Flet Ndriçim Kulla: Bota Shqiptare e Branko Merxhanit dhe testamenti shoqëror që na ka lënë

Testamenti  shoqëror dhe  shpirtëror  që  na ka lënë Branko Merxhanit”

Gazeta Telegraf

NOA

Me  studiuesin  Ndriçim Kulla  autorin e librit “Bota Shqiptare e Branko Merxhanit”

Këto ditë doli nga shtypi dhe u hodh në qarkullim libri i ri i autorit Ndriçim Kulla ” Bota shqiptarte e Branko Merxhanit” i paralajmëruar gjithashtu në shtyp disa kohë më parë dhe i botuar nga Shtëpia Botuese ‘Plejad’. Libri është një studim voluminoz me rreth 462 faqe i menduar për shumë vite me radhë dhe i shkruar në kohën e karantinës së imponuar nga pandemia e koronaviruesit. Branko Merxhani është figurë e rëndësishme e Rilindjes tonë Kulturore Kombëtare dhe nëpërmjet këtij libri lexuesi do njohë në mënyrë të arsyetuar, jo vetëm idetë mjaft bashkëkohore të Branko Merxhanit, por edhe shumë elemente të jetës së tij enigmatike.

Z.Kulla, për lexuesin shqiptar, Branko Merxhani ka mbetur një emër mes së njohurës e së panjohurës: i ndeshur diku në një revistë të moçme, i ngatërruar ja me njëfarë Histori të Perandorisë osmane në Ballkan, ja me diç si përkthime mësimesh të Freud-it; emër i lidhur me një artikull të zhurmshëm titulluar Pse nuk jam Marxist?, a me një shkrim përkujtimor të paradokohshëm përfund një faqeje gazete. A mund të na sintetizoni si  u njohët ju me personalitetin intelektual të tij ?

Me personalitetin e Branko Merxhanit jam njohur që në kohën e komunizmit, përafërsisht në mesin e viteve ‘80-të. Unë në atë kohë kryeja “dënimin” në minierën e Valiasit në Tiranë, duke nxjerrë qymyrguri, ku në realitet duhej të isha në një universitet të studioja për astronomi, fizikë apo shkencat sociale, nga ku në ritualin e jetës sime të përditshme, sapo mbaroja turnin e punës i hipja autobusit menjëherë dhe shkoja në Bibliotekën Kombëtare për të bërë “turnin tjetër”  8 orësh të studimit. I “skllavëruar” me këtë mënyrë jetese; 8 -orëshin e gjumit, të studimit dhe të punës së vështirë në minierë, kalova shumë nga vitet e pasioneve të   rinisë sime për të mësuar diçka më shumë dhe të dilja përtej perdes nga ajo çfarë na servirte propaganda e regjimit komunist.

Gjithmonë do ta kujtoj me nostagi dhe mirënjohje të lartë Marian, bibliotekaren e urtë dhe njerëzore, e cila pasi më kishte njohur për  vite me radhë në tavolinat e studimit, një ditë  iu përgjigj me guxim interesimit tim për të shfrytëzuar në sallën e bibliotekës shtypin e viteve ‘30-të të shek të kaluar, i cli nuk ishte i lirë për t’u shfrytëzuar nga çdo njeri. Për hir të së vërtetës, të githë ndjenim diçka, se diktatura ishte dobësuar, por nuk kishte rënë. E shfrytëzova me etje këtë moment, kryesisht për shtypin e viteve ‘30-të dhe një pjesë të literaturës së kësaj periudhe nëpërmjet së cilës, kur e lexoja  po ndjeja shijen e rilindjes sonë kulturore, për të cilën nuk kishim dëgjuar kurrë asgjë të mirë, përveç përçmimit të personaliteteve të saj. Në mes të atyre shumë e  shumë njerëzve të ditur të kësaj periudhe, të cilët me idetë e përparuara kishin arritur të ngjiznin projektimin e një Shqipërie të re kulturore, arsimore dhe qytetëronjëse, profili i Branko Merxhanit ngjiti  në mendjen time i vlerësuar si më përfaqësuesi. Dhe mbasi kalova shumë vite të vështira dhe të hallakatura pa pikë sigurie për jetën, në fillimet e tranzicionit fati më shpuri në profesionin e pasioneve të mia të kulturës. Studimet e mia të thelluara më bënë të ndërgjegjësohesha nga dita në ditë se Branko Merxhani, jo vetëm duhej botuar por duhej bërë i lexueshëm dhe i interpretueshëm për lexuesin, e sotëm shqiptar. Një libër mbi jetën dhe idetë mjaft aktuale që ai zhvilloi mbi 70 vjet më parë do ta lidhte atë me lexuesin e sotëm dhe brezat e ardhshëm. Edhe pse librat nuk planifikohen, më dukej e nevojshme që ky libër të bëhej sa më shpejt të ishte e mundur. Ndryshe nga një libër eseistik apo me letërsi të mirëfilltë, një libër studimor si ky, i shkruar në kushtet e jetës së sforcuar të pandemisë ishte një sfidë tejet e vështirë. Por  mbresat dhe përjetimet  e fituara  që në kohën e censurës komuniste kanë pasur një rol mjaft nxitës në shkruajtjen e këtij libri.

