Situata me zjarrin në Priskën e Madhe vijon të jetë problematike, ndërsa forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë intensivisht për izolimin e vatrës së zjarrit dhe shuarjen e plotë të saj.
Dendësia e madhe e pyllit po vështirëson ndërhyrjen e tyre, ndërsa përhapja e flakëve po favorizohet edhe nga era e fortë.
Gjatë një prononcimi për mediat një zjarrfikës u shpreh se situata është e komplikuar, pasi dendësia e pyllit është e madhe dhe është e vështirë të luftohet. Ai theksoi se era po favorizon intenistetin dhe përhapjen e zjarrit.
“Kemi ardhur sot në mëngjes, kemi zëvendësuar dy grupe të tjera që kanë qenë në gatishmëri dhe shërbim 24 orë. Jemi dy grupe të stacionit tonë, plus 5 stacione të Drejtorisë së Tiranës. Situata është e komplikuar, sepse dendësia e pyllit është e madhe dhe është e vështirë ta luftojmë në mënyrë direkte. Flakët po i favorizon edhe era, por po mundohemi ta mbajmë të izoluar”, shprehet zjarrfikësi.





















