‘Shpërthen’ Koka: Të gjithë ministrat firmosën aferën e plehrave

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, paraqiti përpara Gjykatës së Posaçme konkluzionet e mbrojtjes në çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Përmes avokatit mbrojtës, Koka ka mohuar akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Sipas avokatit, procedurën e koncesionit nuk e hap ministri, por Komisioni i Vlerësimit të Ofertave dhe se çdo vendimmarrje e komisionit ka kaluar edhe në filtrat e Këshillit të Ministrave. Seanca është ndërprerë për 30 minuta. SPAK ka kërkuar 10 vite burg për ish-ministrin që me aplikim të gjykimit të shkurtuar, nëse shpallet fajtor, do të dënohet 6.8 vite. Lefter Koka u arrestua më 14 dhjetor me urdhër të SPAK. Ndaj tij janë 2 masa ‘arrest me burg’, për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit. SPAK pretendon se Koka ka përfituar përmes ryshfetit 5 milionë euro për ndërtimin e 2 inceneratorëve. Ish-ministri Lefter Koka ka folur përpara GJKKO lidhur me akuzat për inceneratorin e Elbasanit.

“Një e vërtetë e thënë përgjysmë është e pavërtetë. Prokuroria u bazua tek kallëzimi LSI dhe për 2 vite nuk më mori në pyetje asnjëherë. Unë si ministër, Sekretari përgjithshëm dhe Komisioni kemi zbatuar me përpikmëri ligjin. Bëmë punën më të mirë dhe shërbyem me devotshmëri. Është kohë e vështirë që kërkon burra e burrni, unë si kam borxh askujt ta paguaj me lirinë time. Akuza e prokurorisë është idiote. Kam hyrë në politikë si biznesmen dhe s`më bëri politika biznesmen. Po kthehemi 45 vite para në proçeset e stisura të sistemit komunist. Është një alarm jo vetëm për mua, por për të gjithë shoqërinë. Ky proçes është i manipuluar fund e krye , besoj se e vërteta do të triumfojë. Nuk ekziston asnjë kontakt ose njohje me pronarët e inceneratorëve, ato nuk i solla unë, por erdhën si propozim nga bota e biznesit. Prokurori devijoi hetimet dhe fraksionojë dosjen për të mos zbuluar të vërtetën. Drejtësia më herët sesa vonë do të dalë. Intriga e këtij proçesi dashakeqës do të dalë dhe uroj të shërbejë për konsolidimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi. Prokurori fshehu 40 fashikuj hetimor ku gjenden provat për pafajësinë time. Më janë vënë në dispozicion nga gjykata 1 javë më parë. Akuza pësoi mutacione për ti qëndruar besnike kallëzimit të LSI. Kurrë nuk i kam futur dorën në xhep dikujt”- tha ai. Avokati i tij ka deklaruar pafajësinë e ish-ministrit. Sipas avokatit Koka ka qenë jashtë shtetit kur janë bërë negociatat duke theksuar se procesi është i stisur politikisht dhe ka porositës dhe ekzekutor.

Sigal

“Provat në 120.000 faqe dosje hetimore faktojnë pafajësinë absolute të Lefter Kokës për 3 akuzat. Procesi është i stisur politikisht, ka porositës dhe ekzekutor. Dy takimet që pretendohet se Lefter Koka ka marrë pjesë në diskutime me Albtek faktohet nga TIMS se ka qenë jashtë Shqipërisë. Kosto e impiantit të Elbasanit është më ekonomikja e mundshme. Landfilli kushton 3 fish më pak nga ai i Vlorës, 2 fish më pak nga Saranda. Lefter Koka nuk ka asnjë pasuri të shtuar pas 2013, faktuar nga hetimi dhe ILDKPKI. Ku janë paratë e korrupsionit? Shoqëritë kanë kryer evazion fiskal me njëra tjetrën pa lidhje me Lefter Kokën dhe janë dënuar nga gjykatat e rretheve për këtë vepër. Hetimi u devijua. Kjo çështje është e hetuar dhe gjykuar në gjykatën e Elbasanit. Është anti kushtetuese të rigjykohet. Do t’i drejtohemi Strasburgut. Prona që kërkoni të sekuestroni është themeluar në vitin 1927 dhe është privatizuar në 2000. Kjo është dhunë në emër të ligjit”, thanë ndër të tjera avokatët. Sipas tyre, janë pyetur 81 persona, askush deri më sot nuk dëshmon t’i ketë dhënë para korrupsioni Lefter Kokës.“Kemi dorëzuar 3966 faqe me materiale provuese dhe ekspertuese, që çmontojnë akuzën. Ato as nuk u lexuan nga prokuroria. Çfarë drejtësie është kjo? Asnjë nga shoqëritë nuk zotërohet dhe nuk ka lidhje me Lefter Kokën. Kjo është një anomali juridike. Asnjë qindarkë e pa justifikuar nuk është gjetur në pasurinë e Lefter Kokës. Asnjë cent nuk është kapur si provë e korrupsionit. Seanca për inceneratorin e Elbasanit është shoqëruar me tensione. Ish-ministri Lefter Koka ‘shpërtheu’ ndaj prokurorit Klodian Brahos. ‘Ke akoma për të thënë?‘- mësohet t’i ketë thënë Koka prokurorit e më pas është larguar nga salla.

Pretenca e SPAK për të akuzuarit

Lefter Koka 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)

Alqi Bllako 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)

Mirel Mërtiri 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)

Stela Gugallaj 7 vite burg (4 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)

Klodjan Zoto 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)

Pëllumb Abeshi 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)

Jonida Zeqo 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)