Shqipëria: Të parët për keq, të fundit për mirë

724
Sigal

Analiza në “Telegraf”/ Vendi i Shqiponjave është kthyer në “delen” të Evropës. Sipas BB-re jemi të parët në varfëri, në korrupsion, në kriminalitet, në aksidente, në emigracion, në numër të burgosurish, n% trafiqe etj. Jemi të fundit në paga, në pensione, në shëndetësi, në arsim, në bujqësi, në drejtësi…

Shqipëria, “delja e zezë” e Evropës

Evdal NURI

Zgjidh e merr. Të dyja, “në një qafë të nxjerrin”. Do të isha i gëzuar që vendi im të klasifikohej në disa drejtime i pari e në disa qoftë dhe i fundit , por s’ndodh kështu! Fjala është, se jemi të parët për keq, e të fundit mirë! Por ja që s’jemi as të mesëm, por të varfër. Po jua them në fillim, atë që ju do të thoni në fund! Disa do të thonë, e paske nxirë fare! Të tjerët, ia paske bërë mirë! Vetëm për një gjë të më besoni, se s’ju gënjej. Unë jam me parimin se kritika edhe 5% të jetë e drejtë, duhet pranuar. Ku jemi të varfër? Kudo, por po rendis disa.

1-Të parët

Në varfëri

Shqipëria renditet në vendin e parë jo në rajon, por Evropë për sa i përket nivelit të varfërisë. Mbi 6.3 % e popullsisë jetojnë me 5 dollarë në ditë. 15 % e shqiptarëve jetojnë me lypjedhe sigurojnë vetëm 30% të ushqimit të domosdoshëm për të mbijetuar nëditë.Ushqimi merret akoma me lista. Të ardhurat për frymë të Shqipërisë janë vetëm sa 30% e mesatares evropiane!Të varfër jemi, por çmimet i kemi si në Greqi, më tha Abazi që u kthye para disa ditëve nga Greqia. Si në Greqi theksoj, por atje marrin 35 euro në ditë, kurse ne 35 euro në javë . Ky është dallimi! Kur e pyeta shitësin e lagjes, Dulen, pse domatja ka vajtur 200-250 lekë, qepa, patatja 120-140 lekë ai ma sqaroi. Ky që shikon është mall eksporti. Domatja vjen nga Greqia, Italia,Turqia! Qepa nga Sllovenia e kështu radhë. Prodhimi ynë del në qershor. Ne, vijoi më tej, s’kemi planifikim. Unë jam nga Lushnja. Vitin e kaluar u prodhua shumë presh, se mbollën të gjithë. Unë e mora me 10 lekë kg. Shumicës i mbeti pa shitur. Të frikësuar nga vjet, këtë vit s’mbollën. Ata pak që mbollën po e shesin me 100 lekë kg! Kështu është ekonomia e tregut, ‘qari e zarari janë motër e vëlla’! Banka Botërore vëren se Shqipëria do të vazhdojë të mbetet vendi më i varfër edhe në tre vitet e ardhshme.

Në korrupsion

E gjen kudo në çdo nivel, në qendër e në bazë. Ai është kthyer në “normë morale “ Po s’dhe s’kryen punë. Më i përhapur në drejtësi, mjekësi, ekonomi me tenderët, administratë, arsim e tjerë. Kontrollit të Lartë të Shtetit në 29 institucione qendrore shtetërore gjatë vitit 2018, ka zbardhur rreth 120 milionë dollarë të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit, si dhe keqmenaxhim të fondeve për një vlerë totale prej rreth 14 milionë dollarësh. Gallup, sqaron se vendi ynë vijon të mbetet më i palumturi në Evropë, për sa i përket korrupsionit. Kështu në indeksin e këtij viti, Shqipëria renditet e 107-ta në botë, ndër 156 vende. Siç duket qartë, Shqipëria është tërësisht e veçuar nga vendet evropiane dhe vendet e zhvilluara.

Në kriminalitet

Për të mos thënë çdo ditë, po e vërteta është se s’ka javë pa vrasje dhe dhunime. Kemi shtim të kriminalitetit në moshat e reja, për shumë arsye; varfëria, konflikte pronash, larje hesapesh, e pamundësi jetese minimale. Ndonëse një vend i vogël, me 3 milionë banorë, vrasjet kapin shifra alarmante, ku nga përllogaritjet zyrtare del se janë sa dyfishi i vendeve të Bashkimit Evropian!

Në aksidente rrugore

Na shoqërojnë aksidentet rrugore çdo ditë, madje me pasojë vdekjesh.Aksidentet janë plaga e madhe që merr gati çdo ditë jetë njerëzish. Sipas studimeve, kemi më shumë aksidente se në çdo vend të Evropës.

Në ndotjen alarmante.

Në vitet e para të tranzicionit ishte 30% më e lartë se norma e lejuar nga BE -ja. Tani jemi dyfishin më shumë! Po na shkurtohet jeta. Kryeqendra e shqiptarëve është cilësuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, si një nga tre qytetet më të ndotura në Evropë. Kanceri i mushkërisë është rritur me 25% në krahasim me vitet më parë. Në Shqipëri, vdekjet e shkaktuara nga ajri i ndotur, llogariten në 1400 persona në vit.

