Prof. Dr. Myslim Pasha:“Po luhet poker me fatet e kombit”

502
Sigal

Prof. Dr. Myslim Pasha, Sekretar i Përgjithshëm i AK-së, iu kundërvihet deklaratave të zv/ministrit të Jashtëm të Greqisë

  Lidhur me deklarimin e djeshëm në Parlamentin grek të zv/ministrit të Jashtëm Ciaras se: “S’ka çështje çame. Kufiri detar, e drejtë sovrane”, reagoi menjëherë Kolonel Myslim Pasha, njeriu që denoncoi i pari paktin famëkeq detar me Greqinë. Pavarësisht se është deklaruar shumë herë për këtë çështje,Prof.Pasha nuk përton asnjëherë të flasë sa herë kjo çështje ridel në skenë nga pala greke, pavarësisht se mund të quhet një kapitull i mbyllur nga Gjykata jonë Kushtetuese. Ja si iu përgjigj pyetjeve të “Telegraf” Prof.Pasha:

 – Profesor Pasha, si do ta komentonit deklaratën e fundit të zv/ministrit të Jashtëm grek lidhur me pretendimet greke për hapësirën tonë detare?

– Në konceptin grek, kjo është një deklaratë normale. Në konceptin tonë si shqiptarë, ky është një absurditet.Paranjë jave gazeta juaj “Telegraf” publikoi një hartë greke të Hapësirave Ekonomike Ekskluzive Detare të Greqisë e cila  do t’i shkojë OKB-së. Publikimi i asaj harte duhej të trondiste politikën shqiptare. Po nuk vonoi shumë dhe njëra pas tjetrës po na shfaqen synimet greke dhe kokëulja e politikës së jashtme të Shqipërisë, kësaj krijese nën kapistër të Berishës. Në këtë vazhdë është dhe deklarimi i Zëvendësministrit të Jashtëm grek,  Konstandinos Ciaras. Konkretisht, Konstandinos Ciaras deklaroi në Parlament se, “përcaktimi i kufijve detarë është një e drejtë sovrane, që Greqia do ta ushtrojë kohën e duhur duke pasur parasysh kushtet e përgjithshme dhe negociatat e vazhdueshme me vendet fqinje”.

– Si e konsideroni këtë kokëfortësi greke?

– Tipike greke! Megallomane deri në absurditet! Le t’i marrim faktet me radhë. Deklarata e zotit Ciaras pati një pararendje pak ditë më parë, prej Ambasadorit grek në Shqipëri, i cili fare natyrshëm deklaroi se “ne e kemi një marrëveshje detare me Shqipërinë dhe ajo do të zbatohet ! ” Askush nuk u ndje në Shqipëri, për një deklarim të tillë. Ndërkohë Ministri grek Avramopulos ka folur vetëm për mundësi të rinegocimeve midis të dy fqinjëve dhe për ndarjen e Hapësirave Ekonomike Ekskluzive Detare. Më tej kësaj nuk po dukej gjësend. Por, ja nuk vonoi shumë dhe me në qendër të Parlamentit grek në këtë periudhë krize u shfaq fare lakuriq  Projekti i parë i Berishës me palën  greke, ai për të cilën është folur kaq shumë në këta tre vjet e më tepër.

– Ndërkohë, shteti shqiptar hesht. A ka ndonjë justifikim për këtë heshtje, sipas jush?

– Nuk ka asnjë justifikim. Ose mund të ketë aq shumë justifikime që flasin për atë që nuk duam kurrsesi ta mendojmë. Dolëm atje ku e ka lënë Kryeministri i Regjimit, “se vendi i tij nuk ka humbur…” “se Gjykata Kushtetuese ka punën e saj dhe ne kemi tonën…”  çka e lënë të nënkuptohet se Projekti antikombëtar qëndron në tavolinën e Berishës dhe të Parlamentit grek, i cili “vetëm se nuk ka hyrë në fuqi…” por “që na qenkan probleme të brendshme që u ngritën pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese…” Nuk ka se ku të dalë më qartë se sa në këtë fillimviti. Kjo ka rizgjuar edhe përfytyrimin e njeriut autokrat që drejton Shqipërinë se janë shumë plane të tjera që nuk duken në këtë treg të shitjes  së interesave kombëtare.

– Po dje zv/ministri grek deklaroi se, “nuk ka Çështje Çame”. Si do ta komentonit këtë deklaratë?

– Unë mendoj se në këtë rast nuk ka asnjë risi në qëndrimin grek ndaj një çështjeje kardinale të politikës sonë kombëtare. Ky zv/ministër që foli dje ishte thjesht një papagall dhe përsëriti deklaratat e mëparshme të presidentëve, kryeministrave dhe ministrave të vendit të tij. Kjo nuk më çuditi aspak. Ajo që më tromaks është heshtja tinëzare e shtetit tim. Pikërisht këtë heshtje tradhtie dua të denoncoj publikisht. Shikoni se si po sillen me Rezolutën për Çështjen Çame. Është një qëndrim i hapur antikombëtar. Sepse po luhet poker me fatet e kombit.

