E vërteta e hidhur pas lustrës së shifrave

627
Sigal

Ekonomia shqiptare, në një vend që udhëhiqet nga një piktor, ashtu si arti, duket se është realitet i zbukuruar. Edhe fasadat e lyera me bojë fshehin nga pas varfërinë dhe papunësinë sikurse ndodh edhe me shifrat e fryra ekonomike, të cilat fshehin nga pas një të vërtetë të hidhur. Kompanitë e huaja ikën dhe po lulëzojnë në vendet fqinjë. Ja treguesit

E vërteta e hidhur pas lustrës së shifrave!

Ekonomia shqiptare, në një vend që udhëhiqet nga një piktor, ashtu si arti, duket se është realitet i zbukuruar. Ashtu si qytetet e lyera me bojë, që fshehin nga pas një varfëri të madhe dhe mirëqenie të ulët, edhe shifrat e treguesve kryesorë ekonomikë, janë optimiste në pamje të parë, por pas tyre qëndron një e vërtetë e hidhur.

Është e vërtetë që investimet e huaja në vlerë ishin në nivelet më të larta të dekadës në 6 muajt e parë të vitit. Por ato janë të përqendruara (mbi 60%) në dy projekte të mëdha, që për fat të keq po shkojnë drejt fundit, gazsjellësit TAP, një investim total prej 1.5 miliardë eurosh dhe Hidrocentralet, që janë ndërtuar tashmë mbi lumin Devoll (HEC i Devollit dhe Moglicës) kanë kushtuar rreth 600 milionë euro.

Përqendrimi i tyre ka qenë më i lartë në tre vitet e fundit. 2019-a shënon dhe fundin e këtyre projekteve dhe fillimin e një sfide të madhe për të ardhmen. Shqipëria, deri tani, ka humbur betejën në Ballkan për të tërhequr investimet, teksa Maqedonia dhe Serbia janë bërë shtëpia e shumë kompanive ndërkombëtare për prodhimin e pjesëve të automjeteve, me vlerë të shtuar dhe paga të larta.

Taksat, korrupsioni, mungesa e politikave nxitëse kanë mbajtur larg investitorët e huaj (ata që vijnë për të qëndruar gjatë), çka pritet të dalë zbuluar edhe në shifra, në momentin që “mbulesa” e dy projekteve të mëdha do të hiqet. Në fakt, edhe pse ato janë vërtet shumë të mira për vendin, efekti real i tyre në punësim, rritjen e mirëqenies dhe zhvillimin afatgjatë të vendit është shumë larg shifrave të reklamuara. TAP punësoi direkt dhe indirekt rreth 3,000 të punësuar dhe me shtrimin e tubacioneve, mbyllet historia. Shqipëria nuk do të përfitojë më, të paktën në një periudhë afatmesme, deri sa të krijohet infrastruktura e duhur për gazifikimin e vendit. Kjo u duk fare shpejt, kur largimi i nënkontraktorëve të TAP bëri që të ardhurat nga TVSH e brendshme të binin me mbi 30% në korrik dhe në gusht, duke nxjerrë zbuluar brishtësinë e ekonomisë vendase.

Është e vërtetë që me shifra zyrtare, papunësia është në nivele të ulëta rekord, prej 11.5%. Por, sërish, pas këtyre shifrave fshihet një tjetër histori. Të dhënat e saj maten përmes Anketës së Forcave të Punës, e cila bazohet në një zgjedhje probabile prej 7,933 njësish ekonomike familjare. Individët pyeten nëse kanë punuar apo jo dhe nëse raportojnë që kanë punuar qoftë edhe disa ditë në muaj, regjistrohen si të punësuar.

Vetë INSTAT e pranon se nga anketa mund të sigurohen vlerësime dhe jo shifra ekzakte për numrin e të punësuarve dhe të papunëve. Një tjetër publikim i INSTAT, ai i të dhënave administrative, raporton ecurinë e të punësuarve që paguajnë sigurime. Sipas këtij treguesi, panorama është krejt ndryshe. Që prej tremujorit të fundit 2017, punësimi në vend duket se ka ngecur. Mesatarisht, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, janë hapur rreth 200 vende pune të reja në muaj.

Madje, numri i të punësuarve në fund të qershorit ishte në total 8 mijë persona më pak se në fund të tremujorit të tretë 2018, një tregues direkt i paqëndrueshmërisë së ekonomisë, që është e varur tek sezonaliteti i turizmit, i cili për fatin tonë të mirë është i vetmi që po ecën mirë për momentin dhe këtu merita i takon vendit që ka pasuri të shumta natyrore, nga deti te lumenjtë, liqenet, malet e deri te trashëgimia historike.

Një tjetër element, i vështirë të matet, por që biznesi preket çdo ditë, është largimi në emigrim i të punësuarve, shpesh dhe në pozicione të mira e të kualifikuara. Ky eksod i punonjësve me përvojë e të mirëtrajnuar, po u shkakton dhimbje koke sipërmarrësve, por si me “magji” po ndikon në treguesit e punësimit, duke krijuar vende të lira dhe duke ndikuar në raportin e të punësuarve gjithsej ndaj forcës aktive për punë.

Po aq e vërtetë është dhe që këto shifra të bukura nuk po transmetohen njësoj në ekonomi. Një e dhënë direkt është fakti që investimet e huaja të larta nuk janë kanalizuar në më shumë të ardhura në buxhet. Në 6 muajt e parë të vitit, rritja reale e të ardhurave tatimore e doganore është pothuajse zero, nëse zhvishet nga inflacioni dhe performanca ekonomike, vazhdon analizën e saj Monitor.

 

Në të njëjtën linjë, papunësia në nivele rekord, (pra më shumë njerëz kanë të ardhura dhe janë të gatshëm të shpenzojnë) nuk po arrin të nxisë konsumin, në një tregues indirekt që ikja e popullsisë është aq e lartë sa po prek dhe këta indikatorë ekonomikë apo që këta të punësuar të rinj nuk po fitojnë aq shumë.  Pra lustrës i del shpejt shkëlqimi, nëse sipërfaqja poshtë është e ndryshkur nga lagështira dhe asaj vetëm sa i është dhënë një dorë e shpejtë për ta mbuluar dhe nuk luftohen shkaqet që e gërryejnë atë.