Sofokli Mekshi: “Studenti i bujqësisë”, gazeta që përcillte klorofil në shpirtrat e rinisë

862
Sigal

Rrëfimet e Sofo Mekshit, njërit prej themeluesve, në 50-vjetorin e lindjes së gazetës

“Studenti i Bujqësisë”, gazeta që përcillte klorofil në shpirtrat e rinisë

Një nga tribunat e medias shqiptare, “Studenti i Bujqësisë” nisi rrugëtimin e saj më 31 janar 1969 me një tirazh prej 200 kopjesh dhe janarin e 2019-ës ajo mbush 50-vjetorin e lindjes së saj. Që nga numri i parë kryeartikullin e të cilit e shkroi Sulejman Pepa e deri sa mbylli aktivitetin doli në 457 numra duke ndërruar edhe tri herë emrin e saj, emër të cilin e pagëzoi si “Studenti i Bujqësisë” Qevqep Kambo. Gazeta doli në një kohë kur në Shqipërinë komuniste kishin filluar të frynin erërat liberale që do të ndërpriteshin shumë shpejt me dënimin e grupit armiqësor në art dhe kulturë. Një nga gazetarët veteranë, ish-gazetar dhe redaktor që nga numri i parë e përreth katër vite radhazi, Sofo Mekshi, sjell për lexuesin e gazetës “Telegraf” atmosferën e daljes në dritë të kësaj gazete; ku shkruan dhe u përgatitën jo vetëm specialist bujqësie, por edhe gazetarët më në zë të gazetarisë shqiptare. Ja çfarë sjell me kujtimet e tij gazetari Sofo Mekshi:

Z. Sofokli, ju jeni nga themeluesit dhe gazetarët e parë të gazetës “Studenti i Bujqësisë”, çfarë kujtoni nga numri i parë dhe si u përgatit botimi i saj?

Ka ndodhur 50 vjet më parë, por unë kurrsesi nuk mund të mos i sjell të freskëta ato përjetime, pasi njëherësh me nisjen e shkollës së lartë, fillova rrugëtimin tim pafund drejt gazetarisë. Në faqet e gazetës qendrore “Zëri i Rinisë” aso kohe, ishte çelur diskutimi” Mbi marrëdhëniet djem-vajza” U angazhova të merrja pjesë. Përgatita një artikull, të cilin e titullova: “Të luftojmë pikëpamjet e gabuara konservatore e liberale”. Me shkrim dore e përcolla tek shokët e mi të grupit për të marrë vizën dhe vrap tek zyrat e gazetës, të cilat ishin në të njëjtën godinë me Komitetin Qendror të PPSH, (Diktatori siç duket ia kishte frikën rinisë, ndaj e mbante nën sqetull “Zërin” e tyre.) Nuk gjeta njeri në zyra, prandaj e futa poshtë derës dhe u largova, duke përjetuar ditë të tëra ankthin e pritjes. Pas 10 -12 ditësh, shoku im Zef Gjoni më solli gazetën ku ishte botuar shkrimi. Gëzim i madh,, më uronin shokët e grupit por edhe të kursit të parë. Ky ishte, si të thuash provimi i parë, të cilin e kisha marrë. Autoritetet e rinisë së Institutit më kërkonin për të më “federuar” në ekipin që po përgatiste kushtet për lindjen e gazetës sonë. Nën kujdesin e pedagogëve Prof. Dr Hulusi Hako dhe Doc. Qefqep Kambo u zhvillua mbledhja e parë e redaksisë. Kryeredaktor u emërua student Fuat Memeli, ndërsa redaktor studentët Namik Dokle, Avdi Dulo dhe unë. Pagëzimi na hëngri më shumë kohë. U hodhën propozime të titullohej “Zëri ynë”, “Tribuna Jonë” “ Studenti”, ky i fundit u rrëzua, sepse ketë emër kishte gazeta e studentëve të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Në këtë hulli Qevqep Kambo propozoi që emrit ‘Studenti’ t’i shtohej mbiemri “i Bujqësisë” dhe kështu u zgjidh edhe problemi i titullit. Numri i parë doli, më 31 Janar 1969. U shtyp aty ku shtypeshin dispensat e lëndëve, pra me makinë shkrimi, në 8 faqe letër A4, të lidhura me kapëse teli, në 200 kopje. Kështu gazeta nisi rrugëtimin e saj pa mbarim tek studentët, si një fllad që përcillte klorofil në shpirtin e rinisë.

