Shyqyri Meka*/ Ja principatat e që grabisin 350 milionë euro çdo vit

639
Sigal

Retorikë rregullatore, apo konkurrencë efektive në tregun celular?

Principatat celulare dhe kapitullimi i AKEP e Autoritetit të Konkurrencës

Z. Bejleri, me të cilin udhëtoj prej 20 vjetësh, përdor katër celularë. Kështu e ka zgjidhur me thirrjet jashtë rrjetit. “Thirrjet jashtë rrjetit të kushtojnë si bileta në autostradë”, shprehet. Statistikat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike (AKEP), dëshmojnë se në fund të vitit 2013, numri i kartave SIM arrinte shifrën 5.3 milionë. Një rekord Gines: Dy karta (praktikisht, edhe dy celularë) për çdo banor! Fenomeni shfaqet zbuluar për faktin se norma e penetrimit të celularëve në Shqipëri, sipas përdoruesve aktive, përkon me nivelin mesatar në vendet e BE-së.

Sigurisht, shqiptarët nuk mund të kenë luksin të koleksionojnë karta SIM, apo, siç shprehet AKEP në disa edicione analizash, se kjo dukuri lidhet me “përdorimin sezonal nga emigrantë apo vizitorë në Shqipëri”. Përmbajtja e vërtetë e kësaj dukurie është kundërveprimi konsumator ndaj praktikës abuzive të operatorëve për të mbyllur përdoruesit brenda rrjetit. Abuzimi, tashmë i konsoliduar prej disa vjetësh (fundi i 2006-ës) i ka shndërruar operatorët celularë t’u ngjajnë atyre principatave të mesjetës, që vendosnin dogana të rënda midis tyre.

Mekanizmi i “kyçjes”, apo “klubit”, të kësaj “vathe” moderne, arrihet përmes aplikimit të tarifave shumë të ulëta për thirrjet brenda rrjetit, krahasuar me tarifat jashtë rrjetit. Sa janë këto diferenca? Nëse “djalli qëndron në detaje”, do të duhej ta pastronim pamjen nga akademizmi i tepruar i mesatareve që përdor AKEP në analizën e tij të tregut. Le t’i referohemi, p.sh., paketës “Club mix” mujore. Me këtë paketë, vihen në përdorim mujor 3 mijë njësi thirrje brenda kësaj bashkësie plus internet, 40 min. thirrje komb/ndërkombëtare, plus 40 SMS. Të gjitha për një çmim 1000 Lekë (me TVSH). Nëse do të përdorej plani tarifor standard “Vodafone Card”, me 1 mijë lekë nuk do të mund të mbulohej as 40 min. bisedë thirrje kombëtare (40 min x 33 Lekë/min = 1320 Lekë). Pa le më, të mund të kryejë biseda ndërkombëtare me fqinjët, p.sh., me 60 Lekë/min.! Pra, nga krahasimi midis dy programeve, me “Club mix” duket se mbeten “badjava” 3 mijë njësi thirrje brenda kësaj bashkësie plus internet, si dhe 40 SMS. Dikush, mund të thotë: po ç’mund të kërkojmë më tepër nga Vodafone? Dëmi më i vogël i kësaj praktike antikonkurrencë është kostoja shtesë për përdoruesit.

E para, sipas të dhënave të llogaritur nga AKEP, një përdorues konsumon, mesatarisht, 156 minuta thirrje dalëse në muaj. Bashkësia e lidhjeve nuk mund të qarkohet siç bëjnë nxënësit në mësimet e aritmetikës. Zgjidhja? Ose, një ofertë me më shumë minutazh plus shpenzime, ose bashkëbiseduesi të jetë i gatshëm të paguajë një thirrje drejt rrjetit, p.sh., Vodafone që kushton 54 lekë/min.

E dyta,këtë lojë të pandershme jo se nuk ua ka qejfi ta ushtrojnë të gjithë operatorët (si kundërveprim-thonë). Të gjithë luajnë, por numrin më të madh të “golave” i shënon Vodafone (në të njëjtin start ishte dhe AMC, por gaboi strategji gjatë rrugës). Kuptohet, për shkak të inercisë si operator lider, pasi aktualisht zotëron më tepër se 50 për qind të tregut celular. Si pasojë, dy operatorët e vegjël nuk mund të disponojnë mjetet e duhura financiare për ta përballuar operatorin Vodafone. Si rrjedhim, në terma afatgjatë, nuk është ndonjë çudi nxjerrja nga tregu i dy operatorëve më të vegjël.

