Hyqmet Zane: Filozofia leniniste dhe realiteti i zymtë shqiptar

553
Sigal

Shqipëria nga terrori i kuq në terrorin e bardhë

 Filozofia leniniste, që vrau të ardhmen e njerëzimit dhe realiteti i zymtë shqiptar

 

Ikja e shumë pedagogëve jashtë shtetit dhe mënyra se si veprohet ndaj punonjësve brenda fakulteteve është realitet:  “Mbyllen degët, po pakësohen auditoret, ushtrohet presion me të gjitha mënyrat

 Bisedat me një profesor të nderuar të një fakulteti në Universitetin e Tiranës, më dha një mesazh të rëndësishëm për konceptimin e një intelektuali të paangazhuar. Kur ai m’u shpreh me shumë nota pesimiste për gjendjen në fakultet, kuptova se ato që mendoj dhe shkruaj kanë nevojë për më shumë thellësi në realitetin që përjetojmë. Ikja e shumë pedagogëve jashtë shtetit dhe mënyra se si veprohet ndaj punonjësve brenda këtij fakulteti si në të gjithë fakultetet e tjera, për profesorin e nderuar ishte nëj realitet. “po na mbyllen degët, po pakësohen auditoret, po na ushtrohet presion me të gjitha mënyrat, tamam si një terror i bardhë, jo si terrori i kuq, por më i rrezikshëm se ai”, – u shpreh me shqetësim profesori që dikur ka qenë edhe dekan i fakultetit të tij.

E dëgjova me trishtim dhe u vura në mendim se kur këto i thotë një profesor me titull shkencor dhe ish dekan, atëherë duhet kuptuar shumë më thellë  se kaq. Filozofia leniniste që vrau të ardhmen e njerëzimit duket se ka një ripërsëritje tamam si një rilindje. Shpesh e më shpesh i referohemi së shkuarës, asaj pjesës më të zezë që nxiu jetët e këtij populli. E keqja që kemi sot është një produkt i së shkuarës që asnjëherë nuk ditëm ta sfumojmë dhe të ndërtojmë një jetë të re me një filozofi të re. Duket sikur litari i ligësisë ka mbetur jashtë groposjes që menduam se e varrosëm. Ka një shprehje popullore që thuhet “ç’del prej maceje, gjuan për minj”.

Duke dëgjuar ata “filozofët” e opinioneve, që i dalin në krah qeverisjes me rilindjen e zezë, gjithnjë fiksojmë shprehje bajate që janë më bastarde se vetë ata që i thonë. Njeri prej tyre u shpreh se “unë jam i ri dhe dua të shikoj nga e ardhmja”. O Zot, thashë me vete, në cilin vend e ka mësuar ky i ri në krye të një institucioni që duhet të luftojë krimin që na paska mësuar të japë një përgjigje të tillë? Këtu krimi po merr dhenë dhe ky na flet si e “ama Zeqes majë thanës”. Atij nuk i pëlqente që Sali Berisha dhe Ilir Meta thonë të vërtetat e jetës shqiptare dhe denoncojnë me forcë që të marrë vesh populli se kë kanë votuar më 25 prill 2021.

Eksperimenti tipik i Edi Ramës me implementimin e modeleve më të këqija në jetën shqiptare që ua rekomandon shqiptarëve me kokëfortësinë që nuk i pranon as Europa, por as Amerika, janë një e keqe e madhe që na ka krijuar një precedent të rikthimit të luftës politike klasore.

Për analogji m’u kujtua një pyetje e djalit të shtëpisë në një fshat që erdhi nga studimet jashtë shtetit dhe pyeti të atin se “si ka hypur lopa në tavan që ka bërë atë bajgë që ka lënë atë gjurmë”!. I ati e pa në sy të birin dhe u habit dhe tha “po ti ke shkuar për studime jashtë shtetit apo fyll vajte e fyçkë erdhe”? I biri u ndje i ofenduar dhe babai ia sqaroi se ajo dërrasa që është vënë në tavan, ka qenë në tokë dhe lopa ka kaluar sipër dhe ka lëshuar një bajgë dhe punëtori që ka përdorur dërrasën për të bërë tavanin, nuk e pastroi dhe mbeti shenja aty. U turpërua djali dhe kërkoi ndjesë. Por këta pinjollët e së majtës i ngjajnë vetë “liderit të madh” që e ka mendjen tek sateliti për të zbuluar ndërtimet pa leje apo për të ngritur një grataçielë pas pallatit të kulturës si projekt i një studioje daneze. “Pika mamisë që i lidhi kërthizën”, – thotë populli.

Zhurma për SPAK e të tjera institucione të drejtësisë duket që po degjenerojnë në një luftë politike me ngritjen e ligjit anti KÇK që u pa si një thënie e madhe që polli ndërtime pa leje në mes të Tiranës  dhe kryeministrin që filozofon për to. Eksperimenti tipik i Edi Ramës me implementimin e modeleve më të këqija në jetën shqiptare që ua rekomandon shqiptarëve me kokëfortësinë, që nuk i pranon as Europa, por as Amerika, janë një e keqe e madhe që na ka krijuar një precedent të rikthimit të luftës politike klasore. Ajo çfarë ndodhi me të ashtuquajturën “dosjen e bashkëpunëtorit të sigurimit” të Ilir Metës, u pa hapur se ku shkon idiotësia e luftës politike që i degjeneron institucionet si në një rënie zinxhir të tullave njera pas tjetrës.

