Sulejman Mema: Finalja e “Final 4” Partizani-Egnatia, nis nga tifozeria

22

INTERVISTA/ Specialisti i futbollit shqiptar Sulejman Mema e shikon skemën e Superiores të arrirë

Sigal

 

Agron KAJA

Superiorja po luan në skemën “Final 4”, e cila ka tërhequr vëmendjen e tifozerisë, ju si i përshkruani dy ndeshjet e para?

Dy sfidat e para të “Final 4” kanë qënë interesante, ku Partizani dominoi që në ndeshjen e parë Skënderbeun si një skuadër profesioniste. Egnatias i ka rrëshkitur pak këmba dhe u kualifikua me zorr, por mendoj se e ka merituar finale e “Final 4”.

Cilën nga dy ndeshjet e para gjysmëfinale të “Final 4” e veçoni në treguesit më të mirë të tyre?

Unë mendova se skuadrat do ishin të lodhura, por jo, ishin mirë fizikisht. Vllaznia e kërkoi fitoren, e prisja nga eksperienca e saj. Ndërsa Partizani ishte superior ndaj Skënderbeut dhe do jetë një tjetër skuadër në finale e “Final 4”, kjo edhe me  tifozerinë e saj.

Në këto dy ndeshje të luajtura në “Final 4” kishte elementë të veçantë që “çaluan” me këtë skemë?

Trajnerët e dinë se kanë çeduar në dy-tre elementë, që t’i rregullojnë për të ardhmen: Te goditjet standarte, në qarkullimin e topit dhe përfundimin e aksioneve në portat kundërshtare. Dhe këtu munguan shumë aksionet vertikale.

Mundej të shmangej Skënderbeu nga kjo skemë, nisur nga vazhdimi i dënimit të tij nga UEFA?

Mendoj se mund të ketë patur edhe tolerime në hyrjen e Skënderbeut në “Final 4” në ndeshjen e fundit në Shkodër. Por kjo nuk shmangej në renditje, edhe pse Skënderbeu ka bërë një kampionat të mirë, por fundi i fazës së katërt nuk ka qënë dinjitoz.

Do luhen finalja Partizani-Egnatia për titullin dhe Skënderbeu-Vllaznia për vëndet 3 dhe 4, keni një parashikim?

Mendoj se ndeshja finale Egnatia-Partizani do të nisë nga tifozeria që ka Partizani, e cila këtë herë mund të jetë arma kryesore, së bashku me karakterin që ka e fanelën që ka. Vllaznia i ka të gjitha mundësitë që të luajë në Europë.

U luajt edhe ndeshja Play-off për Superioren ku Laçi-Flamurtari 3-1, ishte kjo një ndeshje superiorësh?

Unë e mendoja ndryshe Flamurtarin, por Laçi është një fushë e vështirë për çdo kundërshtar. Meritë te Laçi ka edhe trajneri Armando Cungu, i cili është një trajner i perspektivës dhe Laçin e ka ndihmuar shumë për mbijetesën në Superiore.

Te Kombëtarja, trajneri Silvinjo nuk e ka publikuar listën e të grumbulluarve për “Euro 2024”, është i vonuar?

Nuk është i vonuar, sepse ai dhe stafi i tij te Kombëtarja kërkojnë që çdo detaj ta fiksojnë mirë, jo vetëm që të mos ketë hatërmbetje, por për të marrë më të mirët në europian. Besoj se javën tjetër ai do ta ketë një listë, e cila mund të mbetet e hapur.

Çfarë mendoni se do na sjellin në dy miqësoret e rradhë nga Kombëtarja?

Miqësoret janë të domosdoshme, sepse aty trajneri do shohë gjëndje fizike të futbollistëve, dhe mendon për të harmonizuar grupin. Aty trajneri duhet tu japë mundësi sa më shumë prej lojtarëve, dhe pas tyre të vendosë listën përfundimtare.

Jemi në pragun e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”, edhe 23 ditë, ku e mendoni Shqipërinë në këto finale?