-Figura e këtij   të dituri shqiptar dikur nuk njihej ose njihej pak, sepse  ishte klasifikuar në listën e njerëzve të padëshiruar për regjimin komunist. Ka mbi dy dekada që emri i tij po ngjall kërshëri, po admirohet nga kushdo që hyn në kontakt me të, artikulohet gjithmonë e më shumë dhe në mënyrë krejt të natyrshme po kthehet në një figurë të dashur nga shumë njerëz të botës intelektuale, por edhe më gjerë. Cili është thelbi i kontributit të tij?

Thelbi i kontributit të tij esencialisht është programi i neoshqiptarizmës që krijoi dhe zhvilloi ai me intelektualët që e rrethonin në vitet ‘30-të të shek të kaluar.

Si qëllim të fundmë të të gjitha   përpjekjeve, ky  program synonte “krijimin e një Shqipërie, brenda të pakufishme, jashtë të kufizuar”. Krijimi i një Shqipërie të mendimit dhe të ndjenjës.    Një jetë intelektuale, për të formuar një klasë të caktuar njerëzish, që të përbëninn një burim të madh dhe jetik të mendimit shoqëror, ku të mishëroheshin  në mënyrë simbolike elementet e një intelektualizmi, që influenconte shoqërinë.  Këto ishin disa pika kryesore të programit të tij shpallur në formulat e Neoshqiptarizmës.

“Ndaj, lipset të përtërihemi, të reformojmë dhe moralizojmë qenien tonë të brendshme,  shpirtin tonë- shkruante Merxhani. Ndaj na duhet moral, edukatë! Kur një njeri rron brenda në ëndrrën e ideologjisë së tij, kur ai beson në dinamizmën mrekulluese të ideve të brendësuara shoqërore, atëherë zemra e tij bie në një pikëpjekje shpirtërore me mbretërinë e intelektit dhe arrin ta kuptojë thellë kuptimin reformonjës dhe kryengritës që përmbajnë brenda tyre këto dy fjalë të shkurtra. Ja, për të gjitha këto shkaqe, çështja e arsimit përbënin  gurin filozofal të së gjithë dinamizmës rilindëse të një brezi a të brezave që vijnë.  Ndaj, kam bindjen e thellë – shkruante ideologu – se që të shpërndahen retë e zeza që mbulojnë horizontin tonë, Shqipëria duhet të transformohet anembanë në një fabrikë pedagogjike, në mënyrë që të rregullojmë aktivitetin tonë modern dhe të përgatisim kryengritjen e jetës nëpërmjet krijimit të një brezi të armatosur mirë për të ardhmen”. Pse vallë, a e kemi ndërtuar ende dhe sot këtë lloj “fabrike pedagogjike”, që pat projektuar dikur Branko Merxhani?

Gjithsesi, e gjitha kjo nuk mjafton – thekson ai diku gjetkë. “Të mësuarit nuk është të edukuar. Sepse vetëm atëherë kur të arrijmë të formojmë edukatën e brendshme dhe dispozitat shpirtërore dhe ideologjike të një brezi, vetëm atëherë mund të arrijmë të nxjerrim ndoshta një ditë një farë qytetërimi. Por, s’do të arrijmë kurrë një ‘kulturë”, pasi diçka e tillë lyp një individualizëm ideologjik të goditur dhe një dozë të qëndrueshme moraliteti”. ‘Vetëm vlera shoqërore e njeriut i jep atij një ‘kulturë’, – thotë Kanti. (A kemi vallë në gjirin e jetës intelektuale, njerëz që mund të quhen vërtet ‘njerëz të kulturës’ nën prizmin e vlerësimit të kulturës nga kritere të tilla? Apo mos ndoshta një ‘kulturë’ e tillë sot duhet të kthehet në një ideal udhërrëfyes?)

