Qarku i Korçës, shërbimi zjarrfikës ende me mjetet e kohës së Enver Hoxhës!

136
Sigal

Nga Vepror Hasani

Shërbimet zjarrfikëse të qarkut Korçë, përfshi këtu bashkinë Korçë, bashkinë Pogradec, bashkinë Devoll, bashkinë Kolonjë dhe bashkinë Pustec kanë në dispozicion të  tyre mjete të amortizuara, me të cilat hasin vështirësi të shumta për të shkuar në zona pyjesh ku terrenet malore janë të vështira. Fillimisht, vatra e zjarrit është e vogël, por çdo minutë vonese në mbërritjen te vendi i ngjarjes i jep mundësi zjarrit të rrisë sipërfaqen e vatrës fillestare. Veç sa më sipër, mungesa e rrugëve në pyje është një tjetër pengësë për mbërritjen e zjarrfikësve në kohën më të mirë të mundshme. Dhe jo vetëm kaq, disa prej mjeteve të reja që disponon qarku i Korçës, kanë kapacitete të vogla ujëmbajtëse, kur dihet që zjarret e mëdha e përpijnë ujin pa prekur tokën. Vetëm sasitë e mëdha të ujit janë efikase dhe mund të japin rezultatin e dëshiruar. Gjithashtu puna e këtij shërbimi është i kushtëzuar edhe nga kushtet atmosferike, kur erërat janë të forta, përhapja e zjarrit bëhet edhe më e vrullshme dhe brenda një kohe të shkurtër arrin të pushtojë sipërfaqe të mëdha. Për të gjitha këto arsye Sektori i Shërbimit të Mbrojtes nga Zjarri dhe Shpëtimin kërkojnë mjete sa më efikase sepse me mjete të amortizura edhe kur punonjësit e këtij shërbimi shndërrohen në heronj, mundi i tyre  nuk është i shpërblyer, kur shohin se sipërfaqe të  mëdha janë djegur

Bashkia Korçë, me zjarrfikëse 50-vjeçare

Në këto kushte gjendet edhe sektori i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në bashkinë e Korçës, bashkia më e madhe e qarkut. Mjetet e saj janë të amortizuara, ende vijohet të punohet me zjarrfikëset që i përkasin kohës së diktatorit Hoxha,  ose e thënë ndryshe, mosha e mjeteve tashmë është 50 vjeçare; më e reja i përket vitit 1993. Shërbimi zjarrfikës në Bashkinë e Korçës ka gjithsej 4 mjete zjarrfikëse dhe dy mjete shpëtimi. Megjithse punohet me përkushtim, me hartime plan-masash, me koordinim dhe  bashkëveprim edhe me njësitë administrave dhe popullatën e zonave pyjore, sërish ndihet si pengesë amortizimi i mjeteve, pasi sot shërbimet e  mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit duhej të ishin të pajisur me mjete bashkëkohore, me aftësi për t’iu përgjigjuar situtave të zjarreve në një kohë sa më të shkurtër dhe me efikasitet shumë më të lartë, pasi në territorin e saj shtrihen pyje të tillë si ai i Vithkuqit, i Voskopojës, i Dardhës dhe pyje të tjera. Gjatë vitit të kaluar, pati një seri zjarresh, por fatmirësisht jo të mëdha të cilat u izoluan në kohë.

Bashkia Pogradec, me zjarrfikëse të amortizuara

Edhe për shërbimin zjarrfikës në bashkinë e Pogradecit, nuk mund të thuhet asgjë më e mirë në krahasim me bashkitë e tjera të qarkut Korçë. Nga të dhënat që disponojmë rezulton se shërbimi në fjalë ka 4 automjete zjarrfikëse të amortizuara, me një personel prej 14 vetash. Për më tepër edhe godina ku ofrohet shërbimi është e amortizuar. Për këtë arsye janë hartuar edhe dy projekte; i pari për marrjen e mjeteve të reja dhe i dyti për rikonstruksionin e godinës ekzistuese dhe shtimin e kapaciteve për t’u krijuar ambiente bashkëkohore për një funksionim më të mirë të punës të këtij sektori, por deri më tani është punuar dhe vijon të punohet me mjete të vjetra që nuk përmbushin standardet e kohës. Rastet e rënies së zjarreve në pyje nuk munguan as në territorin e kësaj bashkie, më i madhi u shënua në pyjet e Grabovicës, ku u dogjën 5 ha, ashtu sikurse raste zjarresh pati edhe në Zdërvaskë, në Zagorçan, në Piskupat, në Lin dhe në zona të tjera, por fatmirësisht zjarret ishin të vogla dhe u arrit të izolohen në kohë, të cilat kryesisht ishin sipërfaqe me shkure.

