Gjëmon Mesapliku

854
Sigal

(Në kuadrin e 75-vjetorit të Brigadës VI Sulmuese)

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Shtabi i brigadës po bënte qëndresë

Kur arritën rrëzë maleve të Labërisë, forcat kryesore të nazistëve hitlerianë filluan të realizonin fazën përfundimtare të operacionit, duke i hedhur forcat në drejtimet Tepelenë-Bënçë-Lekdush, Velçë-Mesaplik-Tërbaç, Shënvasi-Borsh-Fterë-Mali i Golemit. Kështu, sipas tyre po mbyllnin të gjitha grykat dhe në malet e Labërisë po krijohej një rreth i hekurt. Sipas gjermanëve dara e rrethimit ish mbyllur. Në këto kushte të rënda, shtabi i brigadës kish vendosur të bënte një qëndresë të fortë. Kjo ide u përvetësua nga komandat, pastaj e bënë të tyre dhe çdo partizan. Komunikimi u bë nga njeri pozicion tek tjetri, pa mbledhje e pa mitingje dhe u pranua si e vetmja zgjidhje e mundshme që përputhej me mësimet ushtarake dhe me nderin e brigadës. Ndërsa popullsia e fshatrave, nën drejtimin e komandave të vendit, po bënte një zbrazje të plotë të vendbanimeve. Territorialet ishin rreshtuar në pozicione. Me gjënë e gjallë dhe me ato pak plaçka që mund të mermin në shpinë, fshatarët futeshin në thellësi të pyjeve e nëpër shpella. Atyre duhej t’u jepej kohë që të largoheshin sa më tepër nga qendrat e banuara. Në Drasën e Kuçit gjendej një spital i madh i partizanëve dhe të plagosurit rëndë, sipas një marrëveshje me misionin anglez, do të dërgoheshin në Borsh, që të shkonin në Itali me një vapor të vogël lufte. Gjersa të vinte vapori, rruga e Borshit duhej të mbahej e hapur me çdo kusht. Shtabi mori detyrë që forcat armike të mbaheshin të gozhduara sa më gjatë në Kurvelesh dhe të dëmtoheshin sa më rëndë divizionet gjermane të hedhura në operacion. Forcat e Brigadës VI Sulmuese këto qëllime i kishte rrënjosur në shpirtin e çdo partizani të brigadës dhe secili ishte i gatshëm me zemër e me mendje të luftonte në çdo rrethanë gjer në fishekun e fundit dhe të duronte çdo lloj vuajtje. Shtabi i brigadës duke vlerësuar drejt situatën, në një kohë të shkurtër mori masa për të dërguar për çdo kompani katër deri në pesë mitraloza të lehtë, mbi dhjetë automatikë, shpërndau municion dhe bomba dore plotësoi me 4 gryka zjarri baterinë e mortajave që ishte vendosur në Ramicë dhe dërgoi në vend mbi treqind predha.

Bjeruni nazistëve!

Armiku duke pasur epërsi, u hodh në sulm. Sado që digjej vendi nga shpërthimet e predhave, pozitat tona mbetën të pandryshueshme. Bateria e mortajave që nga Ramica hodhi mbi formacionin luftarak të armikut mbi dyqind predha. Dhe hitlerianët provuan ikjen, një ikje të shpejtë, duke lënë në vend mjaft ushtarë të vrarë. Për armikun ky episod mbyllet me njoftimin që shtabi i operacionit i jep Shtabit epror: “Batalioni II i Regjimentit të Dytë “Brandenburg”, në perëndim të Bratajt, u sulmua nga forca të mëdha të armikut prej Jugut dhe Lindjes, u detyrua të tërhiqet drejt Veriut në lartësitë në jug të Lepenicës”. Ndërsa për ne me këngën e popullit:

Në Ramicë u zu tapeja,

Plot me gjak ç’u mbush xhadeja…

Urdhëri për forcat e naziste ishte i prerë: “Të shkonin përpara, të shkelnin gjithë vendin, të shpartallonin forcat partizane!”. Në fshatin Brataj u dukën ushtarë hitlerianë, të cilët ecnin në formacion luftimi. Forcat partizane, tri kompani, kishin zënë pozicion në përruan e Sirollakut. Vendi ku ishin vendosur forcat partizane ishte mjaft i fortë. Si kudo, edhe këtu pozicionet partizane i goditën breshëri topash dhe mortaja. Armiku u hodh në sulm. Ai kërkonte me çdo kusht të çante përpara, të shkonte në drejtim të Tërbaçit dhe më në thellësi, në Kuç. Mbi dy batalione hitlerianësh mbushën rrugën dhe pllajën malit mbi Shushicë. Përleshja zgjati disa orë. Gjithnjë sulm dhe luftime të afërta. Në pozicione vinin edhe fshatarë nga Mesapliku, të cilët thërrisnin: “Bjeruni nazistëve!”. Majat e Çikës jehonin nga krisma pushkësh, bombash e mitralozash.

