Qeveria nuk përcakton minimumin jetik, ndaj spekulon me Ndihmën Sociale

718
Jakup B. GJOÇA
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaron për një skemë të re, por kriteret mbahen sekret 
Sa të ardhura duhet të ketë një familje, që të cilësohet “e varfër”? Nuk ka ligj, që të përcaktojë nivelin e varfërisë, as ligj dhe as kritere të përcaktuara me vendime të qeverisë, që të kenë përcaktuar nivelin minimum të jetesës. Mos vallë, nëse një familje ka një televizor, sipas kriterit që qeveria përcakton dhënien e ndihmës sociale, është më lart se niveli i mbijetesës?!
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi dje nga foltorja e Kuvendit, se qeveria do të përdorë një skemë të re të ndihmës ekonomike. Por asgjëkund, ministrja Manastirliu nuk përmendi kriteret e kësaj skeme të re, Veçse pohoi: “Në skemën e vjetër kërkoheshin 9 dokumente për aplikim, në skemën e re kërkohen vetëm 2. Karta e Identitetit dhe Vërtetimi i pronësisë mbi Tokën. Ky i fundit, deri dje të skualifikonte. Sot, jo më.”

Pa përcaktuar minimumin jetik, nuk mund të ketë objektivitet në dhënien e ndihmës sociale
Ministrja e quan – skemë të re të dhënies së ndihmës sociale vetëm reduktimin e numrit të dokumentacionit, por që kurrsesi nuk mund të përbëjë kriterin e vërtetë të përcaktimit të kufirit minimal të jetesës, vërtetimi i pronësisë mbi tokën. Deri tani, ndihmesa sociale që jepte qeveria e Rilindjes Sociale, përjashtonte këdo familje në nevojë, të varfër nga ndihma sociale, nëse kishte në shtëpi, qoftë edhe një televizor. Kaq absurd-ky kriter i dhënies të ndihmës sociale, sa është e pamundur ta konceptojë logjika. Dhe, ministrja Manastirliu, thua se kjo qeveri e filloi qeverisjen vetëm dje, dhe deklaroi dje nga foltorja e Parlamentit, që tashmë me skemën e re do të përfitojnë 10.000 familje të reja. Po, ku e di ministrja dhe qeveria sa është numri i familjeve të varfra? A e di ministrja dhe qeveria se cili është kriteri i varfërisë, që përcakton ligji? Sa të ardhura duhet të ketë një familje, që të cilësohet “ e varfër”? Nuk ka ligj, që të përcaktojë nivelin e varfërisë, as ligj dhe as kritere të përcaktuara me vendime të qeverisë, që të kenë përcaktuar nivelin minimum të jetesës. Mos vallë, nëse një familje ka një televizor, sipas kriterit që qeveria përcakton dhënien e ndihmës sociale, është më lart se niveli i mbijetesës? Mos vallë, nëse një familje ka në pronësi 2 dynym tokë, por nuk ka asnjë burim të ardhurash, asnjë pjesëtar të punësuar, atëherë, pronësia e 2 dynym toke, e përjashton familjen nga niveli i varfërisë?! 
Balla: Skema e re e ndihmës sociale do të luftojë …dembelizmin dhe parazitizmin
Dje nga foltorja e Parlamentit, kryetari i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaroi se me skemën e re të dhënies të ndihmës sociale, qeveria do të luftojë dembelizmin dhe parazitizmin dhe, se një familje nuk mund të ushqehet gjatë me ndihmën sociale. Deputeti socialist Taulant Balla, flet kështu, sepse qeveria spekulon me kriteret e dhënies së ndihmës sociale. Duke mos qenë e përcaktuar me ligj, me shifra sa është kufiri minimal i jetesës, qeveria spekulon, ndihma sociale u jepet vetëm njerëzve që janë militantë partiakë, ndërkohë që u hiqet me shkaqe dhe arsye absurde familjeve të varfra, që nuk kanë “njohje” politike me deputetin e zonës. Është përtej absurdes që kryetari i Grupit Parlamentar të mazhorancës, Taulant Balla të deklarojë në parlament, që ndihma sociale dembelos dhe nxit parazitët. Ndihma sociale u jepet familjeve të varfra për aq kohë sa nuk ka të ardhura, pa kufizim. As opozita nuk mundi të argumentonte se cili është kriteri i përcaktimit të një familjeje të varfër. Madje, opozita dje në parlament “harroi” të këmbëngulte që më në fund, të përcaktohet kufiri minimal i jetesës, si kriteri i vetëm i dhënies së ndihmës sociale. 

Shifra e kufirit minimal të jetesës të përcaktohet në bashkëpunim me institucione të pavarura
Shifra aritmetike e kufirit minimal të jetesës nuk mund të përcaktohet vetëm nga INSTAT, sepse është institucion që ka varësinë nga kryeministri, por duhet të ketë bashkëpunim edhe me institucione të pavarura, sikurse janë Avokati i Popullit, shoqëria civile etj. 

Përvoja ligjore e dhënies së ndihmës sociale në vendet e BE-së
Kur Shqipëria pretendon të integrohet në Bashkimin Evropian, pikësëpari, duhet të përafrojë edhe legjislacionin me atë të vendeve të Bashkimit Evropian. Shqipëria mund të mos ketë përvojë në dhënien e ndihmës sociale, por duhet të mësojë si veprohet konkretisht në vendet, që kemi më afër, që nuk janë shumë larg nga Shqipëria në nivelin e jetesës. P.sh, në vendet si në Greqi, Itali, kriteret e dhënies së ndihmës sociale përcaktohen për çdo individ, për familjen etj, duke u bazuar në të ardhurat që deklarohen. Pak ose aspak merren parasysh kritere, sikurse pronësia e ndonjë makine, shtëpia e banimit, kur nuk kalon një shumë të madhe të caktuar. Nëse një person, tejkalon në një periudhë kohë, mujore të kufirin minimal të të ardhurave, atëherë edhe ndihma sociale ndërpritet për kaq kohë, jo për gjithë vitin. Dhe ndihma sociale jepet me përqindje, në raport me të ardhurat vjetore, duke filluar nga zero, deri në shifrën e caktuar të kufirit minimal të jetesës. Ndihmë sociale mund të jetë edhe përcaktimi i një çmimi të ulet të energjisë elektrike, për familjet e varfra, në bazë të të ardhurave vjetore. 
Sigal