Bashkia Devoll, me zjarrfikëse të vitit 1975

Ndërsa shërbimi zjarrfikës në Bashkinë e Devollit mbetet më ekzemplari, pasi punohet me një zjarrfikëse të vitit 1975, dhe kjo ndodh në këtë bashki që ka sipërfaqe të mëdha pyjesh dhe zona të mbrojtura që shtrihen në terrene malore të vështira, ku edhe mjetet bashkëkohore e kanë të vështirë të përballen me situata të tilla. Megjithatë, sipas burimeve pranë këtij shërbimi, e vetmja shpresë për përballimin e situatave nga zjarri mbetet premtimi i bërë nga kompania e gazsjellësit TAP, për dhurimin e një zjarrfikseje të re.  Vetëm  gjatë vitit që lamë pas, në Bashkinë e Devollit u dogjën sipërfaqe të mëdha pyjesh në Malin e Kuq, në zonën e Arzës dhe Nikolicës, po kështu raste zjarresh ka patur edhe në banesa në fshatra të ndryshme të Devollit

Bashkia Kolonjë me zjarrfikse të vitit 1960

Edhe shërbimi zjarrfikës i Kolonjës, në situata zjarresh përballet me vështirësi të shumta pasi pyjet në territorin e saj shtrihen në terrene të vështira malore. Përveç kësaj, edhe në këtë bashki automjetet e fikjes së zjarreve janë të amortizuara. Gjithsej janë 4 automjete, dy prej tyre janë të reja, por sasia e ujit që mbajnë është e vogël; njëra ka një kapacitet prej 2000 litrash ujë, kurse tjetra 2.4, ndërsa, përsa u përket dy të tjerave, njëra është tepër e vjetër, e vitit 1960, dhe nuk mund të përdoret për fikjen e zjarreve në pyje, ndërsa tjetra, edhe ajo e amortizuar, por që gjithsesi mund të përdoret ende në terrene malore. Megjithatë, duhet thënë se ky shërbim në  bashkëpunim me emergjencat e Bashkisë kanë mundur të bëjnë më të mirën. Vitin e kaluar pati dëme mbi fshatin Mësiçkë, ku u dogj  një pjesë pyllit, prej 3 ha, pasi zjarri pati në favor edhe kushtet klimaterike, erën e fuqishme, e cila ndihmoi në përhapjen e flakëve me shpejtësi  Kjo bashki ka një fond pyjor me sipërfaqe të mëdha dhe  rreziku i zjarrit është i pranishëm. Stacioni i zjarrfikseve në bashkinë e Kolonjës ka 14 punonjës, të  cilët ofrojnë shërbim 24 orë.

Bashkia Pustec, pa zjarrfikëse

Situata paraqitet më e vështirë në Bashkinë Pustec, pasi kjo bashki nuk ka asnjë mjet zjarrfikës. Reparti i zjarrfikësve ekziston, por pa mjete, (pa asnjë mjet), të gjithë bashkë përfshi edhe përgjegjësin e repartit, bëhen gjithsej 9 veta. Në kushtet që ndodhen, kanë modifikur një automjet duke e pajisur me një cisternë me një kapacitet prej 1000 litra ujë dhe një pomë zhytëse. Automjeti shkon deri në një farë vendi, përsa kohë terreni është fushor, ndërsa në rrugë malore nuk mund të lëvizë. 9 personat e Repartit Zjarrfikës detyrohen ta marrnin rrugën në këmbë.  Në zjarrin më të fundit të rënë në ktë zonë kryebashkiaku i ri i Bashkisë  Pustec, Pali Kolevski, tha: “Patjetër që na duhet një mjet zjarrfikës, pasi është tepër i domosdoshëm, por me buxhetin që ne kemi, e kemi shumë të vështirë. Megjithatë do të shohim mundësinë e planifikimit për marrjen e një mjeti me të  gjitha pajimet që duhet të ketë një reapart zjarrfikës, sepse është mangësi e madhe për një bashki që ka një sipërfaqe mjaft të madhe me pyje dhe kullota”.

Pra, kjo është situta e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në qarkun e Korçës, ende punohet me zjarrfikse të vitit 1960.