Nuk mund ta përballojnë, edhe për shkak se “arbitri” AKEP (apo, dhe Autoriteti i Konkurrencës) mbyllin sytë përballë lojës së rëndë të Vodafone. Madje, në analizën e fundit, AKEP rreket të arsyetojë se Vodafone tashmë është në “dietë”, se po bie nga pesha. Vodafone po reflektokërka, duke barazuar tarifat për programin “Vodafone Card”! Po pse nuk thuhet se ç’peshë të ulët zënë këto thirrje ne totalin e të ardhurave të këtij operatori (as në treguesit statistikorë të raportuar nuk është parashikuar një informacion i tillë?!).

Nuk mund të supozohet se Vodafone (apo operatorët e tjerë) kanë zgjidhur qesen duke ofruar shërbime nën kosto për paketat “Club”. Kjo është vetëm dukja për shkak të një krahasimi me nivelin mjaft të lartë të tarifave të aplikuara deri tani, disa herë më të larta nga vendet e rajonit dhe Europës (të pranuara nga AKEP dhe që vijojnë gati të pandryshuara në planet tarifore standarde). Sa mund të llogaritet kostoja për një minutë bisedë celulare? Në mungesë të të dhënave të drejtpërdrejta, po i referohemi tarifave të interkoneksionit të vendosura nga AKEP mbi bazën e kostos. Një minutë bisedë midis dy rrjeteve me çmim shumice kushton më pak se 6 lekë. Sipas një ekuacioni ekonomik të gradës së parë me dy terma të njohur: një tarifë origjinimi (2.66 lekë), plus një tarifë terminimi (po, 2.66 lekë). Shtoi kësaj një marzh për të mbuluar disa shpenzime në nivel pakice. Po, ama, rreth 6 lekë/min është në raport rreth gjashtë herë më lart në krahasim me tarifën aktuale 33 lekë/min që zbaton Vodafone për thirrjet dalëse. Ose, 9 herë mbi atë që zbatojnë operatorët e tjerë për një thirrje drejt rrjetit Vodafone.

Në të kundërt, një thirrje brenda rrjetit të secilit operator nuk mund të jetë më e vogël se një tarifë terminimi (2.66 lekë). Dhe kjo, në bazë të nivelit aktual të kostos, sepse, pas 1 Janarit, AKEP ka vendosur gati t’i përgjysmojë tarifat e interkoneksionit. Çka do të thotë se ky nivel kostoje ka ekzistuar (thjesht, ndryshojnë raportet e fitimit midis operatoreve), pasi asnjë ndryshim nuk ka për të zbritur nga qielli këto muaj deri në fund të vitit. Kjo është barra reale që paguajnë shqiptarët për thirrjet celulare.

Duhet pohuar se këto dy-tre vitet e fundit ka një rritje të vëllimit dhe llojshmërisë së shërbimeve që ofrojnë operatorët celularë. Si pasojë, është vërejtur edhe një raport i zhdrejtë me ritmin e të ardhurave, apo fitimeve, dukuri me të cilën nuk duhet abuzuar. Nëse krahasimisht, të ardhurat e operatorëve celularë kanë ardhur duke u ulur pak, do të thotë se konkurrenca i ka detyruar të ndërrojnë strategji sjelljeje ndaj konsumatorit. Synimi për të ruajtur sa të jetë e mundur nivelin e të ardhurave nga shërbimet e telekomunikacioneve, i ka detyruar operatorët të tregohen më të gatshëm të ofrojnë edhe një vëllim më të madh shërbimesh. Por, kjo nuk do të thotë se janë shterur rezervat për ulje të mëtejshme të çmimeve celulare, përkundrazi, sa janë prekur. Shqiptarët vijojnë të shpenzojnë jo pak, por rreth 350 milionë euro të ardhura për komunikimet elektronike. Pjesa për shërbime celulare përfaqëson 7,6 për qind të të ardhurave për frymë, ndërkohë që në vendet fqinjë si Mali i Zi, buxheti për telefoninë celulare përfaqëson 2,8 për qind dhe në Bosnjë 3,9 për qind. Ndërsa, në vendet e zhvilluara të Europës ky buxhet përfaqëson më pak se 1 për qind të të ardhurave vjetore. Fakti i ofrimit të një vëllimi më të madh shërbimesh celulare mundësohet nga vetë natyra e shërbimit (bie fjala, nuk kërkon lëndë të parë), ç’ka bën që edhe kostoja për çdo njësi shtesë produkti të jetë e papërfillshme. Ndaj AKEP e ka për detyrë ta përdorë këtë tregues si çelës të rregullimit të tarifave. Siç ka për obligim të arrijë në përfundime edhe duke publikuar ecurinë e normave të fitimit, kontributin real të këtij sektori për buxhetin e shtetit, për punësimin e njerëzve, etj.

