Masakra e “Micro Credit”, Sejko: Banka e Shqipërisë nuk kishte informacion që mashtronte qytetarët

22
Sigal

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko raportoi në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, në lidhje me shqetësimet publike për masakrën financiare të kompanive “Micro Credit Albania” dhe “Final

Prej vitesh edhe Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Privatë ka ngritur zërin për abuzimet e mëdha dhe bllokimet e pronave, si presion që qytetarët të paguanin interesat dhe detyrimet që asnjëherë nuk zhdukeshin

“Realiteti tregon se mijëra qytetarë dhe familjet e tyre janë traumatizuar nga “Micro Credit Albania” për vite me radhë”

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka raportuar këtë të martë në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, në lidhje me shqetësimet publike për masakrën financiare të kompanive “Micro Credit Albania” dhe “Final”. I pyetur nga deputetët për kontrollin dhe licencat e këtyre kompanive mashtruese që u kanë marrë pronat mijëra qytetarëve dhe familjeve të tyre, Sejko u shpreh se ata nuk mund të bëjnë kontrolle në çdo kohë. “Është e pamundur që ne të ekzaminojnë në çdo ditë, në çdo muaj ose edhe çdo vit çdo institucion financiar të licencuar nga Banka e Shqipërisë, pasi janë 11 banka, janë 26 jobanka, 16 SHKK (Shoqëri Kursim-Krediti) dhe 500 zyra këmbimi. Është një numër subjektesh që do na kërkonte një ushtrim me ekzaminues. Ky është standardi ndërkombëtar që ndodh, në bazë të kritereve të riskut, ekzaminohen, ndiqen dhe rekomandohen. Ne kemi vajtur dhe kemi bërë ekzaminimin e kësaj kompanie në vitin 2020 për herë të parë, pasi fenomeni filloi të zmadhohej dhe informacioni për herë të parë nga ministria është marrë fiks në vitin 2020. Ne kemi vajtur dhe e kemi ekzaminuar kompaninë dhe janë lënë disa rekomandime”, u shpreh guvernatori. Më tej, Gent Sejko tregoi se kompanisë “Micro Credit Albania i është pezulluar licenca sepse nuk ka zbatuar rekomandimet e lëna në inspektimin e parë, por as në të dytin. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se kur kompania në fjalë ekzaminua, nuk kishte informacion për mashtrim financiar. Por, ndryshe është realiteti që tregon se mijëra qytetarë dhe familjet e tyre janë traumatizuar nga “Micro Credit Albania” për vite me radhë. Madje, prej vitesh edhe Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Privatë ka ngritur zërin për abuzimet e mëdha dhe bllokimet e pronave, si presion që qytetarët të paguanin interesat dhe detyrimet që asnjëherë nuk zhdukeshin. “Ne vajtëm për herë të dytë në vitin 2022 për inspektim dhe kemi vënë re mosplotësim dhe mosrespektim të rekomandimeve. Ne kemi marrë masë të dytë, për të adresuar problemin në varësi të shkeljeve brenda kuadrit rregullator që ka Banka e Shqipërisë. Ne nuk kishim informacion për mashtrimin financiar. Nëse kishte problematika të mashtrimit me klientët në zyrat përmbarimore, kjo gjë nuk na rezultoi. Ajo që ne shikojmë dhe që kemi parë, ka të bëjë me ato rreziqe që shikon Banka Qendrore, që kanë të bëjnë me likujditetin, korrektesën ndaj klientit, transparencën, raportimin financiar, të cilat rezultuan se kompania nuk ishte korrekte dhe ne vendosëm pezullimin e licencës, duke lejuar kompaninë të ristrukturonte kreditë dhe të vazhdonte uljen e detyrimeve për klientët, por të mos blinte portofole të reja. Pas një viti, në 2023 ne shkuam përsëri dhe vumë re që kishte devijanca, mosplotësime, se nuk i mbaj mend detajet”, u shpreh Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Debatet në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Mbledhja u zhvillua me tensione dhe debate, deputeti Agron Shehaj nuk kishte të drejtën e fjalës pasi iu hoq nga kryetari i këtij komisioni, Eduard Shalsi. Teksa guvernatori Sejko po shpjegonte dhe po u përgjigjej pyetjeve të deputetëve, ai tha se mund të ketë raste kredish për të cilat qytetarët nuk kanë qenë në dijeni. Kjo deklaratë e Sejkos u kundërshtua nga deputeti Shehaj, i cili ndonëse pa mikrofon dhe të drejtën e fjalës, ngriti zërin në sallë duke “ia përplasur” guvernatorit se nuk janë vetëm disa raste, por qindra-mijëra. Ky reagim i Shehajt solli sërish debate në këtë komision ku kryetari Shalsi e paralajmëroi për të disatën herë dhe vijoi të theksonte se shqiptarët janë të zgjuar dhe dinë të ndajnë faktet dhe deklaratat “fake”. “Zotit Shehaj mos i jepni përgjigje të lutem. Zotit Shehaj i tërheq vërejtje për ndërhyrjet e parregullta në Komision”, iu drejtua Shalsi deputetit Shehaj.

Pjesë nga debati:

Sejko: Mund të ketë raste kredish që nuk kanë qenë në dijeni të detyrimit, detyrimi mund të mos jetë mbyllur, nuk i di.

Shehaj: Ka me qindra mijëra raste.

Sejko: Nuk janë me qindra mija raste, zoti Shehu të lutem se kam shumë respekt ndaj teje. Unë nuk buzëqesh asnjëherë për problemet. Më the mos ndërhy dhe unë nuk të ndërhyrja, pse më ndërhyn në përgjigje. Qindra mijëra raste nuk është e saktë.

Eduard Shalsi: Zoti Guvernator një sekondë, të lutem. Zotit Shehaj mos i jepni përgjigje të lutem. Zotit Shehaj i tërheq vërejtje për ndërhyrjet e parregullta në Komision. Guvernator të lutem. Zotit Shehaj i tërheq vërejtje. Nuk është synimi të zbardhë të vërtetën por të bëjë protagonizmin dhe po të them zyrtarisht që të tërheq vërejtjen në komision për mosparaqitje, ndërhyrje dhe çakordim me qëllim të komisionit. Ka arritur disa konkluzionet do të vazhdojë me qindra-mijërat e tij do të mbjellë panik, nuk e di çfarë qëllime ka. I kam hequr të drejtën e fjalës, rast i përsëritur. Ka një vit që nuk vjen në mbledhje komisioni, rregullorja thotë që duhet të vijë dhe nëse mungon në 3 mbledhje rresht kërkohet zëvendësimi. Ndërkohë tani do të bëjë zhurmuesin kjo është mënyra operandi dhe pesandi e kësaj kategorie deputetësh që s’kanë kuptuar pse janë këtu dhe çfarë roli kanë. Guvernator të lutem shumë jemi në finale dhe këtu nuk është shqetësim protagonizmi i një deputeti por jemi për t’ju përgjigjur të gjithë deputetëve të tjerë. Të lutem vijoni me përgjigjet, i pëlqejnë apo jo një deputeti, ata që na dëgjojnë dhe na shikojnë janë majftueshëm shqiptarë të zgjuar për të ndarë faktet dhe fake news.