Unë së pari dëshiroj që Shqipëria të marrë pikë në grup, sepse mos harrojmë që  ka përballë skuadra eksperte në kampionate Europiane e Botërorë. Por nuk them se do jetë e pamundur që t’i kalojë, sepse gjithçka do luhet në fushë, historia pak vlen.

Ndeshja finale “Final 4”, me bilbilin anglez Anthony Taylor

Të dielën e 26 majit do të luhet ndeshja finale për titullin kampion në Abissnet Superiore 2023-2024. Partizani-Egnatia. Kjo sfidë që luhet për herë të parë në skemën “Final 4”, do të zhvillohet të dielën më datë 26 maj, ora 19:00 në stadiumin “Air Albania”. Nga FSHF-ja janë bërë publikë arbitrat anglezë që do të drejtojnë këtë takim: Anthony Taylor kryesor; Gary Besuik (asistent i parë) dhe Adam Nunn (asistent i dytë); në sistemin VAR është Robert Jones. Arbitëri i katërt do të jetë Enea Jorgji, në AVAR Kreshnik Barjamaj.

 

ABISSNET SUPERIORE

VERDIKTET 2023-2024

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Egnatia         (F4)     36        63

2.Partizani       (F4)     36        63

3.Vllaznia        (F4)     36        59

4.Skënderb.     (F4)     36        51

5.Tirana                       36        50

6.Teuta                        36        50

7.Dinamo City               36        47

8.Laçi              (P-O)   36        46

9.Erzeni           (K1)     36        32

10.Kukësi        (K1)     36        27

NDESHJET “FINAL 4”
E premte, 17 maj 2024

Partizani-Skënderbeu  1-0      

Kualifikohet Partizani 

E dielë, 19 maj 2024

Egnatia-Vllaznia                     0-0      

Kualifikohet Egnatia

Për vendin 3 dhe 4

E premte, 24 maj 2024

Skënderbeu-Vllaznia   19:00

Finalja e “Final 4”

E dielë, 26 maj 2024

Partizani-Egnatia                     19:00

 

KRYEGOLASHËNUESI

Sulmuesi dhe kapiteni i Vllaznisë Bekim Balaj u shpall golashënuesi më i mirë i Abissnet Superiore për sezonin 2023-2024. Shkodrani shënoi 17 gola në kampionat, duke lënë pas dy futbollistë bardheblu: Kristal Abazajn, që shënoi 11 gola dhe Florent Hasani me 10 gola. Aftësia e tij e lidershipit u pa qartë në shërbim të skuadrës në 36 ndeshjet e kampionatit, një frymëzim ky për lojtarët e skuadrës së tij, me sakrificën që bëri në fushë.

Finalja “Final 4” edhe për çekun 1 milion euro

Këtë fundjavë do të mbyllet zyrtarisht topkëmba shqiptare, pasi luhen dy ndeshjet e fundit të “Final 4”. Ndeshja për titullin kampion në Abissnet Superiore, Egnatia-Partizani, si dhe ndeshja Skënderbeu-Vllaznia që përcakton zyrtarisht vëndet 3 dhe 4. Por ka një të veçantë te sfida finale, pasi ajo do jetë ndeshja më e shtrenjtë në historinë e futbollit elitar shqiptar. Sepse ekipi fitues merr një shpërblim të dyfishtë që arrijnë mbi 1 milion euro: Së pari, do të përfitojë 100 milionë lekë nga FSHF-ja si ekipi fitues i kampionatit, së dyti, janë të ardhurat që vijnë nga UEFA pasi shkon në Ligën e Kampioneve me përfitime minimalisht 960 mijë euro. Kështu, kjo finale do të hyjë në histori si më e shtrenjta në futbollin shqiptar. Ndërkohë, vendi i dytë merr 70 milionë lekë, vendi i tretë 50 milionë dhe vendi i katërt 20 milionë lekë të vjetër, ndërsa fituesi i Kupës së Shqipërisë merr 50 milionë lekë.