Skandali, bankat fitime rekord nga interesat e depozitave

714
Sigal

Ndërsa vendi është kapluar nga kriza ekonomike, sistemi bankar ka raportuar nivele fitime rekord për 9-mujorin 2014, në 8.7 miliardë lekë, nga 1.3 miliardë lekë që ishte humbja për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave të tremujorit të tretë, të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Përmirësimi i fitimeve ka ardhur si rrjedhojë e dy zërave:

-Së pari, të ardhurat neto nga interesi janë rritur me 3 miliardë lekë me bazë vjetore për periudhën janar-shtator 2014. Ndonëse të ardhurat nga interesi kanë rënë me 5 miliardë lekë, shpenzimet për interesat janë tkurrur me rime më të larta, me 8 miliardë lekë, duke reflektuar tkurrjen më të madhe të interesave të depozitave në raport me atë të kredive, çka ka bërë që bankat të kursejnë.

-Së dyti, ndikimin në të madh në përmirësimin e rezultatit financiar e ka dhënë ulja e shpenzimeve për provigjionime (shpenzimet që bankat lënë mënjanë për të mbuluar huatë me probleme). Këto shpenzime ranë me gati 12 miliardë lekë, duke neutralizuar dhe rënien e ndjeshme me rreth 4 miliardë lekë të të ardhurave nga veprimtaritë e tjera.

Megjithatë, shpenzimet për provigjione u rritën në tremujorin e tretë, duke reflektuar rritjen e huave me probleme, që arriti në 24.9% në fund të shtatorit 2014.

Fitimet e bankave shënojnë luhatje të mëdha nga tremujori në tremujor, në varësi të shpenzimeve për provigjione. Psh, ndonëse për 9 mujorin 2013 sistemi bankar rezultoi me një humbje prej 1.3 miliardë lekësh, në tremujorin e katërt rezultati u përmirësua ndjeshëm, duke bërë që sistemi të raportonte një fitim prej 6.6 miliardë lekësh për gjithë vitin. Banka e Shqipërisë i raporton fitimet e bankave sipas standardeve lokale, që kanë rregulla më të ashpra për provigjionimet, ndërsa Shoqata e Bankave i deklaron sipas standardeve ndërkombëtare IFRS (me kritere më pak të ashpra për provigjionet), mbi bazë të të cilave bankat paguajnë dhe tatim fitimin. Sipas këtyre standardeve (IFRS), fitimi i sistemit bankar për 9 mujorin ishte rreth 9.6 miliardë lekë, nga 8.8 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar