Sahit Dollapi merr çelsat e CEZ-it

650
Sigal

ERE i heq licencat CEZ-it dhe e çregjistron nga QKR-ja, Sehit Dollapi administrator shtetëror

 METE, ERE, KESH dhe qeveria të përgjigjen penalisht për 600 milionë dollarë borxh që la CEZ-i!

CEZ-i u shporr nga Shqipëria! Është një përligjësim i protestave të vazhdueshme të gjithë shqiptarëve në tërë këto vite që CEZ-i kishte zaptuar tregun e shpërndarjes të energjisë elektrike në Shqipëri. CEZ-i që ditën e parë që erdhi, vendosi një sistem piramidal të vjedhjeve, abuzimeve, mashtrimeve, shpërdorimeve ndaj gjithë konsumatorëve shqiptarë, ndaj vetë pasurisë kombëtare që mori si pajë nga KESH-i dhe OSSH-ja, ndaj sistemit të shpërndarjes të energjisë elektrike të Shqipërisë. Që CEZ-i të vazhdonte pa u shqetësuar nga ligji shqiptar vjedhjet, abuzimet dhe mashtrimet sistematike, nuk ka dyshim që kishte mbrojtjen e qeverisë shqiptare, tëMETE-s, të KESH-it, të ERE-s. Sepse CEZ-it nga qeveria, ngaMETE, nga KESH, nga ERE, iu la iniciativa e lirë, u la jashtë kontrollit, ndaj saj nuk u kërkua asnjë ditë llogari për të zbatuar detyrimet që kishte në pakësimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes të energjisë elektrike, nuk iu kërkua asnjë herë llogari për mosinvestimet në tërë vitet e aktivitetit të saj në Shqipëri. CEZ-it nuk iu kërkua kurrë që të shlyente detyrimet financiare që kishte ndaj KESH-it. CEZ-i nuk u mbikëqyr në asnjë rast edhe në zbatimin e kredive që merrte nëpër banka, se ku i çonte lekët e kredive, a i përdorte për investimet e pretenduara? Sistemi i drejtësisë në Shqipëri, hetuesia, prokuroria, gjykatat u paralizuan, u bllokuan për çdo ankesë të qytetarëve shqiptarë ndaj vjedhjeve, abuzimeve, mashtrimeve sistematike të CEZ-it. Ligjbërësit shqiptarë, i krijuan klimë favorizuese CEZ-it, që të rriste normat e fitimit ka kufi, duke i ulur çmimin e shitjes të energjisë elektrike që CEZ-i blinte nga KESH-i dhe, njëkohësisht, qeveria shqiptare pranoi që CEZ-i të shumëfishonte energjinë elektrike që u shiste shqiptarëve, duke e bërë kw në Shqipëri, më të shtrenjtin në rajon. Ligji shqiptar, lejoi që CEZ-i, në kundërshtim me çdo të drejtë ligjore, u merrte shqiptarëve kamatëvonesë 100 %, praktikë kjo, që nuk zbatohet asgjëkundi dhe, njëkohësisht, CEZ-i nuk paguante asnjë kamatëvonesë për milionat dollarë që kishte borxh vite me radhë! Qeveria shqiptare, me akte normative, detyroi bashkitë e komunat që nga buxheti i tyre të paguanin çdo detyrim financiar të CEZ-it, madje edhe në ditët që CEZ-i ishte në diskutim për t’ju hequr licenca, duke mos e detyruar- paralelisht- që CEZ-i të paguante detyrimet e tyre. Qeveria shqiptare, me akte normative, detyroi KESH-in që të importonte energji elektrike nga jashtë, edhe pse kjo ishte detyrim kontraktual i CEZ-it dhe CEZ-i e shiste energjinë e importuar nga KESH-i duke vjelë fitimet, pa i paguar asnjë dollar KESH-it edhe për energjinë e importuar.METE, ministri Haxhinasto dhe zv/ministri  Dervishi, asnjëherë nuk ushtroi kontroll në zbatimin e detyrimeve që kishte CEZ-i, edhe pseMETEkishte  përqindje aksionesh me CEZ-in.  ERE, deri dje,  ishte bërë avokatja e fitimeve të paskrupullta të CEZ-it, duke e favorizuar përherë me uljen e çmimit të blerjes dhe rritjen e çmimit të shitjes të energjisë elektrike dhe, nga ana tjetër, ERE nuk ushtroi asnjë kontroll edhe në vjedhjet e mashtrimet e CEZ-it me matësit që CEZ-i montoi kudo, të cilët matnin sasi të madhe kw të paharxhuar. Ndaj, për dështimin e privatizimit të CEZ-it, duhet të përgjigjen penalisht ministrat eMETE-s, Ruli dhe Haxhinasto, zv/ministri përgjegjës, Sokol Dervishi, si edhe drejtori i ERE-s, Ramadan Sokoli, për 600 milionë dollarë borxh, që CEZ-i ia lë shtetit shqiptar për t’i paguar, pa llogaritur milionat euro që CEZ-i ka përfituar nga shitje e gjithë bazës materiale që gjeti pajë nga KESH-i e OSSH-ja, në kohën e privatizimit, si edhe nga vjedhja e konsumatorëve shqiptarë me llogaritë e tejfaturuara.

