Tensione sërish në Kuvend/ Deputetët e opozitës fryjnë bilbilat dhe bllokojnë foltoren, shumica shtyn interpelancën për “McGonigal”

96
Sigal

Tensionohet sërish situata në Kuvend. Deputet demokratë të pranishëm në seancën plenarë kanë reaguar kundër vendimit të përjashtimit të 12 deputetëve të opozitës. Në seancë deputetë demokratë kanë protestuar duke fryrë bilbilin dhe bllokuar foltoren. Ndërkohë Garda menjëherë është vendosur në rresht.

Deputeti Oerd Bylykbashi nga Kuvendi ka kërkuar ngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen e McGonigal.

Ai shtoi se Rama ka korruptuar ish-zyrtarin e lartë të FBI-së.

“Kemi kërkuar ngritjen e Komisionit Hetimor për një nga skandalet e mëdha që ka përfshirë edhe SHBA. Rama është një kryeministër korruptues. Kërkojmë Komision Parlamentar. E di që kam kolegë këtu që Edi Rama sot u ka ulur kokën. Ky parlament dhunon edhe atë që thotë Gjykata Kushtetuese. Ju jeni gati të fikni drita të prishni edhe mikrofonat vetëm për të zbuluar se çfarë ndodh.”, tha ai.

Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj e cila sot drejtonte seancën parlamentare, tha se kërkesat e opozitës për interpelanca apo për ngritjen e Komisionit Hetimor janë vendime që janë marrë në konferencën e kryetarëve të datës 7  shkurt. Sipas këtij vendimi ngritja e Komisionit Hetimor është shtyrë deri në në miratimin e ligjit për organizimin dhe funksionimin e komisioneve të kuvendit.

“Me vendimin e datës 7 shkurt Konferenca e kryetarëve ka vendosur:

1 -bashkimin e interpelancave të shqyrtohen njëherë bazuar në nenin 89 të rregullores. Kjo i jep të drejtë kryetarit të kuvendit të vendosë që pyetjet që lidhjen me çështje të njëjta grupohen së bashku dhe shqyrtohen njëherësh.

2-Shtyrjen e kërkesës së 44 deputetëve të PD për ngritjen e komisionit hetimor për verifikimin e ligjshmërisë të takimeve të Ramës me McGonigal deri në miratimin e ligjit për organizimin dhe funksionimin e komisioneve të kuvendit”-tha Felaj.