U ngute Zonja Ambasadore! STARS AND STRIPES FOR EVER!

612
Sigal

Nga Frank Shkreli

Ish-Drejtor I VOA-s për Euro-Azinë

Lotët e para të mia, kur kam vizituar Shqipërinë me delegacionin e parë të Departamentit Amerikan Shtetit në mars/prill, 1991, ishte pikërisht moment, kur për herë të parë vendosëm flamurin amerikan në makinën tonë diplomatike, me të cilën udhëtuam anë e mbanë Shqipërisë, në atë kohë.

U ngute Zonja Ambasadore! Ne shqiptaro-amerikanët, kemi pritur për 50-vjet për valvitjen e Flamurit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri dhe në çdo kënd të trojeve shqiptare. Ke vetëm disa javë në detyrë, por mos u habit fare se, ndoshta nuk e keni venë re ende, por flamur amerikan valvitet gjithandej dhe kudo në Shqipëri, në Kosovë dhe gjetkë.

Lotët e para të mia, kur kam vizituar Shqipërinë me delegacionin e parë të Departamentit Amerikan Shtetit në mars/prill, 1991, ishte pikërisht moment, kur për herë të parë vendosëm flamurin amerikan në makinën tonë diplomatike, me të cilën udhëtuam anë e mbanë Shqipërisë, në atë kohë.

Nuk qava nga mjerimi, në të cilin e kishte sjellë komunizmi Shqipërinë e para-ardhësve të mi, por qava se më në fund Flamuri i vendit tim, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po valvitej i lirë në tokën e të parëve të mi.

Ju lutem, mos e diskurajoni përdorimin e flamurit amerikan në trojet shqiptare, madje edhe në manifestime të tilla, paqësore.  Flamuri amerikan vetëm të mira i ka sjellur atij kombi. Shqiptarët e dinë këtë, pa marrë parasysh keqqeverisjen e tyre për këto 30 vjet, nga udhëheqës, që pretendojnë dhe kanë pretenduar se kanë mbështetjen e SHBA-ve dhe të ambasadorëve të saj të akredituar në Tiranë.

Të kisha qenë në vendin tuaj, unë nuk do të kisha bërë ndonjë koment për valvitjen e Flamurit Amerikan. Nuk i kontrollon dot me shqiptarët. Megjithë hallet e tyre të shumta, ata atje e kanë shpresën: Tek ky Flamur. Unë do isha shumë më i kënaqur për valvitjen e Flamurit të Shteteve të Bashkuara me atë entuziazëm, që valvitet gjithmonë në Shqipëri. Kjo pas 50-vjet komunizëm, kur atëherë, vetëm të përmendje emrin e Amerikës, regjimi komunist të fuste në birucë.

Duke e njohur deri diku atë histori, unë do isha shumë më i pakënaqur në qoftë se flamuri i vendit tim të adaptuar, Amerikës tonë të dashur, që na ka dhënë strehim mijëra shqiptaro-amerikanëve si unë, se sa të shikonim në manifestime të tilla, djegien ose shkeljen e Flamurit të tonë të dashur, ashtu siç ndodh shpesh në shumë vende të tjera të botës.

Zonja ambsadore, të uroj punë të mbarë në detyrën e re! Me mirëkuptim,

STARS AND STRIPES FOR EVER!

Nga një shqiptaro-amerikan,

Frank Shkreli