesave tona kombëtare e të vlerave morale, integrimin europian”

– Ju si mendoni, cilat do të jenë kriteret mbi të cilat shqiptarët kësaj here do të votojnë?

– Jam i bindur se shqiptarët do të votojnë normalitetin, që do të thotë demokracinë, shtetin e së drejtës, balancën dhe ekulibrin e pushteteve, politikat pro qytetarit, shërbimet ndaj vendit, mbrojtjen e interesave tona kombëtare e të vlerave morale, integrimin europian. Pra, do të votojnë opozitën demokratike dhe jo qeverisjen e dështuar dhe rrënuese të Edi Ramës.

– Do të mundet të mbetet e pacenuar vota në 25 prill, derisa të gjithë pranojnë se Rilindja dhe kryeministri Rama kanë të gjitha pushtetet, mos dënimi i krimit Zgjedhor të dosjeve 339 dhe 184 është precedenti se çdo krim në shërbim të marrjes së votës nuk ndëshkohet?

– Vota e 25 prillit tashmë është cenuar. Ajo u prek nga ndryshimet kushtetuese për të bllokuar koalicionet dhe favorizuar partitë satelite të sapo krijuara nga qeveria. Vota u cënua nga Kolegji Zgjedhor, kur rrëzoi të gjitha ankesat e opozitës, duke plotësuar kërkesat e Edi Ramës. Vota është e rrezikuar nga administratorët e shtetit, të cilët janë në aksion për të mbledhë kartat e identitetit të atyre që u besojnë se mund t’i votojnë. Dosja 339 dhe 184 do të pasohet me dosje të tjera e numra të tjerë tashmë në Vlorë, Durrës, Lezhë, Tiranë e qarqe të tjera të vendit. Presioni mbi administratën, te mësuesit, ushtarakët, policët, punonjësit e shëndetësisë është shumë i madh. Këta janë ngarkuar me detyra konkrete për numrin e votave që duhet të çojnë në kuti për rilindjen. Por fatmirësisht duket se e kanë humbur arsyen. Në vend që në fushatë të ishin më të maturuar, shohim se janë bërë më arrogantë, më të çmendur se në kohë normale. Rama ka prodhuar arrogancë të llojit të vet në mënyrë gjeometrike.

– Faleminderit!