Specialistë këshillues të mazhorancës po i ngjasojnë atyre instruktorëve të partisë së shkuarës diktatoriale që në fund të fundit nuk bën gjë tjetër veçse i nxin jetën këtij populli. Dhe për paturpësinë e tyre askush nuk kërkon ndjesë për këtë gjendje. Përkundrazi i kemi të pranishëm ata prokurorët dhe hetuesit e diktaturës që shantazhojnë liderin e PD Sali Berisha dhe liderin e Partisë së Lirisë Ilir Meta. Këshilltarët e Ramës i gjejnë atij argumente për të paargumentuarat, që janë fakte kokëforte në jetën shqiptare.

Porse nuk ka se si të kërkojë ndjesë një njeri, që vjen nga shkollat e “Perëndimit” me paratë e Sorosit dhe flet broçkulla. Vaj medet që ku ka mbetur qeverisja në dorë të atyre që më shumë se kanë mësuar jashtë shtetit, kanë jetuar për të marrë një diplomë se sa për të qenë studentë që do duhet të vijnë në Shqipëri për të bërë punë me vlera të mira në shërbim të së ardhmes.

M’u krijua një perceptim se në këtë qeverisje nuk funksionon shkolla që bën, por dëshira që kanë të bëhen servilë të devotshëm për shefat e tyre, ministra e vetë kryeministrin, sot kemi një angazhim të madh të së keqes, që kërkon të mbysë çdo të mirë që populli të frikësohet e të heshtë.

Në shumë libra të politikanëve dhe filozofëve të shquar, por edhe në librat e shenjta shkruhet se “për të menduar për të ardhmen, do të duhet të bëjmë mirë të tashmen dhe do i’a arrijmë këtij qëllimi nëse do njohim mirë të shkuarën dhe të ngremë piramidën e strategjisë së të tashmes dhe të ardhmes”. Ose këta të Rilindjes nuk e kanë mësuar filozofinë e të vërtetave, ose në vend të të vërtetave kanë mësuar ligësitë të fshehura në emër të së mirës si ajo fjala që thuhet se “Mos ki frikë nga ligësia e hapur te njerëzit…Më e frikëshme është mirësia artificiale…”

Nuk di se sa kohë do vazhdojë që një popull të ketë frikë, të mos shprehë një herë të vetme atë protestën e tij ndaj së keqes që gjithnjë tenton të pushtojë zemrat dhe mendjen e shqiptarëve.

Nëse Thomas Jeeferson ka thënë se “Kur populli i frikësohet qeverisë së tij, aty ka tirani, kur qeveria i frikësohet popullit të vet, aty ka liri”, kjo ka një vlerë hsitorike dhe në kohështrirje të gjatë. Në Shqipëri është vrarë liria dhe frika është bërë rrap me rrënjë të thella. Edhe atëherë kur u mendua se shqiptarët e rrëzuan frikën dhe kapën lirinë, ajo ishte përkohshmëria e një karakteri që lirinë e do si medalion e jo si vlerë.

Ndoshta është momenti për të kujtuar atë bisedën e veçantë të amerikanit të mirënjohur Harry Fullc të shkollës teknike në Tiranë që i rrëfeu Lef Nosit në Llixhat e familjes Nosi në Elbasan atë eksperimentin që kishte bërë me nxënësit e shkollës së tij. Pakësimi i ushqimit për nxënësit e shkollës në çdo vakt. Nuk pati asnjë protestë siç bëjnë fëmijët në shtëpi për një padrejtësi sado të vogël që dallojnë. Kjo për zotin Fullc ishte mesazh se në familjet shqiptare nuk kishte protestë për padrejtësinë, çka e nxorri atë në konkluzionin se një popull që nuk proteston, ai do të duhet të vuajë diktaturën.

Kjo lloj qorollepsje e punëve të mira, që i duhen këtij vendi me mendësi të tilla aq më tepër të të rinjve që nuk po dinë nga vijnë dhe ku janë pale pastaj të japin mendje për të ardhmen e një vendi duke qëndruar stoikë në ligësitë e shefit të tyre dhe duke mos pranuar të vërtetën në sy. Leninizmi i kësaj lloj qeverisje po ecën me shpejtësi në atë dëshirën e krijuesit të tij, që kishte dëshirën se “Do i zhyS njerëzit në varfëri ekstreme që t’i bëjë të harrojnë Zotin!” siç është shprehur Lenini.  Nga historia dihet se vitet e fundit lideri komunist V. I. Lenin u zhyt në sëmundje të rënda, të cilat e bënë të harrojë veten dhe gjithçka tjetër. Thuhet në një libër të shenjtë se “Zoti e toleron jobesimtarin dhe gjynahqarin dëmi i të cilit kufizohet vetëm tek vetja e tij, por nuk e toleron zullumqarin, i cili merr në qafë njerëzinë”.

Do kisha kënaqësinë që ta dëgjoja një herë kryeministrin apo këta bashkëshoqëruesit e tij të kërkonin ndjesë për atë që kanë bërë keq. Por këtë e bëjnë ata që gabojnë përmes punës, porse, përkundër tyre, aksioni politik mbetet si një ndëshkim popullor ndaj një të keqeje që gjithnjë na rëndon si një e shkuar pa të tashme dhe pa të ardhme.