Ndjenja kolektive! Njeriu-qytetar! Jeta intelektuale që influencon shoqërinë! Ja sfidat, që si të trashëguara, na kanë ndjekur vazhdimisht pas e që sot na shfaqen me gjithë qelibarësinë e domosdoshmërisë dhe jetikën e dhimbshme të aktualitetit të tyre. Për kë bien, atëherë, kambanat e mendimtarit tonë? Për jetën politike, që ende s’po arrin të udhëhiqet nga këto parime të nxjerra nga dija filozofiko-sociologjike apo s’po ndihet ende e ndriçuar nga drita e një jete të tillë intelektuale që pohon: Le të jetë në fuqi cilado qeveri që të dojë, mjafton të jetë në duart e idealistëve dhe të njerëzve të ditur e me ndërgjegje!

 Z.Kulla, cila është bota e Branko Merxhanit që ju keni shpjeguar në këtë libër? Është këndvështrimi i një filozofi (mendimtari), sociologu, apo thjesht përshkrimi i  gjatë i një gazetari  ?

Në   mesin e   mendimtarëve të viteve ‘30-të të shek të kaluar, që tash është zbuluar dhe pohuar më së fundmi si një Rilindje Kulturore Shqiptare, shndrit ylli i mesit i filozofisë së ushtruar shqiptare, Branko Merxhanit, njeriut më të madh të kulturës që nxorri ajo lëvizje. Ai ushtroi vetëm për 10 vjet veprimtarinë e tij, por në Tiranë, ku militoi ne vitet 1936-1939, ai krijoi atë që konsiderohet sot si “Yllin e Dritës” së rinisë shqiptare, revistën “Përpjekja Shqiptare”, një pararendëse e shquar e gjithë asaj të ardhme  që ai ideoi për shoqërinë shqiptare, jo si një utopi, as si një kundër-botë, por si një botë ndryshe, të cilën sot pas shumë dekadash nevojitet ta ndjekim dhe ta realizojmë ne bijtë e këtij shekulli të ri.

Për mendimin tim, ai ishte një  mendimtar atipik shqiptar  për kohën, sepse  jo vetëm që ekploroi botën kaotike shqiptare, por dha qartësisht edhe një program të avancuar   për ndryshimin e kësaj bote shqiptare. Mund të them se ishte sociolog i mirfilltë, e shfrytëzoi filozofinë në mënyrë  mjeshtërisht krijuese dhe të gjithë këtë veprimtari të madhe ideore e zhvilloi nëpërmjet gazetarisë së tij brilante në still dhe kulturë.

Merxhani që në përshëndetjen e numrit të parë të “Përpjekjes shqiptare”, një revistë filozofiko-shoqërore, që ai e mendonte jo si një gazetë të thjeshtë, por si një “libër të vogël e të përmuajshëm”, shprehte bindjen e tij të thellë se një nga shkaqet më kryesore të pazotësive dhe të trazimeve tona ishte mungesa e një kulture mendore dhe eksperience shkencore. Po sot, a e kemi vallë një revistë të tillë që të shërbejë si pikënisje, a si bazë mbështetëse? Aq më tepër që parimet filozofike, pasi të shtrohen mirë e mirë, lipset të mishërohen e gjallërohen nga ana e intelektualëve për t’u përdorur më pas në sistemimin e materialit kaotik që na jep  sërish  realiteti sotëm  shqiptar. Aq më tepër që për të formuar një “kulturë” ose për të pasur sa më shumë “njerëz të kulturës”, që do të formonin më pas edhe ideologjinë e një jete të organizuar intelektuale, nuk mjafton vetëm intelekti, talenti apo logjika; duhet mjaft përshtatshmëri mendore, duhet përgatitje dhe mendim sistematik, që do të thotë fitim i një zotësie të vazhdueshme mendore; duhet së fundi edhe jetë sistematike. E jetë sistematike do të thotë jetë e rregullt, e pastër, e thellë, që nuk harxhon kot as kohën, as fuqinë e as talentin, por përpiqet me vullnet dhe dashuri të bëhet një element i dobishëm jo vetëm për veten e vet, por edhe për të tjerët rreth e rrotull. Po jeta jonë intelektuale sot, a e ka vallë këtë përshtatshmëri, këtë mendim sistematik, e më tej, a e bën vallë këtë jetë të quajtur aq bukur, sistematike?

Cili  është testamenti shpirtëror dhe shoqëror që beson se u ka lënë brezave idealisti dhe mendimtari Merxhani ?