Më emigracion

Jemi të parët në rajon, me 79% që duan të largohen. Statistikat e reja të publikuara nga Departamenti i Shtetit tregojnë se gati 13% e popullsisë provoi fatin duke aplikuar për lotarinë amerikane dhe aplikuesit janë shtuar nga viti në vit….?! Janë rreth 19 mijë shqiptarë që kanë aplikuar për azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian në vitin 2018, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.

Në numër të burgosurish

-Shqipëria me numrin më të lartë të të burgosurve në rajon. 1\3 për drogë në vendin e parë! Nga të dhënat e INSTAT rezulton se në Shqipëri numëroheshin 5418 të burgosur, prej të cilëve 5323 burra dhe 95 gra,

Në trafikimin e fëmijëve

Mbi 5 mijë fëmijë shqiptarë, për arsye të gjendjes të vështirë ekonomike rezultojnë të trafikuar në vendet e Bashkimit Evropian. Sipas Europol fëmijët e trafikuar janë të moshës 12-15 vjeç . Edhe këtu të parët, por për keq ! Doni fakte të tjera? Të parët për dhunën, prostitucion, të ardhurat për frymë, taksat, prodhimin dhe eksportimin e drogës . Dy milion euro më tepër harxhojnë shqiptarët për çmimet e biletave të avionëve . Është e çuditshme , por dhe marrëdhëniet burrë grua në Shqipëri janë më të tensionuara në Evropë ! Të pyetur se si e vlerësojnë tensionin midis dy gjinive 40% janë përgjigjur se ka shumë tension dhe po aq e kanë vlerësuar si “disi të tensionuar”, vetëm 20% janë përgjigjur se midis dy gjinive nuk ka tension.

2- Po të fundit?

Në paga

Sipas statistikave të fundit të Bankës Botërore, Shqipëria renditet në vendin e fundit. Rreth 10% e shqiptarëve familjarë të punësuar deklarojnë se nuk paguhen. Shqipëria e ka pagën minimale 213 euro. Të gjitha vendet e tjera fqinje kanë një pagë minimale më të lartë, ku kryeson Greqia me 684 euro në muaj.

Në pensione

Më të ulëtat jo vetëm në Evropë , por dhe ne rajon ! Shumica marrin nga 7.000-20.000 lekë . Shumë pak për moshën e tretë, moshën e halleve dhe problemeve të mëdha shëndetësore e shpirtërorë. Rritja me 2-3% çdo vit është më pak se indeksimi i çmimeve!

Në papunësi

Papunësia për moshat nga 15-29 vjeç është 22.6 % . Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave në vend tregojnë se mbi 209 mijë të rinj në vendin tonë, as punojnë e as kërkojnë punë!

Në shërbim mjekësor

Rimbursohen ilaçet gati të skaduara e me një cilësi të ulët. Duhet të paguash 3 deri 4-fishin që të marrësh ilaçe cilësore, ndryshe ikën në botën tjetër! Kudo duhet të paguash! Të dhënat tregojnë, se rreth 93% e medikamenteve që gjenden në farmacinë qendrore të QSUT-së janë të skaduara, dëm, i cili u akumulua vit pas viti duke arritur shifrën 447 milionë lekë, ndërkohë që qindra pacientë vuajtën pasojat e mungesës së barnave ose kurohen me barna gati në skadencë!

Në arsim

Të fundit në Evropë për fondet në arsim.Aktualisht që flasim 2.9% e buxhetit të ministrisë së Arsimit shkon për arsimin parauniversitar publik. Ndërkohë që në vendet të botës alokohen 5% të GDP për arsimin në vend. Ne jemi larg kësaj shifre. Sipas Bankës Botërore 4.3% e fëmijëve në ciklin e ulët, ose s’regjistrohen, ose braktisin shkollën!

Në bujqësi

Të fundit në Evropë për fondet në në bujqësi, madje këtë vit investimet, do të jenë katër herë me të vogla se një vit më parë. Nga 11 milionë në 3.5 milionë euro !

Edhe mund të kem harruar ndonjë, por dhe po të më kujtohej, jam i sigurt se do të jemi ose të parët, ose të fundit! Është e çuditshme, se për të gjitha këto ka një heshtje të pajustifikuar nga qeveria! Kuptohet s’i vjen mirë, por të gjithë i dinë, mbasi e kanë mbi kurriz. Të gjitha këto të krijojnë bindjen se punët në vendin tim, s’janë mirë e do të vijë dita e ndëshkimit! Ankthi dhe depresioni janë gjithmonë e më shumë të pranishëm në jetën tonë. Sipas një ankete të zhvilluar në vitin 2018 nga INSTAT dhe ISHP rezultoi, se afro 70 % të pyeturve kanë kaluar të paktën njëherë depresion gjatë jetës së tyre. Sipas psikiatërve faktorët ekonomiko- socialë janë ato që rëndojnë më shumë këtë gjendje.