Haki Toska me shtabin në Ramicë

Duke ndjekur rrugën automobilistike Brataj-Vranisht-Kuç ranë në luftime në përruan e Sirollakut, afër fshatit Brataj, dhe pësuan dëme të ndjeshme. Atëherë hitlerianët me dy batalione të tjera sulmuan në anën e majtë të Shushicës dhe i goditën forcat partizane nga krahët. Detyra e këtyre sqarohet më mirë po të citojmë njoftimet që jep shtabi armik i operacionit ku thuhet: “Unaza mbyllëse në veri të grupeve të luftimit të KA XXI është përforcuar duke vënë për sigurim bat. të tretë të Regj. 724 në mes të krahut të majtë të Div. I Malor”. Divizioni i parë ka filluar sulmin koncentrik kundër terrenit malor rreth Nivicës. Luftimet më të ashpra u bënë në kodrat mbi fshatin Velçë dhe në majën e Ferës, një lartësi që ngrihet mbi të tjerat. Këto vende tani ishin pikat tona më të përparuara në sektorin e Mesaplikut. Veprimet e armikut ishin të koordinuara me forcat që u ngjitën nga Plloça e Sevasteri në drejtim të Qafës së Kreshtës dhe në malin Këndrevicë. Nga të dy anët, si nga Këndrevica dhe nga Qafa e Kreshtës, ata synonin të dilnin në Nivicë-Gusmar. Ata deshën të dilnin këtu duke sulmuar në anën e majtë të Shushicës dhe duke kapur fshatrat Velçë, Ramicë, Matogjin, Bashaj dhe nëpërmjet kalimit nëpër grykën e Vërmikut të dilnin në Kurvelesh të Sipërm. Këto forca, duke përparuar në thellësi, duhej t’u dilnin në shpinë partizanëve të batalionit të katërt dhe forcave territoriale që mbroheshin në drejtimin Brataj-Tërbaç-Vranisht. Si kudo, pozicionet partizane i goditi artileria dhe pastaj u sulmuan. Në këtë sektorin e Ramicës ishte dhe komisari i brigadës, Haki Toska, i cili prej ditësh kishte vendosur një pjesë të shtabit të Brigadës VI Sulmuese në shtëpinë e Hodo Feratit.

Këtu u plagos Riza Veipi, komandant batalioni i caktuar me detyrë në shtabin e Brigadës VI Sulmuese. Gjermanët e përsëritën sulmin ditën e nesërme dhe luftimet qenë po aq të rrepta sa edhe ditën e parë. Gjatë disa ditëve luftimesh në sektorin e Vajzës armiku mundi të përparojë vetëm 6 km. Forcat e batalionit të katërt zunë pozicione të reja në afërsitë e fshatit Vranisht, konkretisht te Rrahu i Stratit. Këtu qëndresa partizane ishte edhe më e fortë, pasi ata ishin vendosur në pozicione të çelura që nga lufta italo-greke, llogore, strehime, çerdhe të mbuluara për mitraloza. Të gjitha këto rriten efikasitetin e mbrojtjes sonë. Gjermanët edhe këtu goditën me topa, por as topi dhe as mortaja nuk e ngritën dot nga ky pozicion partizanin. Luftimet në Rrahun e Stratit u bënë vazhdimisht natë e ditë. Në këto pozicione dolën në luftë burrat e gratë e Vranishtit. Edhe më të ashpra ishin goditjet nga hitlerianët, por edhe qëndresa jonë ishte shumë e fortë.

Moj krahin’ e Mesaplikut!

Grykën e Mesaplikut, hitlerianët e sulmuan vazhdimisht, natë e ditë. Partizanët e batalioneve të tretë dhe të katërt, që qëndronin në këtë grykë, treguan heroizma të pashoqe. Ata ndodheshin ditë e natë në përleshje. Por beteja që zhvilluan në Brataj dhe Vranisht ishte nga më të ashprat. Kur forca të tjera hitleriane dolën nga bregoret në të hyrë të fshatit, u duk sikur në këtë përpjekje partizanët humbën. Në mes të gjëmimeve, pasi bateria e mortajave të brigadës goditi me një zjarr të fuqishëm forcat naziste, u dëgjuan zërat e komandantëve e të komisarëve për sulm dhe të partizanëve që sulmonin. Nazistët u detyruan të tërhiqeshin, duke lënë në fushën e betejës të vrarë e të plagosur. Shtëpitë e fshatrave që i shpëtuan zjarrit dhe që ishin afër pozicioneve u bënë shoshë nga plumbat. Muret u çanë nga gjylet, dritaret u shkallmuan dhe rrugët u mbushën me tjegulla të copëtuara. Kishte edhe të vrarë. Kjo ishte gjendja e përgjithshme e fshatrave pas luftimit. Kjo gjendje shihej në çdo fshat ku hynin forcat hitleriane. Ato u vunë zjarrin shtëpive dhe shkatërruan çdo gjë që u binte në dorë. Rapsodi popullor ngriti këngë për këtë luftë heroike në Grykën e Mesaplikut:

Moj krahin’ e Mesaplikut,

të griu, gryk’ e belçikut,

top’ e murtaj’ e armikut!