Sa vjet vijuat bashkëpunimin me atë gazetë?

Gjatë katër vjetëve, si student, çdo nunër i gazetës kishte edhe firmën time. Pas një viti, “Studenti i Bujqësisë” filloi të botohej, si gazetë e rregullt, me linotip, në shtypshkronjën “Mihal Duri”. Ne, pasi ishim vetëzbuluar si gazetarë shkruanim artikuj, zbulonim talentet e reja nga radhët e studentëve të të gjitha fakulteteve, përgatisnim shkrimet për botim, bënim faqosjen dhe ndiqnim gjithë procesin e daljes së numrit që nga korrigjimi i bocave, deri tek firma për shumëfishimin e gazetës. Më pas kryenim shpërndarjen nëpër fakultete, duke mos harruar të dërgonim kopje edhe tek gazetat simotra. Në vitin 1989, mora një ftesë, si i ftuar nderi, me rastin e festimit të 20 vjetorit të daljes së numrit të parë te gazetës sonë. Mbresa e kujtime shumë të bukura. U mblodhëm të gjithë si atëherë kur nxorëm në jetë numrin e parë. Tashmë ishim gazetarë të formuar, disa edhe drejtues të gazetave qendrore e lokale. Erdhi Fuat Memeli nga Televizioni Shqiptar, Namik Dokle nga gazeta “Puna”, Xhevdet Shehu nga “Zeri Rinisë”, Qemal Sakajeva nga “Bashkimi”, Pasho Baku e Xhevdet Bashllari nga “Bujqësia Socialiste”, unë nga “Fitorja”, Avdul Dulja nga “Zëri Popullit”, ndërsa korçari Avdi Dulo, nga punët e partisë në Bilisht. Më duhet të them se, shumica e gazetarëve e korrespondentëve te shtypit qendror e lokal, ishin ish-studentë të Institutit Bujqësor, që përveç profesionit, kishin kryer edhe shkollën e gazetarisë tek “Studenti i Bujqësisë”. E ka një shpjegim edhe ky fakt. Shkolla jonë, godinat e banimit dhe auditorët, ishin ngritur mbi një kodër të rrethuar me pisha e pemë frutore. Në këtë stinë aty, lulet e kumbullave, të dardhave apo të pjeshkave dhe trëndafilat të çajnë hundën me aromën e tyre. Vreshti që fillonte nga fusha e ngjitej deri ndanë rrugicave përqark Kodër- Kamzës, formonin një kompleks banimi ishullor të gjelbër sikurse “Manastiri i Parmës”. Në atë mjedis nuk mund të mos frymëzohej për të shkruar poezi Sinan Elmazi e Fotaq Paço deri edhe ushtaraku Agim Doçi, i cili na përgatiste për mbrojtje, duke na lexuar krijimet e tij poetike më të reja. Dr. Bege Musta shkruante portrete studentësh dhe pedagogësh, Jakup Gjoça shkruante reportazhe nga Dajti por edhe nga Ksamili i atyre viteve etj., etj… Në vitin 1994, në moshën 25 vjeçare, ashtu e re, si studentët që i ushqente me nektarin e luleve, gazeta nuk doli më. Ajo iku pa kthim bashkë me atë brez studentësh. Gjatë kësaj jete, ishin botuar 457 numra, kishin punuar vullnetarisht gati 86 studentë të Bujqësorit. Bashkëpunimi me gazetën tonë ishte si një stafetë, që jepej në duar të tjera çdo 3-4 vjet, prandaj gara ishte e fortë për sa i përket cilësisë së shkrimeve.

Si pasqyrohej jeta e rinisë të asaj kohe dhe problematikat që kishte, liberalizmi dhe autoritarizmi i politikave në drejtim të artit, kulturës dhe jetës studentore?

