Shoqata Shqiptare e Bankave, më 5 Prill bën lançimin e programit “Edukimi i punëkërkuesve të rinj në sektorin bankar”

Partnerët Shqipëri dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, organizojnë më datë 5 prill 2017, ora 14.00 në ambientet e Sky Hotel (Sky Tower), Tiranë, lançimin e programit “Edukimi i punëkërkuesve të rinj në sektorin bankar”. Pas përfundimit të arsimit të lartë, një pjesë e konsiderueshme e të rinjve e gjejnë veten të papërgatitur për të përballuar me sukses sfidat e procesit të punësimit. Rekrutimi në sistemin bankar është i prirur për të siguruar kandidatë që performojnë në nivele të larta profesionalizmi për ofrimin e shërbimeve cilësore bankare e financiare për klientët dhe të bërit biznes. 
Programi “Edukimi i punëkërkuesve të rinj në sektorin bankar” do të ofrojë për studentët e përzgjedhur mundësi edukimi dhe zhvillimi nëpërmjet metodave më bashkëkohore të të mësuarit dhe ekspertizës shumëdimensionale të ekspertëve të angazhuar në program. Ky program do të shërbejë për ndjekësit e tij si hapësirë e edukimit jo-formal për të përforcuar njohuritë dhe aftësitë në lidhje me temat që do të trajtohen dhe do të kontribuojë në rritjen e mundësive për sukses në procesin e punësimit në sektorin bankar. Pjesëmarrësit më të suksesshëm në program do të referohen në sektorin bankar për t’u konsideruar si kandidatë potencialë në raste pozicionesh vakante në sektor.
Në takim janë ftuar ekspertë dhe lektorë të disa Bankave Tregtare në Shqipëri, Partnerëve Shqipëri, Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe pjesëmarrësit e përzgjedhur për ndjekjen e programit. 
Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), është zëri i bashkuar i industrisë bankare me 16 banka tregtare. Nëpërmjet kombinimit të përvojave, ekspertizës dhe burimeve të çmuara njerëzore të anëtarëve të saj, dhe bashkëpunimit me organizata dhe institucione kombëtare e ndërkombëtare, AAB punon për vlerësimin dhe përmirësimin e shërbimeve bankare dhe financiare të bankave anëtare, rritjen e potencialit të burimeve njerëzore të sistemit, dhe për një sistem bankar më të suksesshëm në Shqipëri.
Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim është një organizatë shqiptare e themeluar në vitin 2001 që punon për të ndërtuar platforma bashkëpunimi mes komuniteteve, organizatave të shoqërisë civile, qeverisë dhe biznesit drejt një zhvillimi të qëndrueshëm social-ekonomik dhe demokratik të vendit. 
Partnerët Shqipëri është anëtare e Rrjetit Ndërkombëtar të Partnerëve për Ndryshim Demokratik, një rrjet global prej 20 Qendrash të pavarura (me zyrë përfaqësuese në Bruksel që prej vitit 2006), dhe e disa rrjeteve të tjera Evropiane.
PROGRAMI
LEKSIONI 1: Sistemi Bankar në Shqipëri. Historiku dhe tendencat e zhvillimit të sektorit.
5 prill 2017
14.00 – 14.10 Regjistrimi i pjesëmarrësve
14.10 – 14.40 Fjalët përshëndetëse dhe prezantimi i programit 
Folës: Znj. Juliana Hoxha, Drejtore, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim 
Z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm, Shoqata Shqiptare e Bankave 
14.40-15.00 Prezantimi i pjesëmarrësve dhe lektorëve 
15.00 – 16.45 Leksioni 1- Sistemi Bankar në Shqipëri. Historiku dhe tendencat e
zhvillimit të sektorit. 
Lektor: Z.Orfea Dhuci, Këshilltar Ekonomik, Alpha Bank Albania 
16.45-17.00 Vlerësimi i Leksionit dhe Mbyllja
NOA