Tjetër vdekje njeriu nuk ka…

374
Sigal

Nga Sami Milloshi

Kur gjyshja Tule më tha mua se atë e kishte harruar exheli, sic e emëronte ajo vdekjen, unë u vura në një dilemë të madhe. Ç’të jetë kjo marrëveshje që paska bërë nana Tule me vdekjen që kjo mizorja e mbaka me hatër?

– Nuk e marr vesh çka po thu – i thashë gjyshes, me shpresë do të më shpjegonte diçka më shumë.

E shtrirë ne shtrat, e verbër plotësisht, ajo nuk m’u përgjigj aty për aty për pyetjen që i bëra. Heshti ndonja një gjysmë ore të mirë dhe unë mendova se e zuri gjumi. Por as kjo nuk merrej vesh , nëse flinte apo jo. Vetëm kur i çova një gotë me ujë dhe ia vura tek kryet e krevatit, u bë e gjallë sërish.

– O bir- njeriu vdes vetëm kur e harrojnë – tha gjyshja. Tjetër exhel njeriu nuk ka qëkur del në dritë te Diellit , veç kur kurrkush nuk kujtohet më për të.

Kaq tha gjyshja, dhe heshti prap për ndonja gjysmë ore tjetër…

E gjitha kjo histori m’u kujtua sot ndërsa vendosa të bëj një punë arti ndryshe nga herë të tjera.

U ngrita herët në mëngjes dhe vajta ne pyll. Brodha një copë herë të mirë gjersa gjeta një gur. E mora me vete dhe u ktheva në shtëpi. Pastaj nxorra bojërat e pikturës.

Mora një penel dhe fillova ta lyej me të gjelbër njerën faqe te gurit. Pastaj shkrova mbi të gjelbër me të kuqe :” Ne të duam ty Oliver”.

Faqen tjetër e lyeva me blu. Mbi të shkrova emërin e gjyshes dhe te gjyshit, pra emërin e sime shoqeje dhe emrin tim. Kjo ishte vepra ime e artit për nipin…

Kur mbërrita tek shtëpia e nipit m’u duk vetja sikur isha bërë Van Gog. E vura gurin në rrëzë të shtyllës ku lartësohet flamuri.

I rashë telefonit dhe prisja të dilte nipi në derë të shihte veprën time të artit.

U desh plot gjysmë ore që nipi të dilte në portë, po aq sa ç’ iu desh gjyshe Tules kur më tha mua vite më parë se pse e kishte harruar exheli. Ndoshta nipi ia behu ne portë sa çel e mbyll sytë, por mua m’u bë sikur kaloi një gjysmë ore.

Akrepat e orës sime kanë ndaluar sepse është kohë karantine. Ama, për një gjë ju bej be: nuk e dij a kaloi një minutë, gjysëm ore apo një shekull, por kur u shfaq nipi ne portë, mua sërish m’u kujtua gjyshja kur më tha:

– O bir, njeriu vdes vetëm kur e harrojnë. Tjetër vdekje njeriu nuk ka, qëkurse del ne dritë te Diellit…

Një rreze dielli u shfaq në portë.

Ishte nipi…