E kanë quajtur ndryshe edhe figurë “enigmatike” apo e “mistershme”! Ndoshta, për shkak të ardhjes dhe ikjes së heshtur nga ky vend. Kisha shumë për të thënë mbi të, që shpresoj se i  kam thënë mirë në ketë  libër që kam shkruajtur  dhe   botuar. Zemrën dhe mendjen e vet ai e shpalosi në të gjitha anët nëpërmjet  ideve në shkrimet e tij. Foli për të rinjtë, për nënat dhe djemtë, për lirinë dashurore, duke marrë për bazë studimet e psikologëve më të mëdhenj të kohës si Frojd, Jung, Adler apo Ë. James. Vazhdoi më pas të sqarojë kuptimet dhe lidhjet midis jetës dhe ligjeve, midis kulturës, fesë dhe qytetërimit. Shpjegoi materializmin historik të Marksit dhe idealizmin shoqërore të Durkheimit, argumentoi se përse në Shqipëri nuk kish vend përhapja e bolshevizmës, duke kulmuar me pohimin e tij të famshëm “Nuk jam marksist”! Shkroi për këngëtarët e epokave të mëdha, për Gëten si një përrallë, hodhi idenë e një reviste-ide, reviste-mision, reviste-tendencë, hodhi idenë e themelimit të një muzeu etnografik, një Instituti Albanologjik në Tiranë, duke dhënë madje ide apo këshilla edhe për mënyrën dhe strukturën e historisë dhe historiografisë sonë. Përpiloi një projekt-rregullore të detajuar për mbledhjen e folklorit, hartoi një skicë sociologjike të perandorisë së osmanllinjve; shkroi për doktrinat ekonomike të kohës, për kongreset filozofike, shpjegoi se ç’është filozofia, metafizika, sociologjia, mitet, ideali, njeriu. Shkroi për   Dekartin dhe Comten, shpjegoi teoritë e nacionalizmit (determinizmin shpirtëror dhe atë lëndor), komentoi teorinë evolucioniste të Darvinit dhe Spencerit dhe e përballi me teorinë bergsoniane të evolucionit krijues, duke arritur në përfundimin se “problemi i brendësimit të shpirtit është një problem krijimi”, për t’iu drejtuar më pas të rinjve të Shqipërisë me fjalë shkrepëtitëse.

Botën e tij e kanë emërtuar shpesh si idealiste, madje deri në kufijtë e utopisë. Mundet. Megjithatë, mendimtari ynë e kish shprehur qartë që në fillim. “Nuk shoh me idenë platonike. Mendoj. Dhe mendoj duke shëtitur brenda në natën shqiptare”. Filozofia më e mirë është ajo që lind nga shkenca sociologjike, ajo që mbështetet mbi njohje pozitive dhe arrin deri në majën e idealeve më të larta e më të bukura. E përballë këtij fakti ai vendoste edhe pohimin se një intelektual shikon rrezikun më të madh e më të tmerrshëm kur bie në hendekun e gabimit dhe të vetëgënjimit, po të dojë të bëjë një udhëtim në sferën e pasosur dhe kaotike të fantazisë së tij. Kjo sferë përmban vetëm botëra të rreme, vlera të vdekura, që sjellin vetëm gjumë dhe “utopistë gjenialë”. Drita është shkenca, bota e realiteteve. Problemi i jetës, misteri i së ardhmes, kanë nevojë për këtë dritë. Ndaj, le ta kthejmë vështrimin kundrejt jetës, le ta shohim jetën ashtu siç është dhe jo siç e duam ne të jetë. Jeta do një zgjidhje. E kjo zgjidhje nuk gjendet lart në qiellin kombëtar, por është e fshehur thellë në shpirtin kombëtar. Ja, për këtë zgjim shpirtëror shërbejnë idealet”.

E Branko Merxhani mbeti gjithmonë “ushtar i idealeve”. “Idealet janë e rrojnë, – shkruante ai – qoftë edhe sikur të mos jetë e mundur të realizohen. Janë dhe rrojnë, si simbole të një dëshire të thellë përmirësimi, si kritere ideale të realitetit dhe si të tillë kanë një vlerë shumë të lartë dhe bile jo vetëm teorike, por edhe praktike. Nuk janë utopi, por janë kritere morale dhe si të tilla shënjojnë të vërtetën, qoftë edhe kur ajo nuk pajtohet me realitetin aktual”. Ja, ky është testamenti shpirtëror që besoj se u ka lënë brezave idealisti dhe mendimtari ynë