Flet Akademik Edmond Pinguli: Hidrocentralet e regjimit komunist, një zgjidhje dhe pasuri e papërsëritshme

284
Sigal

Këto ditë më ftoi për kafe Akademim Edmond Pinguli. Si gjithmonë serioz, i veshur shik, me një pamje krenare. Gjithë biseda rrodhi për hidrocentralet, termocentralet, shfrytëzimi i lumenjve për energji elektrike në vendin tonë. Dijet e tij janë të pafundme. Më 21 mars 2013 me të kam zhvilluar një intervistë shumë interesante…Akademiku Prof. Dr. Ing. Edmond Pinguli lindi në Tiranë; ku kreu dhe shkollën e mesme. Studimet e larta i përfundoi në vitin 1971. Ka qenë kryeinxhinier në një nga kantieret e ndërtimit të HEC-it të Fierzës 1971-1979, ku kreu studime për impiantet e inerteve dhe poligonet e parafabrikateve, për shpërthimet masive dhe prodhim material ndërtimi etj. Në vitet 1979-1982 punoi si ndërtues projektues në ISP Nr. 4; në vitet 1982-1993 inxhinier, përgjegjës sektori dhe drejtor i Institutit të Studimeve të Teknologjisë së Ndërtimit. Është autor i monografive “Përqendrimi i prodhimit të materialeve inerte në rrethe ose grup rrethesh dhe përmirësimi i teknologjisë së prodhimit të tyre”; “Studimi teoriko-praktik dhe tekniko-ekonomik i prodhimit të gurit dhe çakllit në bazë rrethi për gjithë Republikën. Nga viti 1993 drejton një nga shoqëritë e para private ndërtuese projektuese “Teknoprojekt”. Kohët e fundit zgjidhet anëtarë i Akademisë të shkencave dhe Arteve të Shqipërisë.  

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI 

Profesor, përse zgjodhët degën e hidroteknikës për të studiuar?

Unë kam mbaruar studimet në degën e inxhinierisë Civile dhe Industriale. Për koincidencë të fatit, kur mbarova studimet në vitin 1971, më dërguan të punoj në ndërtimin e hidrocentralit të Fierzës dhe në vitin 1980, ku aty, unë bëra një degë të dytë të inxhinierisë dhe konkretisht Hidroteknikën.

Cilat ishin prirjet e tua në moshën e adoleshencës?

Mjekësia.

Kur ju doli e drejta e studimit në UT, si u ndjetë dhe a morët atë degë që mendonit?

Nuk u ndjeva mirë, por ju nënshtrova me koshiencë fatit. Tani që bëj bilancin e jetës, fati më ka ndihmuar.

 Si ka qenë niveli i mësimdhënies në UT në këtë shkencë në regjimin komunist?

Shumë i lartë, sepse pothuaj të gjithë profesorët tanë kishin studiuar jashtë si në Rusi, Gjermani, Çeki, Bullgari, Hungari, etj., ku sollën arritjet me të mira të zhvillimit të pasqyruara në tekste.

Cila ka qenë dita më e vështirë në universitet?

Mbrojtja e Diplomës. Kishte një kërkesë llogarie dhe seriozitet të paimagjinueshëm.

Cilat janë realizimet më të mëdha të Shqipërisë në vitet e diktaturës në fushën e energjetikës?

Programi madhështor dhe i papërsëritshëm i ndërtimit të hidrocentraleve në kaskadat e lumenjve Drin, Mat, Bistricë, etj..

Cila vepër hidroenergjetike ka qenë me e vështira në fushën e ndërtimit dhe si është realizuar si vepër?

Hidrocentrali i Fierzës ka qenë hidrocentrali më i vështirë dhe është ndërtuar me nivelin dhe parametrat ndërkombëtare. Edhe sot në botë mbahet ndër veprat më të arrira.

Cila teknologji është përdorur në punimet hidroenergjetike në sistemin monist?

Teknologjia bashkëkohore, dhe për koincidencë po ajo që është përdorur nga kompanitë BECHELT dhe ENKA në hapjen e tuneleve të autostradës Rrëshen-Morinë.

Pas prishjes me Kinën si kryheshin ndërtimet hidroenergjetike në vendin tonë, ku bazoheshin ato?

Pas prishjes me Kinën ne ndërtuam vetëm hidrocentralin e Komanit, ku niveli i punimeve ishte ai i arritur në atë të Fierzës, por teknologjia e turbinave të vendosura në sallën e makinerisë ishte më e lartë, sepse ato u blenë në Francë.

Ku ju gjeti demokracia dhe cili ishte pozicioni i juaj në atë periudhë?

Demokracia më gjeti Drejtor të Institutit të Studimeve dhe Teknologjisë së Ndërtimit.

 Cila ka qenë dita më e vështirë në periudhën e ndërrimit të dy sistemeve?

Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991.

Çfarë është politika për ju dhe cili ka qenë pozicioni ndaj politikës në përgjithësi?

Politika nuk më ka interesuar.

Cila ka qenë dita më e vështirë për ju në fushën e projekteve hidroteknike?

Kur shoqëria “LLOJD” e Londrës një javë përpara se të shkonim së bashku në tender për kaskadën e lumit Shushica në Vlorë më lajmëroi se nuk do të marrë pjesë, dhe unë humba tenderin e koncesionit.

Kohët e fundit jeni bërë anëtar i Akademisë së Shkencave, ç’përbën ky titull për ju?

Fundin e gradave dhe titujve të fituar si rezultat i arritjeve në punën time kërkimore-shkencore si dhe drejtuese-aplikative, gjatë mbi 40 vjetëve të projekteve të vazhdueshme në fushën e inxhinierisë së ndërtimit.

Motua nga e cila udhëhiqemi në jetë?

Ekuacioni, i cili nga një krah ka trinomin: Ndërto, detyra, atdheu dhe nga krahu tjetër ka trinomin: me shpirt jam i majtë, me mendje jam i djathtë dhe me veprime jam patriot.

Tejzgjatja e Shqipërisë për rrugën në BE ku e ka zanafillën?

Në nivelin social-kulturor.

Veshja e preferuar?

Elegante.

Çfarë vlerësoni tek një njeri dhe çfarë kritikoni?

Vlerësoj ndershmërinë dhe largoj nga sytë pabesinë.

Keni ndonjë peng në jetë?

Që mbeta jetim që kur linda.

Çfarë është familja për ju?

Është gjëja më e shenjtë dhe më e shtrenjtë.

A ndihet e vlerësuar femra shqiptare sot?

Po fillon të ndihet.

Po politika shqiptare a ka lënë hapësirat e nevojshme për femrat?

Po fillon të shihen hapësira.

A është shoqëria shqiptare maskiliste dhe cilat janë format më shprehëse të saj?

Sigurisht që shoqëria jonë është maskiliste për vetë jetën, zakonet dhe prejardhjen tonë në shekuj.