Po cili është propozimi konkret i AKEP për kapërcimin e kësaj situate, pas kryerjes së analizës së tregut celular?

Interkoneksioni dhe sihariqi i 1 Prillit

Disa kohë para se të hynin në fuqi tarifat e reja të interkoneksionit, media komunikonte “sihariqin” se më 1 prill (2014) do të uleshin tarifat celulare. Asgjë e tillë nuk ndodhi, sepse vendimi i AKEP lidhej me tarifat e interkoneksionit, jo me ato të përdoruesve. Nuk ndodhi, gjithashtu, siç njoftonte AKEP se “kjo ulje do të krijonte kushtet për reduktimin e tarifave të përdoruesve”. Paradoksalisht, megjithëse është vërtetuar mëse një herë se në praktikën e tregut shqiptar të komunikimeve elektronike asgjë nuk i lidh tarifat e thirrjeve të përdoruesve (me pakicë) me tarifat e interkoneksionit (të shumicës), AKEP vijon t’i bjerë po kësaj melodie. Edhe në këtë edicion të analizës së tregut, rregullimi i tarifave të përdoruesve pritet të ndikohet nga ulja e tarifave të shumicës. Teorikisht, kështu duhet të ndodhte. Fakti që nuk ndodh, është prova më e qartë se tregu nuk është konkurrues. Mjafton kaq, si dhe memecëria kritike në media për të kuptuar se operatorët janë në abuzim të situatës monopol. Kësaj dominance nuk mund t’i kundërvihesh me vendime “proporcionale” qesharake, pra duke mos ndërhyrë, siç po vepron AKEP, por me rregullim të drejtpërdrejtë të tregut të tarifave të përdoruesve.

Vendimi i AKEP, si pjatat e përdorura të teto Ollgës

Paradoksi i tarifave te “Club”-it nuk qëndron thjesht te dukuria, e cila njihet si praktikë edhe te celularët europianë. Edhe në Francë ka ndodhur dështimi i tregut për vetërregullim nëpërmjet konkurrencës, si edhe abortimi i ndikimit nëpërmjet metodologjive të tarifave të interkoneksionit (tregut me shumicë). Në rastin e tregut shqiptar, drama qëndron në faktin se kanë kapitulluar institucionet përkatëse, siç është Autoriteti i Konkurrencës dhe AKEP. Autoriteti i Konkurrencës humbi gati dy vjet kohë në një analizë të “thelluar” të kësaj dukurie antikonkurrencë, duke iu përgjigjur një ankimimi mjaft profesional të operatorit “Plus” dhe “Eagle”. Për abuzim me çmimet në mes të thirrjeve on-net dhe thirrjeve off-net me destinacion rrjetet konkurrente autoriteti francez i Konkurrencës ndëshkoi me gjobë (rreth 183 milionë Euro) tre operatorët: Orange France, Franc Telecom dhe SFR. Përkundrazi, Autoriteti shqiptar i Konkurrencës, pasi listoi një sërë shkeljesh të Vodafone, i vuri kapakun ankesës, duke u shprehur se “‘Vodafone’ nuk ka abuzuar me pozitën monopol”. Të linte pa mend fakti, se pas një analize përgjithësisht korrekte, papritur, si në një teatër klasik, në momentin e fundit, zbret një “koçi e artë” dhe Vodafone shpëton pa u lagur. Për të vazhduar çudia shqiptare, problemi i kalon për kompetencë AKEP. Si për të shlyer “sebepin”, vendimi i pritshëm i AKEP për rregullimin e tarifave celulare përmban një pikë se çështja mund të trajtohet edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, duke të sjellë ndër mend atë batutën e teto Ollgës me pjatat e përdorura te “Zonja nga Qyteti”. Me këtë farë zgjidhje, Vodafone-s i thuhet troç: “rrugën e ke të hapur”!

