Projekti i parkimit nëntokësor në Berat/ Specialistët: Është skandal, ta hetojë SPAK-u

332
Sigal

Projekti më i ri që ka filluar të zbatohet në Berat, ai i parkimit nëntokësor për të cilin është shkatërruar gjysma e Pedonales së qytetit, cilësohet nga inxhinierë e specialistë si një “skandal” dhe që sjell rrezik të madh për përmbytje në qytet.

Kryetari i shoqatës Antipatrea, shoqatë që loboi e mundësoi edhe fujen e Beratit në UNESCO në vitin 2008, inxinieri Pavllo Shkarpa ka thënë se në Berat po kryhet në mënyrë të errët një vepër kriminale, pa transparencë e që nuk dihet se kujt po i shërben.

Sipas inxhinierit, ideja e një parkimi nëntokësor në qëndër të qytetit 2400 vjeçar të Beratit është mediokritet dhe paaftësi e kryetarit të bashkisë, dhe mungesë transparence.

“Në lidhje me këtë projekt mendoj që këto “zuskat politike” që kalojnë nga një parti tek tjetra sigurisht mendoj se do ketë një shërbim për njerëz të caktuar.Nqs kryetarit të bashkisë do ti dhimbseshin ato miliarda lekë që u harxhuan për Pedonalen e qytetit nga Fondi i Zhvillimit dhe taksat e popullit,kjo nuk duhej bërë”-ka thënë Shkarpa.

Shkarpa i ka bërë thirrje SPAK të nisë hetimet për mungesën e transparencës me fondet për parkimin në Berat.

“SPAK duhet të fillojë hetimet, të marri menjëherë dosjen dhe projektin dhe ta hetojë”- është shprehur ai. Si specialsit ai ka deklaruar se, Berati ka kodra përreth dhe vetë është një gropë dhe Beratit po i bëhet investim në këtë gropë,duke rrezikuar përmbytjen e tij.

Inxhinierët Shkarpa e Ngjeqari paralajmërojnë për rrezikun që sjellin parkimet në qytetin e Beratit.

Kjo -rrezikon të ndodhë kur lumi Osum të ketë prurje të konsiderueshme e të dalë nga shtrati dhe kur intensiteti i reshjeve do të jetë aq i madh saqë ujërat e larta do të shkarkojnë në qytet.

Xhevair Ngjeqari, e cilëson projektin të pastudiuar nga ana hidrologjike, të pastudiuar në marrëdhënie me sistemimin e lumit dhe me tërësinë e problematikave që ka urbanistika në këtë zonë.

“Kam bindjen që jo vetëm nuk është studiuar por kanë gjetur një truall të lirë dhe për interesa të vogla të dikujt po ndërtohet aty. Projekti duhet të ndërpritet dhe të rishikohet, pjesa që është prishur nga Pedonalja është mbi 60 përqind e Pedonales pra 1.2 milion Euro të hedhura dëm”-ka thënë Ngjeqari.

Inxhinerët i bëjnë thirrje kryetarit të bashkisë Berat, Ervin Demo të heqë dorë nga ky projekt, të pezullojë punimet dhe të bëj transparencë me qytetarët, ndësa kane falenderuar drejtuesin politik të LSI Berat, Ardit Çela që e bëri publik këtë shqetësim serioz në faqen e tij zyrtare.