141 milionë euro “fluturojnë” nga Shqipëria

147
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Transferimi i parave jashtë, arrin vlerën më të lartë në 13 vjet

Bizneset e huaja transferuan më shumë fitime jashtë në tremujorin e parë të vitit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, flukset dalëse në të ardhurat nga investimet kishin vlerën e 141 milionë eurove, në rritje me 15.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është vlera më e lartë e fitimeve të transferuara jashtë për këtë periudhë të vitit në 13 vitet e fundit.

Kjo tendencë nuk është krejt e re, po të kemi parasysh se në dy vitet e fundit, transferimi i fitimeve jashtë vendit ka pasur vlera relativisht të larta. Për vitin 2020, fitimet e transferuara jashtë shënuan një rënie me 5.1%, por kjo ishte sërish vlera e dytë më e lartë në 12 vitet e fundit.

Pas goditjes së fortë të pandemisë në ekonomi, ishte e pritshme që shumë biznese të pezullonin shpërndarjen e dividendëve,  për të forcuar kapitalizimin e kompanive.

Për kompanitë që veprojnë në tregje të rregulluara, si bankat apo kompanitë e sigurimeve, shpërndarja e fitimeve u pezullua përkohësisht përmes vendimeve të autoriteteve rregullatore. Por, këtë vit ndalimi për të shpërndarë fitimet në sektorin bankar u kufizua vetëm për vitin 2020, duke i hapur rrugë ndarjes së dividendëve nga fitimet e viteve të mëparshme.

“Fitimet e transferuara jashtë vendit përfshijnë  edhe ato nga investimet e portofolit, ku një ndikim ka pasur edhe rritja e borxhit të jashtëm në vitet e fundit, sidomos nga qeveria shqiptare.”

Një vendim të ngjashëm mori edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, megjithëse në këtë treg prania e investitorëve të huaj është pak më e ulët.

Vlera relativisht e lartë e fitimeve të transferuara tregon se efekti i krizës në këtë drejtim nuk ka qenë shumë i madh. Nga ana tjetër, rritja e investimeve të huaja direkte, sidomos pas vitit 2014, përbën në vetvete një premisë që dalja e fitimeve jashtë vendit të rritet, me qëllim marrjen mbrapsht të investimeve të kryera.

Megjithatë, fitimet e transferuara jashtë vendit nuk përfshijnë vetëm të ardhurat nga biznesi, por edhe ato nga investimet e portofolit, ndaj një ndikim ka pasur është edhe rritja e borxhit të jashtëm në vitet e fundit, sidomos nga qeveria shqiptare. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, për tremujorin I qeveria shqiptare shpenzoi 2.2 miliardë lekë ose pothuajse 18 milionë euro për interesat e borxhit të jashtëm. Kjo shumë është afërsisht sa 13% e flukseve dalëse në zërin e të ardhurave nga investimet.

Në kahun e kundërt, flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet për tremujorin u rritën lehtë në 22 milionë euro, 22% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bilanci neto i të ardhurave nga investimet ishte negativ në vlerën e 119 milionë eurove. Deficiti në këtë zë u rrit me 14% krahasuar me një vit më parë. Si një vend pritës i investimeve të huaja direkte, Shqipëria ka historikisht një bilanc negativ në të ardhurat nga investimet.