Shkencat Sociale, Drejtësia dhe Shëndeti Publik, me tarifat më të larta

528
Sigal

Studimi, ODA: Universitetet Publike shtrenjtohen 11- 40 % tarifat vjetore të studimit

Studimet në universitete shtetërore janë shtrenjtuar nga 11- 40 %, krahasuar me vitin e kaluar. Edhe pse studentët kanë protestuar për një sërë arsyesh, ndër to edhe rritjen e tarifave, MAS u dha një “kockë”, në mënyrë që protesta e tyre të mos përshkallëzohej më tej. Studentët e mbyllën protestën e tyre, duke u kënaqur me shtimin e gati 1000 kuotave dhe me heqjen e mesatares për hyrjen në Master. Ndërsa përsa i përket tarifave të kripura për këtë vit, si në Bachelor ashtu dhe në Master, studentët iu bindën arsyetimit të MAS, se janë vetë universitet që kanë kërkuar rritjen e tarifave. Se sa janë rritur tarifat e studimit për ciklin e parë dhe të dytë të studimeve me kohë të plotë, për vitin akademik 2014 – 2015, na vjen në ndihmë studimi i Open Data Albania. Në studimin e ODA-s janë marrë në shqyrtim tarifat për studimet në Universitetin e Tiranës, Universitetin Politeknik të Tiranës dhe Universitetin Mjekësor.

 Studimet Bachelor

Tarifat për ciklin e parë të studimeve (bachelor) me kohë të plotë i përkasin studentëve që regjistrohen në vitin e parë të studimit. Programet e studimeve të ciklit të parë realizohen me 180 kredite europiane dhe kohëzgjatja e tyre është 3 vite akademike. Për vitin akademik 2014 – 2015, tarifat vjetore të studimit në nivelin bachelor me kohë të plotë shkojnë 25 000 deri në 40 000 lekë. Fakulteti Shkencave Sociale, Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti i Shëndetit Publik shfaqen si fakultetet me tarifa më të shtrenjta, prej 40 000 lekësh.

Rritja e tarifave

Krahasuar me vitin akademik 2013/2014 tarifat vjetore të studimit në nivelin bachelor kanë pësuar një rritje të konsiderueshme në nivelin 11.5% deri në 39.5%. Nga rritja e tarifave janë prekur më shumë Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja dhe fakultete në përbërje të Universitetit Politeknik të Tiranës, ku krahasuar me një vit më parë tarifat për studentët e këtyre fakulteteve kanë pësuar rritje deri në 39.5%. (VKM Nr.517, Datë01/08/2014).

 Studimet Master

Për vitin akademik 2014/2015 tarifat në programet e studimeve Master Profesional variojnë nga 90 000 deri në 108 000 lekë për programin e plotë. Fakulteti i Ekonomisë, Fakulteti i Shëndetit Publik dhe Fakulteti i Shkencave Teknike Mjekësore janë fakultetet me tarifat më të shtrenjta për programet Master Profesional.

Rritja e tarifave

-Në vitin e ri akademik 2014/2015 tarifat për programet Master Profesional kanë pësuar rritje deri në 20% krahasuar me vitin akademik 2013/2014. Rritjen më të madhe e kanë pësuar tarifat për studentët e programeve Master Profesional pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.

-Programet e studimeve “Master i Shkencave” ose “Master i Arteve” realizohen me 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është 2 vite akademike. Në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të dytë lëshohet diplomë universitare “Master i Shkencave” ose “Master i Arteve” në fushën e studimeve të kryera. Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Shëndetit Publik dhe ai Shkencave Teknike Mjekësore renditen sërish si ndër fakultetet me tarifat më të larta për programet Master Shkencor. Në këto fakultete dhe në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit tarifa për programin e plotë Master Shkencor është 210 000 lekë. Tarifën më të ulët për programin e plotë Master Shkencor e ka Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, me 144 000 lekë.

-Rritjen më të madhe të tarifave të programeve Master Shkencor e ka pasur Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Fizike, ku krahasuar me vitin akademik të lënë pas, tarifat janë rritur me 18 %. Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, i cili ka tarifën më të ulët për programin Master Shkencor, ka pësuar dhe rritjen më të vogël të tarifave, me vetëm 0.9%. (VKM Nr. 668, Datë 15/10/2014)

Mënyra e pagesës

Këtë vit kemi një ndryshim për sa i përket mënyrës së pagesës së programeve Master. Sipas VKM Nr.668, datë 15/10/2014 pagesa e tarifës për të gjitha programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë do të bëhet me këste të përcaktuara nga institucioni publik i arsimit të lartë. Në ndryshim nga viti akademik i kaluar kësti i parë parashikon pagesën në masën 3 0% të tarifës totale dhe paguhet menjëherë me regjistrimin e studentit në programin përkatës.