 Heqja e licencës CEZ-it dhe krijimi i Kompanisë së Shpërndarjes

 ERE-ja, pas heqjes së dy licencave për shpërndarjen dhe furnizimin me energji të kompanisë CEZ, ka vendosur ta çregjistrojë atë edhe nga QKR. Në vend të CEZ është regjistruar Kompania e Shpërndarjes, e cila do të drejtohet nga Sehit Dollapi. Bordi i ERE-s miratoi me konsensus të plotë dhe dëmet që kompania CEZ i ka shkaktuar shtetit shqiptar. Ndërkohë në mbledhjen e sotme, ish-kreu i OSSH-së Sehit Dollapi është zgjedhur në postin e administratorit shtetëror. Kryetari i Entit, Sokol Ramadani, në fillim të mbledhjes bëri të ditur se heqja e licencës së operatorit të shpërndarjes shqyrtohet për shkak të moskryerjes së funksionit bazë të kompanisë CEZ, që ka të bëjë me importin e energjisë elektrike për furnizimin e qytetarëve.

Flasin për “Telegraf”

Për të shpjeguar anën juridike të këtij “divorci” të shtetit shqiptar me CEZ-in, flasin për gazetën “Telegraf, specialisti i ekonomisë, ish-zv/ministër i Ekonomisë, zoti Pajtim Bello, si edhe juristi i njohur, Idajet Beqiri.

 Idajet Beqiri, jurist: “Përgjegjësi penale të METE, ERE, KESH për shpërdorim të detyrës”

 Çdo lloj detyrimi financiar që ka CEZ-i me palët e treta, është i detyruar që t’i marrë përsipër shteti, me të mirat dhe të këqijat e saj. Në marrëdhëniet me të tretët, shteti është i detyruar të shlyejë çdo detyrim financiar, qoftë  borxhet që i ka CEZ-i  KESH-it, qoftë edhe kreditë e mara dhe të pashlyera të CEZ-it me bankat. Pasi shteti të shlyejë detyrimet ndaj të tretëve, atëherë, në qoftë se shteti pretendon se CEZ-i ka përfituar ato që nuk meriton, e hedh në gjyq CEZ-in për ta detyruar të paguajë humbjet që ka shkaktuar.  Përgjegjësia e palëve shtetërore, sikurseMETE, ERE, por edhe KESH-i, e më tej, vet qeveria është edhe penale, për shpërdorim të detyrës, pasi nuk kanë ndjekur me korrektesë e në vazhdimësi zbatimin e kontratave dhe janë përgjegjës të gjendjes së keqe të tanishme të KESH-it.

Pajtim Bello, specialist i ekonomisë: “Qeveria dështoi, ka përgjegjësi politike, penale, financiare!”

“Kjo situatë e nderë që shkaktoi falimentimi i CEZ-it, e ka zanafillën që në privatizimin e OSSH-së, i cili ishte i pamenduar, i papërgatitur, jo profesional, ishte politik dhe i imponuar jashtë mundësive të tregut të energjetikës. Pas privatizimit, nuk u ndoq  me korrektësi zbatimi i kontratës, i detyrimeve që kishin palët, por u zgjodh rruga e heshtjes nga qeveria, për të thënë që privatizimi ishte i suksesshëm. Madje, duke heshtur, disa qeveritarë edhe përfituan ekonomikisht, sepse me skemën që u ndoq për  të mbledhur borxhet e CEZ-it ndaj konsumatorëve të energjisë elektrike, shumë firma të tilla morën interesa të mëdha, që rënduan çmimin e shitjes të energjisë elektrike dhe jo rastësisht, këto firma kanë lidhje nepotike me qeveritarët. Përgjegjësia e qeverisë është politike, penale dhe financiare. Me falimentimin e CEZ-it, qeveria duhet të japë dorëheqjen, sepse është shkaktarja e vetme e këtij dështimi.  Borxhi i  sotëm nga CEZ-i është mbi 500 milionë euro. U shkatërrua tregu i energjisë, u rrit çmimi i energjisë elektrike 2 herë, i paargumentuar,  që solli edhe pamundësinë për të paguar energjinë nga shumë konsumatorë, për shkak të pamundësisë ekonomike të tyre, u rritën shumë borxhet, duke shkaktuar krizën e rëndë. Vendimi i sotëm, duhej marrë kohë më parë”.

Erjon Braçe, deputet i PS-së, në reagimin e tij në rrjetin e vet social: “Ja si Sali Berisha e shkatërroi sistemin energjetik: KESH, OSSH!

Për të gjithë ata që s’kanë drita sot apo prej ditësh:
Ja si Sali Berisha e shkatërroi sistemin energjetik; KESH, OSSH!
Ja fatura që do të paguajë çdo shqiptar: borxhi që CEZ i ka KESH-it: 325. 000. 000 dollarë!  Borxhi që  KESH jua ka bankave në Shqipëri 250. 000. 000 dollarë! Sot Sali Berisha u mburr se e përzuri CEZ!! Po paratë? Kush do t’i paguajë paratë e borxhit që la CEZ? Sali Berisha merr përgjegjësi për borxhet mbi 1 miliard dollarë!