– Ju mendoni se ka prapaskena në të gjithë këtë çështje?

-Po. Kjo është shumë e lexueshme për të gjithë. Koha do ta dëshmojë atë që u step dhe u mjegullua për pak, por që do të duket edhe më shkoqur, që pazaret e Berishës janë shumë më të thella. Ka një strategji dhe taktikë që po luhet me mjeshtëri djallëzore, nga të dy palët. Heshtja e Berishës për një farë kohe, dalja në podium e Ministrit të sotëm të Jashtëm të Shqipërisë, Panariti i cili në mediokritetin e tij skijor na nxori një zhvendosje në “kalendat greke” të kësaj Marrëveshjeje, e cila “qenka shumë komplekse…” Kurse Greqia, ashtu lehtë-lehtë fillon dhe artikulon se Marrëveshja është po ajo, se punët e ngatërrimet janë tuajat, dhe ju duhet t’i gjeni… ne po presim”. Të shikojmë kush do të jetë lëvizja e kukullave të kapura në gjuhë e gjymtyrë nga Berisha i tradhtisë.

  Zv.ministri i Jashtëm grek: “S’ka Çështje Çame. Kufiri detar, e drejtë sovrane”

 Në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga deputeti i Agimit të Artë, Kristos Papas, zv.ministri i Jashtëm grek, Konstandinos Ciaras deklaroi në Parlament se, “përcaktimi i kufijve detarë është një e drejtë sovrane, që Greqia do ta ushtrojë kohën e duhur duke pasur parasysh kushtet e përgjithshme dhe negociatat e vazhdueshme me vendet fqinje”.

Z. Ciaras shpjegoi se Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit “siguron të gjitha të drejtat dhe të gjitha detyrimet që rrjedhin prej saj”. Ai tha se marrëveshja greko-shqiptare për delimitimin e zonave detare e nënshkruar më 27 prill 2009 nuk ka hyrë në fuqi. “Nga ana jonë ne respektojmë plotësisht marrëveshjen dhe presim palën shqiptare për të zgjidhur problemet e brendshme që u ngritën pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë”, sqaroi zëvendësministri. Lidhur me deklaratat rreth çështjes çame, Ciaras tha se kur qëndrimet ekstremiste vijnë nga njerëz të politikës qendrore, siç ndodhi kohët e fundit me deklaratat “fatkeqe” të kryeministrit Berisha, bota politike greke dhe komuniteti evropian e ndërkombëtar shprehin keqardhjen e tyre. Sa i përket ndonjë kërkese individuale të çamëve, që lidhet me të drejtat e pronësisë, zëvendësministri tha se “nuk ka asnjë problem të tillë”, dhe se “Greqia ka theksuar në mënyrë të përsëritur se është shteti i ligjit të së drejtës edhe vazhdon t’i gjykojë kërkesa të tilla, në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. “Ne i kemi theksuar në mënyrë të përsëritur palës shqiptare se toleranca dhe bashkëpunimi janë shumë më tepër se qarqet ekstremiste, të cilat synojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe sigurisë dhe stabilitetin rajonal, por që nuk mund të kenë një ndikim negativ në marrëdhëniet tona dypalëshe”, theksoi zëvendësministri i Jashtëm. Ai gjithashtu kujtoi se rruga e Shqipërisë drejt BE-së është e lidhur pazgjidhshmërisht me sigurimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal. Në përfundim, Ciaras theksoi se, Greqia vazhdon të nxisë veprime konkrete për konsolidimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dypalëshe, me kusht parimin e reciprocitetit edhe nga pala shqiptare”. Më herët, deputeti i Agimit të Artë, Kristos Papas foli në Parlament lidhur me kërcënimet, që sipas tij i vijnë Greqisë, nga çështja çame dhe ajo e zonave ekonomike ekskluzive mes Greqisë dhe Shqipërisë (EEZ).

Deputeti i Agimit të Artë, i drejtoi pyetje Ministrisë së Jashtme për qëndrimin që ajo mban lidhur me sfidat e reja të qeverisë shqiptare, e cila sipas deputetit, vepron si një zëdhënëse e Ankarasë, kur deklaron se “do reagojmë në mënyrë aktive, nëse Greqia aplikon në mënyrë të njëanshme në OKB hartën e kufijve detarë”, si për deklaratat mbi “çështjen çame”. Deputeti neonazist sulmoi edhe ambasadorin e ri grek në Tiranë, që gjatë një prezantimi njohës në Komisionin e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes në fund të vitit 2012, në një moment të fjalimit të tij foli për Arvanitasit, gjë që sipas deputetit, është “tradhti kombëtare”. Ai vërejti se për Ministrinë e Jashtme greke termi “Vorio-Epir” është i ndaluar, por se Agimi i Artë nuk do ta braktisë kurrë Epirin e Veriut dhe nuk do të ndalet kurrë së luftuari për lirinë e tij