Antimafia për shqiptarët: Kokainë e heroinë nga Amerika Latine, 18 mln euro do pastroheshin në një bankë në Tiranë

131

Grupet kriminale shqiptare po sigurojnë kokainë dhe heroinë me çmime konkuruese për tregun italian falë lidhjeve në Amerikën Latine. Dokumenti citon edhe sekuestrimin e 18 milionë eurove që po pastroheshin në një bankë në Tiranë.

Sigal

Antimafia italiane ka prezantuar në Dhomën e Senatit raportin e gjashtëmujorit të dytë të vitit 2021 ku thekson se grupet kriminale shqiptare kanë marrëdhënie të qëndrueshme me organizatat kriminale mafioze italiane. Ato, sipas dokumentit, kanë gatishmëri për të ofruar lëndë narkotike me çmime konkurruese. Vitin e kaluar sipas Antimafias, shqiptarët janë në gjendje të qarkullojnë sasi të mëdha kokaine dhe heroine falë bashkëpunimit me shqiptarë të tjerë të pranishëm kryesisht në Shqipëri si dhe në Amerikën Latine dhe vende të tjera të Europës.

Por sipas dokumentit italian grupet kriminale shqiptare janë të përfshira edhe në menaxhimin e transportimin përmes detit të ngarkesave të mëdha të marijuanës, vend prodhues i të cilës është Shqipëria.

Në raport evidentohet operacioni i nëntorit 2021 i kapjes së 18 milionë euro për qëllim riciklimi në një bankë shqiptare ne Tiranë e për llogari të sipërmarrësit italian i dënuar për bashkëpunim mafioz.

Francesco Zummo, 90 vjeç, i konsideruar sipërmarrës lokal në dispozicion të mafias siciliane Cosa Nostra qysh në kohën e Totto Riinas dhe Bernardo Provenzanos është akuzuar për riciklim parash në sektorin e ndërtimit.

Në periudhën kohore marrë në analizë, krahas masave të kryera si pjesë e aktiviteteve hetimore të lidhura, vihet re arrestimi dhe sekuestrimi të rreth 31 milionë eurove, 13 prej të cilave të depozituara në një fond banke në Nassau (BHS) dhe 18 në një institucion krediti në Tiranë të paguara nga sipërmarrës i njohur palermitan Zummo dhe kontabilisti i tij Fabio Petruzello.

Të arrestuarit në thelb, siç shkruan ky raport, duke përfituar nga dështimi i procedurave të letërporosive ndërkombëtare, kërkonin të zhvendosnin kapitalin e madh në rastin e fondeve të transferuara në Shqipëri.

Në raport theksohet niveli i lartë i korrupsionit në Shqipëri që ka favorizuar aktivitetin kriminal te grupeve shqiptare.

DIA italiane ka komunikuar gjithashtu se në këtë periudhë kohore ka kapur 177 kriminelë të shpallur në kërkim, ka ekzekutuar 1325 operacione, ka vënë nën arrest 11 478 persona, e i ka sekuestruar grupeve kriminale e mafioze pasuri mbi 7.5 miliardë euro.

Raportet ndërkombëtare  për drogën dhe njolla në sigurinë kombëtare të shqiptarëve

-Europol: Edhe për vitin 2021, Shqipëria mbetet burim kryesor i drogës drejt BE-së.

-Agjencitë hetimore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara: Shqipëria renditet si portë hyrëse me kokainën që vjen në rrugë ujore nëpërmjet kontejnerëve dhe kokaina vjen nëpërmjet ajrit me avionë.

– “Përpjekjet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE nën Edi Ramën kanë dështuar gjithmonë për shkak të persekutimit të paqëndrueshëm të bosëve të drogës në Shqipëri.” – shkruhet mes të tjerash në reportazhin e ZDF-së gjermane për mafian shqiptare.

– Një raport i (UNODC): Ryshfeti, korrupsioni dhe pengimi i drejtësisë janë disa nga mjetet që lehtësojnë krimin e organizuar.

-Në Europën Perëndimore dhe Qendrore, 24% e të gjitha përmendjeve të vendeve kryesore të origjinës së barit të kanabisit kishin të bënin me Shqipërinë, ndërsa në Europën Juglindore kjo përqindje u rrit në 61% gjatë periudhës 2014-2018.

– Këshilli i Europës deklaroi se niveli i provave të kërkuara për të vërtetuar krimin nuk është gjithmonë i qartë për praktikuesit në Shqipëri dhe procedurat e pastrimit të parave kryesisht pezullohen ose pushohen nga prokuroria