Prof. Kristaq Kume: Integriteti i zgjedhjeve të 25 prillit 2021. PS përdori asetet dhe fonde financiare publike

297
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Drejtori ekzekutiv i Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve analizon përkeqësimin e zgjedhjeve të 2021, në krahasim me 2017. 

Ja pjesë nga raporti: 

Përkeqësimi i zgjedhjeve të 2021, në krahasim me 2017. PS përdori asetet publike dhe fonde financiare publike 

Zhvillim i zgjedhjeve në përputhje me standardet për zgjedhje të lira e demokratike, dhe në zbatim të parimeve të trashëgimisë zgjedhore evropiane dhe angazhimeve të OSBE-së, është kusht themelor për zhvillimin e demokracisë. Rregullat dhe parimet drejtuese të demokracisë kërkojnë që shoqëria civile të angazhohen në proceset zgjedhore, nëpërmjet monitorimit, vëzhgimit dhe vlerësimit të nivelit të plotësimit të standardeve të gjithëpranuar për zgjedhjet demokratike. Indeksi i Integritetit te zgjedhjeve është një ndër treguesit sasior integral që aktualisht përdoret për të vlerësuar dhe për të gjykuar për nivelin e plotësimit të këtyre standardeve. Vlera e këtij indeksi është shumim i efekteve që sjellin, në një proces zgjedhor, hartimi dhe cilësia e legjislacionit, zbatimin e tij nga të gjithë, parti politike e kandidatë, administrata zgjedhore, institucione publike të pushtetit qendror e lokal, institucionet ligjzbatuese dhe zgjedhësit.

“Efekt më të madh negativ në integritetin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, 25 prill 2021, vlerësohen se kanë indikatorët: “Ndarja e zonave zgjedhore” (28.5 pikë), “Financimi i fushatës zgjedhore” (40.25 pikë) dhe “Ankimimet” (54.25 pikë)”

25 prill 2021, vlerësohet në nivelin “I moderuar”

Duke ju referuar vlerës së PEI2021, (57,65 pikë), Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, 25 prill 2021, vlerësohet në nivelin “I moderuar”. Në krahasim me zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në vitin 2017, për të cilat ‘Pippa, N. et al.’ kanë publikuar PEI2017 = 53.2 pikë, Integriteti i zgjedhjeve është përmirësuar me rreth 8.3 pikë përqindje. Në rritjen e vlerës së indeksit të integritetit të zgjedhjeve, 25 prill 2021, kontribut të ndjeshëm kanë dhënë indikatorët që pasqyrojnë procesin e votimit ditën e zgjedhjeve (77.75 pikë) dhe procesin e numërimit të votave (76.75 pikë). Të dy këto faza të procesit zgjedhor, vlerësohet se u zhvilluan në përputhje me kërkesat e legjislacionit shqiptar. Në këto dy faza u plotësuan, në përgjithësi edhe kërkesat që lidhen me standardet që duhet të kenë zgjedhjet demokratike në procesin e votimit dhe numërimit të votave.

Indikatorët që kanë efekt më të madh negativ në zgjedhjet parlamentare

Efekt më të madh negativ në integritetin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, 25 prill 2021, vlerësohen se kanë indikatorët: “Ndarja e zonave zgjedhore” (28.5 pikë), “Financimi i fushatës zgjedhore” (40.25 pikë) dhe “Ankimimet” (54.25 pikë).

Ndarja e zonave zgjedhore

Perceptimet për efektin negativ që gjeneroi në integritetin e zgjedhjeve ndarja në zona zgjedhore të vendit, është pasojë e faktit se, kjo ndarje, i diskriminoi partitë e vogla dhe partitë e reja politike. Ndarja e zonave ndikoi negativisht në proporcionalitetin e fuqisë së votës. Së bashku me pragun kombëtar, ato perceptohen si kushtëzime ligjore që, në mënyrë të veçantë, i vendosin në pozita të pabarabartë gare, partitë e vogla dhe kandidatët e pavarur, në krahasim me partitë e mëdha, PS e PD.

Financimi i fushatës zgjedhore

Indikatori që pasqyron financimin e fushatës zgjedhore klasifikohet në nivelin “Shumë i ulët”. Ndër treguesit me efekte më të forta negative, të cilët perceptohet se kanë ndikuar në vlerat e ulta të këtij indikatori, renditen:

-Vullneti i munguar i partive politike për të zbatuar kërkesat e Kodit zgjedhor në lidhje me financimin e fushatës.

-Shpeshtësia e fenomenit të shitblerjes së votës.

-Përdorimi i të dhënave personale për qëllim të garës zgjedhore.

-Përdorimi për qëllime të fushatës zgjedhore të aseteve publike, fondeve financiare publike dhe  aktiviteteve publike. Në veçanti përdorimi nga PS, në kundërshtim me kërkesat e ligjit, gërmën ose frymën e tyre, te të gjitha mundësitë që i jepte të qenit parti qeverisëse, në nivel qendror dhe lokal.

-Niveli i pamjaftueshëm i realizimit të pritshmërive nga monitorimin, në kohë reale, i shpenzimeve të partive politike gjatë, dhe për fushatën zgjedhore.

