Dimri nuk ka ikur, dëbora bllokon Dibrën, trashësia arrin deri në 80 centimetra

188
Sigal

Vijojnë reshjet e borës në Qarkun e Dibrës, ku trashësia në qytetin e Peshkopisë kalon mbi 45 cm ndërsa në zonat e thella varion 70-80 cm.

Rrugët nacionale që lidhin Peshkopinë me Tiranën dhe Peshkopinë me Kukësin kalohen me zinxhirë.

Aksi Peshkopi- Qafë Draj drejt Kukësit dhe Ura e Çerenecit – Librazhd kalohen pjesërisht por nuk janë të hapura.

Të gjitha njësitë administrative janë të bllokuara, përveç atyre që janë përgjatë rrugëve nacionale.

Fadromat e kontraktuara nga Bashkia kanë hapur vetëm rrugët kryesore të qytetit, ndërsa nëpër fshatra vijojnë të mbeten të bllokuara.

Si pasojë e rëndesës nga bora janë thyer pemë, shtylla dhe janë këputur telat e energjisë elektrike, duke lënë në errësirë më shumë se 80% të Dibrës.

Situatë e vështirë është edhe në rrethin e Bulqizës ku trashësia e borës kalon gjysmë metri. Në Segmentin nga Pishat e Bulqizës deri në Qafën e Buallit ka pasur bllokime të herë pas hershme për shkak të dëborës.