Ngjyrosësit e balonave

Ka edhe një aspekt tjetër vendimi që pritet. Vendimmarrja e AKEP e merr lehtë, si të ishte një OJQ, thjesht duke orientuar operatorët, që: “ofertat/promocionet apo skontot e përkohshme në tërësi duhet të kenë afat vlefshmërie të përcaktuar qartë që në fillim të aplikimit dhe jo më të gjatë se 2 muaj; të ketë një kufizim apo rregullim të mënyrës së aplikimit të ofertave, promocioneve që bëjnë operatorët, me qëllim rritjen e përdorimit të paketave standarde dhe përfitimeve nga paketat/tarifat standarde”. Sikur nuk i njohin operatorët këto praktika. Numri i madh dhe i shpeshtë i ofertave nuk mund të vlerësohet si shenjë e transparencës apo konkurrencës në treg. Përkundrazi, edhe autoriteti rregullator e pranon se ofertat e shpeshta e hutojnë përdoruesin, ja bëjnë zgjedhjen më të vështirë. Kjo xhungël ofertash, ku do ta kishte të vështirë të orientohej edhe një autoritet i specializuar, të kujton evolucionin e gjatë të zebrave, të cilat vijat e shpeshta i ndihmojnë t’u shpëtojnë grabitqarëve. Prandaj, kurrsesi, monitorimi i situatës së promocioneve mund të shërbejë si mekanizëm për rregullimin e tarifave. Me këtë qëndrim, AKEP thjesht bëhet pjesë e “ngjyrosësve të balonave”, ekipeve të tërë që përgatitin reklamat, shpesh me plot fantazi erotike të ofertave të panumërta celulare. Edhe numri i shtuar i ofertave është shenjë e një situate monopoliste në treg. AKEP e ka të freskët përvojën se si edhe një metodologji e drejtpërdrejtë e rregullimit të tarifave të përdoruesve, që u zbatua dy vjet me radhë, u anashkalua nga operatorët, të cilët futën në lojë plane tarifore apo oferta të reja, jashtë rregullimit. Në këto rrethana, propozime të ngjashme janë thjesht utopi të veshura me frazeologji nga përvoja europiane, me të cilën në këtë rast nuk biem domosdo “kushërinj” të parë. Sa të vijmë rrotull nga viti në vit, mund të shfrytëzonim përvojën e autoritetit turk, i cili rregullimin e tregut të tarifave të përdoruesve e lidh drejtpërdrejt, nëpërmjet një ekuacioni ekonomik, me rregullimin e tarifave të interkoneksionit. AKEP, jo se nuk e njeh këtë përvojë. Rregullatori turk imponon operatorët që tarifat dalëse, psh., të jenë të barabarta me tarifat e terminimit shumëzuar me 198 për qind! Siç edhe shpjeguam më lart, tarifa e një thirrjeje dalëse është baraz me një tarifë terminimi plus tarifën e origjinimit.

Në fund të fundit, qëllimi i rregullimit të tregut të shumicës është për të ndikuar mbi tregun e tarifave të përdoruesve, në përfitim të këtyre të fundit. Në të kundërt, siç ndodh në Shqipëri, askujt prej përdoruesve nuk i hyn në punë se kryhet apo jo rregullimi i interkoneksionit, për të cilin janë të interesuar të shpërndajnë fitimet vetëm operatorët.

*Ish anëtar i Entit Rregullator të Telekomunikacioneve (sot, AKEP)