-Reagimi i institucionet ligjzbatuese, policisë së shtetit, prokurorisë dhe SPAK në parandalimin dhe dënimin e shkeljeve të ligjit zgjedhor.

“Administrimi i ankimeve nga KAS dhe gjykimi i padive nga Kolegji zgjedhor, perceptohet si treguesi me efekt negativ në integritetin e zgjedhjeve”

Ankimimet (54.25 pikë)

Administrimi i ankimeve nga KAS dhe gjykimi i padive nga Kolegji zgjedhor, perceptohet si treguesi me efekt negativ në integritetin e zgjedhjeve. Ankimuesit e vlerësuan, në të gjithë rastet vendmimarrjen e KAS të ndikuar nga interesi politik i Partisë Socialiste. Sipas tyre, edhe gjykimi prej Kolegjit zgjedhor i padive për vendimet e KAS, u bënë nën presionin politik.

Legjislacioni zgjedhor vlerësohet si një indikator në nivelin “I moderuar”

Legjislacioni zgjedhor vlerësohet si një indikator në nivelin “I moderuar”. Megjithëse në Kodin zgjedhor, të miratuar në bazë të Marrëveshjes së 5 qershorit, u bënë ndryshime dhe përmirësime të rëndësishme, ky indikator vlerësohet në këtë nivel, si pasojë e faktit se, ndryshimet  në Kushtetutë dhe ndryshimet që pasuan në Kodin zgjedhor, u bënë pa konsensusin e palëve.

Administrata zgjedhore vlerësohet si një indikator me efekt pozitiv në Integritetin e zgjedhjeve. Ky indikator klasifikohet në nivelin “I lartë”. Efekti kryesor për këtë perceptim është i lidhur me perceptimin pozitiv të punës së Komisionerit shtetëror dhe me nivelin e lartë të transparencës në punën e KQZ-së.

Lista e zgjedhësve dhe regjistrimi i subjekteve zgjedhore janë dy indikatorë, për të cilët, vlerat mesatare të perceptimeve, i klasifikojnë në nivelin “I lartë”.

Perceptimet për rolin e medias dhe për nivelin e zbatimit prej saj të kërkesave të Kodit zgjedhor, e klasifikojnë këtë indikator në nivelin “I moderuar”. Krahasuar me zgjedhjet e mëparshme parlamentare, ky indikator ka vlerë më të madhe pozitive me rreth 16.9 pikë përqindje, duke u pozicionuar nga niveli “I ulët”, në nivelin “I moderuar”.

Vlerësime karahasuese – zgjedhjet 2017 vs. zgjedhjet 2021-

Analiza krahasuese e vlerave të indikatorëve që përdoren për të vlerësuar integritetin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, 2017 dhe 2021

“Reformimi dhe ristrukturimi i KQZ-së, nga një institucion kolegjal, në një institucion me një komponent autokratik dhe dy trupa kolegjiale, nuk solli asnjë efekt pozitiv në administrimin e ankimeve”

Përkeqësimi i zgjedhjeve të 2021, në krahasim me 2017

Legjislacioni zgjedhor vlerësohet si një indikator që, në krahasim me zgjedhjet e viti 2017, rritet në vlerë me rreth 42.7 pikë përqindje. Megjithëse ai vazhdon të klasifikohet në nivelin “I moderuar”.

Krahasimi i vlerave mesatare të indikatoreve që lidhen me fazën e ankimeve dhe ndarjen e zonave zgjedhore, të vlerësuar për zgjedhjet, 2017 dhe 2021, tregon se për të dy këta indikatorë, vlerat e perceptimeve, kanë pësuar rënie të ndjeshme, respektivisht me rreth 23.5 pikë përqindje dhe 42.4 pikë përqindje. Një fakt i tillë do të thotë se: Reformimi dhe ristrukturimi i KQZ, nga një institucion kolegjal, në një institucion me një komponent autokratik dhe dy trupa kolegjialë, nuk solli asnjë efekt pozitiv në administrimin e ankimeve. Përkundrazi, perceptimet për mënyrën se si KAS i administroi ankimet e bëra nga subjektet zgjedhore, e vlerësojnë si më pak efektive, në kuptim të zbatimit të ligjit, punën e këtij komisioni, në krahasim me  mënyrën si i trajtoi ankimet KQZ gjatë zgjedhjeve parlamentare, 2017.  Duke qenë se në të dy zgjedhjet parlamentare, 2017 dhe 2021, ndarja e vendit në njësi zgjedhore ishte e njëjtë, perceptimi për efektin negativ të këtij indikatori në integritetin e zgjedhjeve, 2021, shpjegohet me perceptimet për sinergjinë negative që gjeneroi kjo ndarje e pandryshuar, në bashkëveprimin e saj me ndryshimet që u bënë në Kushtetutë dhe në Kodin zgjedhor, të cilat ndryshuan rregullin për koalicionet parazgjedhore dhe vendosjen e pragut kombëtar. Ndryshimet dhe përmirësimet që u bënë në kuadrin ligjor për financimin e fushatave zgjedhore, nuk mjaftojnë. Është akoma e nevojshme që të rikonsiderohet kjo çështje në ndryshimet e ardhshme që mund të bëhen në Kodin zgjedhor, duke ju shtuar atyre, edhe ndryshimet që duhet të bëhen në ligjin për financimin e partive politike.