Babëzia/ Benet Beci tender 972 mln për pastrimin e 4 fshatrave

48
Sigal

Kryeministri Rama i ka dhënë “çekun e bardhë” Benet Becit dhe ky nuk po ngurron ta shpërdorojë! “Nëse nuk qëndron në Shkodër dhe nuk e pastron qytetin ta kam gati zëvendësuesin”- i tha kryeministri Rama kryebashkiakut të Shkodrës Benet Beci, kur e kishte të ftuar në portalin e tij. I stimuluar nga kjo deklaratë, Beci e ka nxjerrë jashtë logjikës prokurimin e buxhetit të bashkisë. Sepse nuk është pak të shpenzosh 972 milionë lekë për të pastruar vetëm një cep të Shkodrës. Po flasim për tenderin më të fundit të firmosur nga Beci, që ka si objekt “Shërbimi i pastrimit zona “Perëndimore“, zonë që përfshin njësinë Dajç, Anën e Malit, Bërdicë dhe Velipojë. Pra, vetëm për të pastruar rrugët në këto katër njësi do të nxirren nga buxheti i bashkisë 972 milionë lekë. Është e kuptueshme pastaj sa do të shpenzojë Beci për pastrimin e të gjithë bashkisë që drejton, sidomos në qytet ku ka edhe më shumë nevojë? Me shpërdorimin e fondit duhet të merret më shumë këshilli bashkiak dhe institucionet monitoruese, se me këtë ritëm Beci do ta zhysë Shkodrën në borxhe, më keq nga sa e ka lënë paraardhësi i tij.Mungesë konkurrence

Ndërkohë, Beci që është i stërvitur me aferat në tendera, ka bërë një gol me paratë. Fondi i ka bërë dhuratë njërit prej oligarkëve të njohur, Luan Kaprit. Sikur shihet në dokumentin e publikuar, vetën firma “Rejshpk” e Luan Kaprit ka paraqitur ofertë, me një çmim sa 95% e fondit limit. Sigurisht që kjo ofertë e kompanisë fituese është e lartë dhe nuk duhej të merrej në konsideratë, aq më pak në këtë rast ku Kapri nuk ka patur konkurrentë të tjerë përballë. Sepse kështu e kërkon ligji i “Prokurimeve Publike”.Por, Beci që gëzon mbështetjen e kryeministrit Rama, nuk pyet për ligjin! Shpejt e shpejt Beci e ka shpallur fituese firmën e Kaprit dhe ka lidhur kontratën abuzive për 3 vjet. Nuk do të jetë çudi kur të shohim edhe tenderët për zonat e tjera të Shkodrës t’i fitojë sërish Kapri.

Oligarku Luan Kapri

Luan Kapri është një biznesmen i njohur, që mbledh gjithë tenderët e bashkive. Kompania e themeluar prej tij dhe që sot e zotëron në masën e 80 % të aksioneve, sipas të dhënave të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ka fituar një numër të madh tenderësh nga bashkitë e majta dhe ka arritur të zgjerojë ndjeshëm aktivitetin dhe kapitalin. Luan Kapri është gjithashtu dhe kushëriri i parë i një ish-kryebashkiaku të njohur të Partisë Demokratike në Pogradec. Megjithatë ai ka fituar tenderë të majmë edhe nga kryebashkiakët socialistë, sidomos në 3 vitet e fundit. Epo kur vjen çështja tek ndarja e parave të shtetit, të djathtë e të majtë bëhen bashkë dhe e gjejnë zgjidhjen!