EURO 2020-2021/ Rusia ndez situatën në Grupin B, Uellsi dhe Italia sigurojnë kualifikimin për në fazën tjetër

325
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kanë startuar ditën e djeshme, ndeshjet e raundit të dytë të fazës në grupe të Kampionatit Evropian, “Euro 2020”, i cili për shkak të vitit pandemik që sapo kaluam u vendos që ndeshjet e këtij kompeticioni të luhen këtë vit. Nga ndeshjet e djeshme spikati sfida Turqi-Uells dhe supersfida e orës 21:00, Itali-Zvicër.

Finlandë 0-1 Rusi

Ndeshja e parë, që hapi ditën e djeshme ishte përballja mes Finlandës dhe Rusisë e vlefshme për grupin B, e cila përfundoi me rezultatin 0-1 në favor të Kombëtares ruse. Të parët që u hodhën në sulm ishin finlandezët, të cilët arritën të shënonin që në minutën e 4’ me anë të sulmuesit Pohjanpalo, por që pas rishikimit të aksionit në sistemin VAR, goli u anullua duke evituar një start tepër të keq për rusët, të cilët gjatë gjithë lojës kërkuan fitoren, duke sulmuar gjatë gjithë kohës me kapitenin Artem Dzjuba dhe 25-vjeçarin e talentuar Aleksej Mirançuk. Dhe do të ishte pikërisht ky i fundit, i cili pas një kombimi të bukur brenda zonës, me kapitenin Dzjuba në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, do të çonte topin në rrjetë, duke e ndryshuar rezultatin në 0-1.

Me gjithë përpjekjet e finlandezëve për të ndryshuar rezultatin trajneri rus Çerçeshov, nuk i kushtoi rëndësi, por vazhdoi lojën e tij sulmuese, e cila u pasqyrua dhe tek zëvendësimet e tij, duke i dhënë më shumë rëndësi repartit të sulmit me shpresën që të kapte në “flagrancë” mbrojtjen nordike të Finlandës. Pas kësaj fitore minimale nga finlandezëve, Rusia “rihapi” sërish llogaritë e kualifikimit në grupin B, ku ndodhet me pikë të barabarta me Finlandën dhe Belgjikën (3 pikë), me këta të fundit që sot në orën 18:00, do të përballen në Kopenhagen me Danimarkën, për të zbuluar më shumë se cila kombëtare do të presë një biletë për në fazën me eleminim direkt të ‘Euro 2020’.

Turqi 0-2 Uells

Kombëtarja turke ka zhgënjyer sërish në këtë edicion të Kampionatit Evropian, duku u mundur këtë herë nga Uellsi, ekipi më pak favorit në grupin A. Uellsianët ia arritën të triumfonin 0 me 2 në sfidën e luajtur në Baku të Azerbajxhanit, duke arritur kështu të siguronin një “gjysëm-bilete”, për në fazën me eleminim direkt. Dhe pse nuk arriti të shënonte penalltin e fituar nga po ai vetë, kapiteni 31-vjeçar i Uellsit, Gareth Bejl i siguroi fitoren skuadrës së tij me një paraqitje fantastike ku asistoi në të dy golat dhe krijoi raste të pafundme për të shënuar, por pa mundur dot të tregoheshin efikas përballë portës. Goli i parë i ndeshjes u shënua në minutën e 42’ nga mesfushori i Juventusit, Aron Ramsej, i cili pas 2 tentativave të para ku dështoi përballë portierit turk Çakir. Me fillimin e pjesës së dytë turqit ishin më të motivuar për të gjetur golin e barazimit, duke krijuar kështu raste të shumta dhe vënë në presion mbrojtjen uellsiane.

Në minutën e 61’ një ndërhyje e gabuar e mbrojtësit të djathtë turk, Zeki Çelik ndaj Bejl brenda zonës turke do të veniste ëndrrat e turqve, duke i dhënë një mundësi tjetër shënimi Uellsit pas akordimit të penalltisë, por Bejl do të ishte i pafat në goditjen e tij, duke e çuar topin mbi traversë. Goditjen fatale Turqia e mori në minutën e 95’, ku sërish Gareth Bejl asistoi për mbrojtësin uellsian Konor Roberts, me këtë të fundit që ndodhej i lirë brrenda zonës dhe vulosi rezultatin përfundimtar të ndeshjes në 0 me 2. Përballjen tjetër Turqit do ta kenë me Zvicrën. Të dy këto ekipe do të luajnë për vendin e tretë, në grupe i cili mund t’u japi një tjetër mundësi qëndrimi në ‘Euro 2020’.

Itali 3-0 Zvicër

Italia ka “shpërfytyruar” Zvicrën në ndeshjen e mbrëmshme, duke siguruar kështu kalimin për në fazën me eleminim direkt të ‘Euro 2020’. Që në fillimin e lojës, ‘të kaltrit’ e Roberto Mançinit nisën ofenzivën e vrullshme ndaj ‘helvetikëve’. Në minutën e 18’ do të vinte dhe goli i parë nga mbrojtësi Xhorxhio Kielini, por që pas rishikimit të golit në sistemin VAR do të anullohej pas një prekje me dor nga veterani Kielini. Goli i parë “i vërtetë” do të vinte në minutën e 26’, ku pas një marrje të bukur të krahut të djathë nga Domeniko Berardi, ky i fundit çon një pasim brenda në zonë, aty ku ndodhej Lokateli, me këtë të fundit që nuk e pati aspak të vështirë ta çonte sferën në rrjetë. Pas golit të parë pritej një reagimin nga zvicerianët, por nuk që e shkruar të ndodhte, me italianët që vazhdimisht vinin në presion mbrojtjen “helvete”. Në minutën e 53’ do të vinte dhe goli i dytë sërish nga Lokateli, por këtë herë asisti erdhi nga motorri i mesfushës italiane, Nicolo Barela.

Edhe pse, me 2 gola në epërsi, ‘axurrët’ vazhduan dominimin e lojës, duke mos i lënë hapsira Zvicrës, për të rikuperuar. Goditja fatale erdhi në minutën e 89’ nga lideri i sulmit italian, Çiro Imobile, i cili pas një pasimi nga mbrojtësi Toloi bën “çmendurinë” dhe më një goditje nga 25 metra çon shifrat në 3 me 0, duke i dhuruar Kombëtares së tij kualifikimin për në fazën tjetër. Në ndeshjen e rradhës në grupin A, Italia do të përballet me Uellsin, për të vulosur përfundimisht se kush do të kualifikohet si skuadra e parë e grupit, ndërsa Zvicra do të “lufojë” me Turqinë, për të siguruar vendin e tretë në grup dhe nëse do të jetë me fat do të kalojë në fazën tjetër. Ndërkaq, ditën e sotme do të luhen 3 sfida të tjera, në orën 15:00 Ukrainë-Maqedoni, në orën 18:00, Danimarkë-Belgjikë dhe në orën 21:00, Hollandë-Austri, ku në rast fitoreje të Hollandës do të kemi një tjetër ekip që siguron kualifikimin për në fazën tjetër.