Shumicën e faqeve të gazetës e zinin problematikat e edukimit ideopolitik dhe shkencor të rinisë studentore. Portretet, skicat letrare, reportazhet, deri edhe fejtonet apo karikaturat, të gjitha ishin në funksion të formimit ideologjik të studentëve me mësimet e partisë dhe të udhëheqësit të saj. Vitet 1968 -1972, ishin vite të një periudhe liberalizmi, e shfaqur dukshëm në jetën tonë. Kishim filluar të zgjatnim flokët por edhe basetat në faqe, të vishnim pantallona të gjera e të gjata, sipas modës së kohës. Tek studentët e Tiranës, por edhe midis nesh që shumica vinim nga fshatrat, mbrëmjet e vallëzimit me muzikë, xhaz e rrok , zgjasnin deri natën vonë. Leksionet hera-herës, nuk frekuentoheshin rregullisht. Pra kishte shthurje në jetën e përditshme por edhe në atë akademike.

Çfarë ju bën të qeshni sot me veten nga kujtimet ne gazetë?

Ka shumë mbresa e kujtime, ka artikuj që qesh edhe sot me to pas kaq e kaq vitesh. Siç thash, që në fillim kisha botuar një artikull tek “Zëri Rinisë”, jo vetëm unë, dhe na gënjente mendja se dinim çdo gjë, se ishim bërë gazetarë. Guxoja të shkruaja e të botoja reportazhe, fejtone, skica letrare e humoristike, tregime, por jo kurrë poezi. Por kur lexoja krijimet artistike e publicistike te Ismail Kadaresë, Driteroit, Xhevair Spahiut apo temat e prof. Hamit Boriçit, atëherë, lere atëherë, ishte zhgënjim jo i vogël. Duke ushtruar e duke lexuar letërsi e publicistikë, numër pas numri e vit pas viti arrita të bëhesha një gazetar i arrirë, duke e perfeksionuar të shkruarit, më vonë me botimet në gazetat e kohës, përveçse jo tek “Zeri i Popullit”. Debutimi atje ishte me përzgjedhje, duhej të ishe anëtar i Partisë Punës, apo shumë i besuar i saj. Realisht mua aso kohe më mungonin të dyja. Përtej modestisë, rasti im është shumë i ngjashëm me rrugëtimin tuaj të gjatë në gazetari. Si edhe unë, ju e keni nisur si korrespodent vullnetar duke dërguar për botim shkrime të gjinive të ndryshme. Dhe ja, tash prej shumë vjetësh ju jeni një penë e mprehtë dhe një gazetar i fuqishëm në gazetën ku militoni. Ajo çka dua të them, është se profesionist, në çdo fushë, nuk të bënë vetëm shkolla, por leximi, dhe ushtrimi i pandërprerë duke u vetëkorrigjuar e duke latuar penën

Si njeri i shtypit, çfarë mendoni se duhet përsosur sot?

Të gjitha sistemet kanë liritë dhe kufizimet e tyre, sa i përket shtypit. Nga politikat redaksionale, askush nuk mund të kapërcej kufizimet e tij. Mua më vjen mirë se “Telegrafi” juaj është gazetë më liberale. Në këtë gazetë botohet mjaft letërsi cilësore, shkruhet për politikën e ditës por edhe për të shkuarën dhe njerëzit e saj, me dritëhijet e saj. Unë besoj se s’ka asgjë të keqe të thuhet e të shkruhet për të mirat e për të këqijat e sistemeve, që brezi i ri, të nxjerrë mësimet e duhura për të ecur përpara, në punët e veta. Së fundi dua t’ju uroj gjithë gazetarëve të medias së shkruar dhe televizive, të shkruajnë me guxim, të vërtetën dhe vetëm atë. Një falënderim të veçantë juve si gazetar dhe gazetës tuaj “Telegraf” që më krijuat mundësinë të tregoj për “Studentin e Bujqësisë” për atë tribunë ku unë kreva shkollën e parë te gazetarisë.

Ju faleminderit zoti Sofo! Intervistoi Agron MEMA